LAJMI I FUNDIT:

Prishtina, ndryshe në pranverë

Prishtina, ndryshe në pranverë

Pas vazhdimit të kontratave edhe për një vit me Prishtinën, Labinot Osmani dhe Bashkim Shala premtojnë se me angazhim edhe më të madh do të ngrenë sa më lart ekipin në edicionin pranveror.

Sulmuesi Osmani thotë se pavarësisht formës, të cilën kanë pasur në edicionin vjeshtor, krejtësisht ndryshe do të jetë ai pranveror.

“Në këtë edicion nuk na ka përcjellë fati në lëndime dhe nuk kemi pasur rezultate të kënaqshme siç pretendon Prishtina. Sezoni pranveror besoj se do të jetë një edicion krejtësisht ndryshe dhe besoj fuqimisht se do të arrijmë të vijmë te rezultatet”, u shpreh fillimisht Osmani.

Ndryshe ish-futbollisti i Vushtrrisë, premton se edhe golat nuk do të mungojnë. “Shpresoj të mos kem lëndime dhe të bëjë një fazë përgatitore të mirë dhe natyrisht që golat nuk do të mungojnë”, deklaroi Osmani.


Premtime të mëdha për edicionin pranveror ka dhënë edhe Bashkim Shala. Ky i fundit thotë që Prishtina do të jetë krejtësisht ndryshe në pjesën pranverore.

“Kemi një fond të lojtarëve shumë të mirë. Shpresoj se në edicionin pranveror të kemi më shumë fat dhe të arrijmë rezultate pozitive. Synimi ynë mbetet që të jemi sa më lart në renditje dhe shpresoj se kjo do të arrihet me punë dhe me pak fat”, theksoi Shala.

Dyshja, e cila erdhi nga Vushtrria, kanë vazhduar kontratën me Prishtinën edhe për një vit. Prishtina edicionin vjeshtor e mbylli në pozitën e 10-të me 18 pikë të tubuara, duke arritur katër fitore, pesë barazime dhe tetë humbje.