LAJMI I FUNDIT:

Zenunaj nis furishëm në SHBA

Zenunaj nis furishëm në SHBA

Kur ishte ngjitur në ringun amerikan të premten mbrëma në Houston, boksieri pejan Dardan Zenunaj ishte vlerësuar si boksier jo shumë sfidues për amerikanin Bryant Cruz. Zenunaj ishte caktuar kundërshtar i talentit amerikan Cruz vetëm pak ditë para përballjes.

Por Zenunaj në mbrëmjen e transmetuesit të madh amerikan "Showtime" shtangu të gjithë, e më së tepërmi boksierin amerikan Cruz, i cili u dorëzua pas shtatë raundeve, shkruan sot Koha Ditore.

Zenunaj, në përballjen e kategorisë së lehtë, që ishte paraparë të zhvillohej në tetë raunde, e rrëzoi dy herë amerikanin Cruz, ndërsa talenti amerikan nuk u ngrit për të vazhduar raundin e fundit.
Për Zenunajn 28-vjeçar kjo përballje ishte në një kategori më lart se që bokson ai.

Ai bokson në kategorinë super-pendël, dhe në këtë kategori vitin e kaluar fitoi titullin WBA International.


"Në Showtime u kam pëlqyer të gjithëve, më kanë thënë se jam një luftëtar i vërtetë, se bëj luftë të hapur. Unë gjithmonë boksoj në këtë mënyrë, sa herë që futem në ring jam i gatshëm të jap edhe jetën, por nuk dorëzohem", ka thënë Zenunaj për gazetën.

Për të ishte fitorja e 11-të në boksin profesionist (9 KO) karshi një humbjeje sa e ka. Cruz ndërkohë ka pësuar humbjen e parë në karrierë, pas 16 fitoreve.