Realiteti kosovar, nga i cili vetëm dimrin e kaluar ikën mbi 100 mijë qytetarë, është tashmë krejt ndryshe. Nuk vdes më nga monotonia, sikur koalicioni e kontrollon çdo gjë: shtetin, mediat, shoqërinë civile, bizneset… krejt! Tash, lufta prej terrenit real po zhvillohet në realitetin virtual. Opozita e ka kapur pushtetin dhe pushteti e ka kapur shtetin. Qytetarët po e vështrojnë përmes internetit në edicionet speciale dhe po kërkojnë përgjigje në pyetjen tradicionale: çfarë po bëhet?
Pra, përse krizë? Pse politike? Krizë është veç kur të bie rrjeti, se nuk po e dimë kush, kujt, çka i ka thënë në kohë reale, apo kush po hedh lotsjellësin dhe po shkon në burg?
Se kush shkon në burg, më nuk po varet nga pozita, por nga vetë përzgjedhja e opozitës: kush e bën Parlamentin të qajë, ai shkon në burg. Ai i cili merr radhën me hedhur lotsjellësin, zakonisht po vishet mirë dhe trashë, si për burg më, dhe po e kryen aktin heroik duke qeshur. Duke qeshur edhe po hipin në vetura të Policisë, duke fishkëllyer nën zë melodinë e këngës: “Me gëzim po shkoj në … burg”.
Por, të kuptohemi. Hedhja e lotsjellësit është e ndaluar me ligj, sepse populli edhe mund të qajë, por Parlamenti jo. Pra, në burg…!
Fundi është i qartë. Një ditë krejt deputetët e opozitës do të përfundojnë në burg dhe Parlamenti nuk do të qajë më. As probleme nuk do të ketë më Kosova. Gjërat do të kthehen në normale. Policia do të hedh lotsjellës dhe do të rrah popullin dhe populli, sipas traditës, do të qajë. Kështu edhe dimë të orientohemi.
Tani për tani jemi krejt të hutuar: qytetarët, bashkësia ndërkombëtare, koalicioni, madje edhe vetë opozita nuk e ka të qartë se çfarë kutie ka hapur, në përpjekje për të hapur atë të “Pandorës”.
Kështu, siç e dimë, videoloja “Parlamenti 1” përfundoi pa rezultat dhe me fitime vetëm për industrinë e vezëve. Duke qenë se rezultatet nuk ishin të pritshme, u krijua menjëherë videoloja “Parlamenti 2”, ku “blloku” ka për armë veç gazin lotsjellës dhe me raste edhe shkrepësen. Edhe imagjinatën. Duke qenë se për dallim prej së parës videoloja e dytë nuk është taktike, po strategjike, tashmë po shihen dhe rezultatet e saja. U sakrifikua mbreti, mbretëresha, oficerët, kuajt dhe…!
Por, nuk është krejt kjo urti e kësaj opozite. Është traditë tashmë. Ja një mësim nga urtia popullore: Një fshatar, po i thoshte fqinjit të vet: “unë për ty jam mur i lartë”. Ndërsa, tjetri, i cili edhe mund të ketë qenë i “Vetëvendosjes”, ia kthen se “unë të heq gurin e themelit dhe rrëzohesh vetë”.
Pra, krejt kjo nuk fillon me “Vetëvendosjen”. Kosovarët kanë qenë shumë kreativë në luftën e tyre për liri, me ide jo të zakonshme se si të luftohet për qëllimet e veta dhe si të merret vëmendja globale.
Lëvizja paqësore e cila krijoi “shtetin paralel” në vitet ’90 të shekullit të kaluar, ngjalli kureshtje dhe respektin ndërkombëtar dhe nga kjo Kosova mori përpos deklaratave përkrahëse e vijave të kuqe, edhe dy “Saharovë”. Njëri nga ata i jepej Adem Demaçit, e tjetri Ibrahim Rugovës, sepse njëri dëshmoi se liria kërkon sakrifica dhe tjetri sepse liria kërkon vetorganizim dhe urti.
Pas kësaj, ndodhi që një lëvizje guerile, e cila dëshmoi se edhe nëse nuk je aq i organizuar apo aq i shkathtë, mund të fitosh. Edhe pse fillimisht e quajtur terroriste, ajo arriti të pranohej botërisht dhe në funksion të objektivave të veta arriti të aktivizojë aviacionin e NATO-s, duke u larguar kështu nga vendi një regjim antihistorik, anticivilizues, i cili e kishte rrezikuar me shkatërrim një popull të tërë. Vetëm kallashët e lodhur kinez nuk mjaftonin.
Pastaj ndodhi “Droni”! Pas ndeshjes së famshme në Beograd, kur fituam kombëtarisht, ashiqare pa meritë në fushë, me 3:0, ku fituam famë dhe… ku droni u bë fenomen botëror. Droni filloi të përdorej për gjithçka: prej ushtrie deri në familje.
Pastaj u zbulua lotsjellësi si mekanizëm demokratik. Padyshim kur të përfundojë komplet kjo storje, ai do të përdoret edhe për shumë destinime të tjera dhe jo vetëm për të bllokuar institucionet apo për të shpërndarë protestuesit, por gjithsesi edhe për objektiva shumë më personale.
Kështu, mbase prej këtu e këndej lotsjellësi do të prodhohet edhe për përdorim familjar. Për shembull, për nuset. E hedhin në shtëpi apo banesa dhe i fshehin duart. Kaq duhet. Paramendojeni një vjehërr e cila, duke ndjekur këshillën e kryeparlamentarit “mos bëni panik”, do të hidhej nga dritarja. A nuk është edhe kjo një zgjidhje?
