LAJMI I FUNDIT:

Nora tejkalon pengesat për të bërë hapin e madh

Nora tejkalon pengesat për të bërë hapin e madh

Nora Gjakovës i janë shfaqur telashe jo shumë të zakonshme të premten para se të niste garën në turneun Grand Prix të xhudos të mbajtur në Havana të Kubës.

Për herë të parë Kosova po paraqitej në Kubë, vend ky që nuk e njeh Kosovën. Organizatori vendosi që mos të lërë Gjakovën të garojë si përfaqësuese e Kosovës, ndërsa këtë delegacionit kosovar ia bëri të ditur vetëm të premten, pak para se të niste gara.

Kështu Gjakovës iu kërkua që të ndërrojë kimonot (veshjet e xhudistëve) që të mos shihej emri Kosova, shkruan sot Koha Ditore.

Ajo garoi si garuese e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos (IJF) dhe arriti sukses që besohet se do t’i shërbejë shumë. U rendit e treta në kategorinë deri 57 kilogramë dhe, pos medaljes së bronztë, fitoi edhe 120 pikë për ranglistën olimpike.


"Në ditën e garës na thanë se nuk mund të garojmë si sportistë të Kosovës, por se duhet të garojmë me logo të IJF-së. Kështu edhe më është kërkuar të ndërroj kimonot. Natyrisht se kjo është një pengesë, pasi është dashur të garoj me kimono të tjera dhe nuk e kam pasur komoditetin që e kam në kimonot e mia. Por është dashur të tejkalohet kjo dhe për fat fundi ishte i mirë", ka thënë Gjakova për gazetën.