LAJMI I FUNDIT:

Kalifati terrorist drejt shkatërrimit

Kalifati terrorist drejt shkatërrimit

Bota e qytetëruar po vepron më e përgjegjshme dhe më e organizuar politikisht e ushtarakisht, për të shpëtuar qytetërimin e sotëm nga organizatat terroriste islamike.

TERRORISTËT ARRITËN TË VETËSHPALLIN KALIFATIN, TË IMPONOHEN KONKRETISHT NË LINDJEN E MESME, TË KËRCËNOJNË SERIOZISHT LIRITË DHE FITORET E NJERËZIMIT

Terrorizmi islamik dhe vetëshpallja e Kalifatit treguan për zhvillime regresive dhe dobësitë në politikën kombëtare, rajonale dhe atë globale. Ky realitet i hidhur, është i patolerueshëm për zhvillimin e sotëm modern dhe potencialet e mëdha politike, ideologjike, ekonomike, ushtarake që disponohen.


Këto mundësi, nuk u shfrytëzuan dhe nuk u përdorën në kohë për të reaguar me rreptësi dhe gjithë fuqinë e institucioneve shtetërore, kundër përhapjes së kësaj sëmundjeje të rëndë që ka përfshirë disa grupime radikale të shoqërisë njerëzore. Terrorizmi islamik u inkurajua nga situatat politike të pakontrolluara që kishin krijuar regjimet totalitare dhe gjendja e rëndë sociale e popullit.

Në pak kohë, terroristët demonstruan publikisht forcën e armëve. Dihet se ofensiva e tyre filloi në verën e vitit 2014, në Siri dhe në Irakun e Veriut. Brenda një kohe të shkurtër, terroristët morën nën kontroll territore të gjera. Imponimi i sundimit me të drejtën e sheriatit, u shoqërua me dhunë të hapur dhe masakra çnjerëzore.

Pa shumë rezistencë, zgjeruan kontrollin me përmasa në rritje dhe vetëshpallën të ashtuquajturin Shtet Islamik. Shtetet më të fuqishme nuk arritën të organizohen në kohë dhe të reagojnë fuqishëm kundër këtij rreziku për njerëzimin. Xhihadistët terroristë shfrytëzuan dobësitë politike, ekonomike e ushtarake në Lindjen e Mesme dhe në bashkësinë ndërkombëtare.

Me anë të dhunës primitive, financimeve nga paratë e zeza të kontrabandës së naftës dhe propagandës fetare që mashtronte në emër të islamit, ata arritën në mënyrë të çuditshme të marrin nën kontroll në një territor të gjerë të Sirisë midis Sirisë dhe Irakut dhe të vetëshpallin Kalifatin.

Kundërveprimi ndaj IS po realizohet me ritme të ngadalta. Në Siri dhe në Irak, u krijuan dhe po veprojnë strukturat ushtarake të përbëra nga popullsia vendëse që kundërshton terrorizmin. Organizata terroriste IS po ndien gjithnjë e më shumë goditjen e fuqishme ushtarake ndërkombëtare, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë, Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Italisë, Australisë, aleancës së 34 shteteve arabe, si dhe gjithë shteteve dhe aleatëve të tjerë perëndimorë e lindorë që i janë bashkuar koalicionit kundër terrorizmit ndërkombëtar.

NDRYSHIMET NË RAJONIN E LUFTËS NË SIRI DHE IRAK KUNDËR IS-iz JANË ENDE SIMBOLIKE

Qeveria amerikane e vlerëson të suksesshme ndërhyrjen e saj ushtarake kundër “Shtetit Islamik”. Presidenti Brak Obama thekson me optimizëm e besim ndryshimet e bëra në vitin 2015, në luftën kundër xhihadistëve ekstremistë: “Ne e godasim atë më fort se më parë”. Xhihadistët kanë humbur më shumë territore të kontrolluara sesa kanë pushtuar.

Në krahasim me situatën e zgjerimit të shtrirjes dhe dominimit xhihadist në dimrin e vitit 2014, në dimrin e vitit 2015, rajoni nën kontrollin e IS nuk u zmadhua, por u zvogëlua me 14 për qind. Nga shtatori 2015, deri në mesin e muajit dhjetor 2015, IS ka humbur 12.800 km katrorë, nga afro 78.000 km katrorë gjithsej që ka pasur nën kontroll.

Më e ndjeshme për terroristët, është humbja e kontrollit në zonën në kufi me Turqinë, si dhe ndërprerja e burimeve financiare nga kontrabanda ndërkombëtare. Në këtë zonë, ata kishin nën zotërim rafineritë e naftës dhe ku lulëzonte tregtia ilegale e naftës dhe e armëve.

Ata u detyruan të lënë qytetin Tall Abjad, në zonën kufitare siriano-turke, qytetin irakian, Tikrit dhe rafinerinë irakiane, në Baidshi. Xhihadistët terroristë e kanë akoma më të vështirë për të rimarrë kontrollin e kësaj zone. Ndryshimi i situatës së luftimeve u arrit si pasojë e strategjisë së bombardimeve ajrore amerikane që patën efekte më të ndjeshme.

Përparime po arrihen sidomos pas intensifikimit të luftës me anë të ndërhyrjes dhe bombardimeve ajrore të aviacionit ushtarak të Rusisë që bashkëpunon direkt me trupat tokësore qeveritare të Asad. Me krijimin e qendrës së përbashkët të koordinimit, goditjet nga koalicioni kundër pozicioneve të IS-it janë më të organizuara, të gjithanshme e me objektiva të studiuar.

Grupi i kurdëve sirianë, “Bashkimi Kombëtar Popullor” (YPG), i cili mbështet nga forcat ajrore amerikane, në këtë vit, kanë arritur rezultate në Nimbus, në luftën kundër xhihadistëve terroristë. Në të njëjtën kohë, IS ka zgjeruar shtrirjen në Homs, ku trupat e regjimit sirian nuk kishin mundur të rezistojnë.

Në Irak u arrit në vitin 2015 që luftëtarët kurdë të Partisë së Punës (PKK), kurdët irakianë Peschmerga, milicët jesidishë kurdë, të mbështetur nga bombardimet ajrore amerikane, të rimarrin kontrollin e qytetit Sindahar. IS ka humbur edhe disa qytete të vogla dhe qytetin e madh Tikrit. Kjo është një arritje e rëndësishme, pasi kurdët morën kontrollin e Autostradës 47, që mbahej më parë nga IS, duke mundësuar lëvizjen e shpejtë të luftëtarëve dhe të armëve midis shteteve Raka dhe Mosul.

Marrja nën kontroll e kësaj infrastrukture logjistike ka krijuar kushte më të mira për të vazhduar operacionet për rimarrjen e qytetit sirian Palmira dhe të qytetit irakian Ramadi. Ndërkohë trupat ushtarake irakiane kanë rrethuar dhe po luftojnë të rimarrin qytetin Ramadi.

AVIACIONI USHTARAK AMERIKAN KA REALIZUAR DERI TANI 8800 SULME AJRORE KUNDËR BAZAVE TË IS-IT

US-Blog “The Long War Journal” publikon se janë realizuar 8800 bombardime ajrore. Bombardimet ajrore amerikane janë përqendruar kundër pozicioneve dhe armatimeve të IS-it, si dhe kundër drejtuesve të kësaj organizate terroriste. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-ve, janë vrarë 13 xhihadistë me detyra të larta e të mesme.

Drejtuesit e IS-it janë detyruar të fshihen për t’u shpëtuar goditjeve amerikane. Nuk është akoma e saktësuar se sa luftëtarë të IS-it janë vrarë nga fillimi i bombardimeve në shtator 2015. Nga të dhënat e “Qendrës Vëzhguese Siriane për të Drejtat e Njeriut” raportohet për 3 500 luftëtarë, si dhe 250 civilë të vrarë. Në Irak nuk ka akoma të dhëna të ndonjë organizmi të pavarur. Njoftohen të dhëna për një numër të madh, por nuk mund të saktësohet përfundimisht.

E pasqaruar është edhe shifra për numrin e luftëtarëve të organizatës terroriste. Mendohet se janë 30 000 deri 60 000 luftëtarë, pa përfshirë luftëtarët e rinj që shtohen çdo muaj. Nga të dhënat e Komisionit të Sigurisë së Bundestagut gjerman, bëhet e ditur se nga muaji janar deri në gusht 2015 kanë udhëtuar jashtë shtetit dhe mendohet se u janë bashkuar trupave të IS afro 600 gjermanë.

SA TË VËSHTIRA VLERËSOHEN HUMBJET NGA VETË IS-i?

Është vështirë për të arritur në përfundime të sakta. Disa të dhëna të përafërta merren nga studiuesi për terrorizmin, Aaron Y. Zelin vom US-amerikanischen Thinktank “Washington Institute for Near East Policy”. Nga vëzhgimet e bëra prej tij në disa vite, del se ka pak të dhëna nga propaganda e organizatës terroriste xhihadiste, për vetë faktin se ajo është në tërheqje në disa rajone dhe nuk ka kontrollin e plotë në rajone të tjera.

Nga përfundimet e analizës së gjendjes së përhapjes së terrorizmit, del se organizata terroriste IS ka zhvilluar një propagandë më të madhe në vitin 2015, në krahasim me një vit më parë. Intensiteti më i lartë ka qenë në muajin gusht 2015. Pas kësaj kohe, IS publikon më pak foto dhe video. Të dhënat tregojnë se pas masave të marra në shtator 2015 nga koalicioni ndërkombëtar, IS e ka ndjerë më konkretisht rrezikun dhe presionin e madh ushtarak dhe propagandistik ndërkombëtar.

Rreziku nga terrorizmi është potencial dhe rrezikon të shtohet vitin tjetër në Afrikën Veriore, Europë dhe në Amerikë. IS kërkon që të shtojë presionin dhe goditjet terroriste në vendet e zhvilluara, në shtetet arabe dhe në vendet e tjera ku nuk gjen përkrahje, për të frikësuar e terrorizuar njerëzit e pafajshëm dhe tensionuar opinionin publik, për të spostuar luftën edhe në vendet e tjera, për të balancuar humbjet në rajonet ku ajo nuk arrin t’i rezistojë aleancës së përbashkët ushtarake të vendeve që luftojnë kundër saj.

KOALICIONI USHTARAK NDËRKOMBËTAR DO TË ARRIJË TË FITOJË KUNDËR IS-it

Zgjerimi i aleancës ndërkombëtare, koordinimi i luftimeve, plani për paqen në Siri, i parashikuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit, kanë krijuar kushtet për të përqendruar forcat për mposhtjen dhe shkatërrimin e organizatës terroriste të IS-it dhe arritjen e paqes në rajonin e tensionuar ku ata shtrinë kontrollin. Organizata terroriste disponon miliarda fonde të siguruara nga kontrabanda e naftës dhe rrëmbimet e njerëzve që i kthen, me kushtin e pagesave të mëdha.

Megjithatë, terrorizmi nuk ka mundësitë dhe mbështetjen publike që të rezistojë. Terroristët bazohen në ideologji ekstremiste dhe shpërdorojnë me parimet e drejta të islamizmit. Ata nuk i përkrah masa e popullit. Kalifati i bazuar në sheriatin primitiv të imponuar po me metoda primitive terroriste, është një përpjekje e inskenizmit të fantazmës së një shteti anarkist me metoda sundimi të totalitarizmit e të terrorit primitiv.

Terroristët xhihadistë kanë armatime të kohës dhe specialistë të përgatitur nga vetë aleatët, por që kanë dezertuar dhe u janë bashkuar formacioneve të IS-it. Megjithatë, ata nuk kanë organizim shtetërore, ushtri, ekonomi, financa etj., të bazuar në norma ligjore. Rajoni ku ata kanë zgjeruar kontrollin është në anarki dhe populli përjeton gjendjen katastrofike shoqërore. Në këto kushte, terroristët po përpiqen të krijojnë shqetësime e frikë edhe në vendet e zhvilluara, sidomos në shtetet e aleancës që po e luftojnë fuqishëm atë.

Terroristët përfituan dhe shfrytëzuan lëvizjen e lirë, garancitë për të drejtat e liritë në vendet perëndimore dhe anë të akteve vetëvrasëse të kamikazëve, realizuan aktet terroriste në Turqi, Francë, Amerikë etj. Megjithatë, ata nuk kanë mundësi shtetërore, ushtri, ekonomi, financa etj. që të imponohen.

Strategjia e bombardimeve ajrore, që zbatohet nga aleanca ushtarake kundër IS-it, do të ketë shpejt fitoren në rast se do të plotësohet e kombinohet me luftën me trupa ushtarake. Kur nuk shkel këmba e ushtarit në frontin e luftimit, nuk arrihet fitorja përfundimtare. Këtë po e tregon edhe lufta ndaj IS-it. Është e drejtë strategjia ushtarake që vetë popujt të ndërgjegjësohen e të organizohen për të luftuar terrorizmin dhe krijuar institucionet e qëndrueshme politike e juridike.

Pikërisht, në këto drejtime kërkohen edhe ndihma konkrete. Krahas trupave qeveritare që po luftojnë, por me ritme të ngadalshme, ndihet e domosdoshme organizimi e masivizimi i frontit të përbashkët kundër IS-it edhe me më shumë trupa tokësore ushtarake nga sirianët e irakianët, si dhe mbështetja edhe me trupa ushtarake nga shtetet e aleancës ndërkombëtare. Fundi i terroristëve është i sigurt. Qytetërimi do të fitojë edhe ndaj terrorizmit.