Pastaj, mund të përdoret edhe në hipermarket, nga ata të Qeverisë dhe të partisë. Duke ikur me panik, do të marrin me vete shumëçka, e sidomos… qepë. Kështu, kur të kapen nga Policia nuk do të kuptohet a kanë lotuar nga lotsjellësi apo nga qepët.
Mund të përdoret edhe në sport. Kur ndonjë ekip humb në terrenin mysafir, thjesht infiltron një tifoz i cili e hedh lotsjellësin dhe spektatorët, “pa panik”, do të shkelin njëri-tjetrin në dyer të stadiumit. Kështu, edhe mysafirët fitojnë në tavolinë!
Kështu do të prodhohen edhe lotsjellësit, sikurse dronët: lotsjellës për përdorim policor, opozitar, familjar apo për “aktivitete të lira”.
Do të prodhohen edhe lëvizjet paqësore… me respekt. Për shembull, edhe Ushtria Çlirimtare e Sirisë, e cila siç e dini ishte trajnuar fillimisht këndej, por… nuk u respektua respekti. Situata në Lindje të Afërme u komplikua, sepse nuk e respektuan respektin. Deshën edhe “lokalët” të bëhen kreativë. Kur munden kosovarët, përse ne jo, dhe… le krejt.
Pastaj, e keni parë se si e kemi zhvilluar më tutje modelin e funksionimit të një shoqërie demokratike…? Krejt si në Evropë. Kemi shoqëri civile, kemi media, kemi shoqatën e biznesmenëve, kemi klasën politike… krejt i kemi. Në një paketim. Prej njërës në tjetrën kalohet sa çel e mbyll sytë. Nëse je në njërën, je në të gjitha. Kjo se shahen në mes tyre mos t’ju hutoj. Kuptojeni si sport.
Klasa jonë politike prodhon edhe intelektualë. Ka aq universitete. Sapo merr doktoratën, futet në politikë. Edhe pasi të jetë futur në shtet, mundet ta marrë diplomën. Ia sjellin vetë.
Por, të kthehemi në temë. Te produkti special, lotsjellës me efekte politike, i krijuar nergut për përdorim në Parlament. Duhet të jetë i vogël, i padetektueshëm nga… po e dini. Madje edhe kur të fusë duart Policia, aty ku nuk guxon, nuk duhet të jetë i detektueshëm në prekje, pra duhet të jetë me mbështjellës krejtësisht të butë.
Por… produkti duhet të jetë mjaft i dendur, sa për të nxjerr lotët e politikës, sepse siç e dini ju kjo nuk është punë aq e lehtë. Bankat edhe politika nuk kanë zemër.
Pastaj, duhet të jetë lehtë i aktivizueshëm dhe mundësisht nga distanca. Kështu, deputetët e opozitës do të shpëtonin nga arrestimi. Por, tani për tani, opozita nuk ka arritur të prodhojë diçka të tillë, kështu që deputetët në radhë po shkojnë drejt e… në burg. Dorën në zemër askush nuk mund të thotë se nuk po përcjell me lot, me shumë lot. Po qajnë kolegët e tyre, nga (o)pozita.
Pra, situata, pak a shumë paraqitet kështu: prej luftës me nerva, krejt kjo situatë është shndërruar në luftë me resurse; prej një beteje taktike, në një betejë strategjike. Bëhet fjalë për resurse humane, se logjistika është në rregull. Si duket opozita ka krijuar rezerva të mjaftueshme të gazit lotsjellës dhe e ka zbuluar një mënyrë të pazbulueshme se si po kontrabandohet ajo në Parlament. Edhe pozita aq herë e akuzuar për kontrabanda dhe krim të organizuar duket se po ua ka lakmi. Por, nëse ka pafundësisht lotndjellës dhe durim të koalicionit, numri i tyre është i kufizuar dhe një ditë do të “harxhohen”…!
Një ditë të afërme, kur në shtabin e opozitës të kërkohen vullnetarë për të hedhur lotsjellësin, do të kuptojnë se nuk kanë mbetur më deputetë. Në ekran do të dalë paralajmërimi: “game over”! Qytetarët do të shfrytëzojnë rastin për të kryer ndonjë punë rreth shtëpisë…!
Pra, tashmë po shihet fundi i videolojës “Parlamenti 2” dhe po shihen konturet e “3”-shit.
Çfarë na sjell videoloja “Parlamenti 3”?
Pyetja jonë e famshme: Çfarë po bëhet, a thua? Seriali vazhdon…!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPërse Shakira nuk është martuar akoma me të dashurin dhe babanë e fëmijëve të saj, Gerard Pique?
Rrëfimi i Avril Lavigne për sëmundjen e rëndë: Më është dashur të pranoja se po vdisja dhe e ndjeja sikur më shuhej trupi
Gerta flet pas incidentit: Nuk kam për qëllim të dëmtoj sytë e Gjestit
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Pas trajtimit në spital, Gjesti kthehet në Big Brother
Incidenti i radhës në Skenderaj, digjet me benzinë posteri i Albin Kurtit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Gerta flet pas incidentit: Nuk kam për qëllim të dëmtoj sytë e Gjestit
Gerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Babai i Haalandit thumbon keq Arsenalin pas turpërimit që i shkaktuan Man Cityt
A është ende e sigurt të fluturosh me aeroplan? Ekspertët e aviacionit japin 'verdiktin e tyre' pas incidentit në Uashington
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet