LAJMI I FUNDIT:

Vushtrria do të këndellet

Vushtrria do të këndellet

Klubi i futbollit Vushtrria e kaloi një vjeshtë të zbehtë, duke përfunduar në pozitën e parafundit, me 17 pikë nga 17 paraqitje.

Kjo bëri që në fund të pjesës së parë të sezonit, trajneri Bekim Shotani të japë dorëheqje. Bardhekaltrit ishin organizuar mjaft mirë para fillimit të sezonit, duke u bërë me kryesi dhe pronarë të rinj, duke sjellë madje edhe lojtarë të huaj.

Por, kjo nuk iu mjaftoi, pasi në vjeshtë ishin katastrofë. Megjithatë, kryetari i klubit, Agron Selimi, me bashkëpunëtorë, janë duke punuar që ta ndërtojnë një ekip më të fuqishëm, në mënyrë që vushtrriasit në pranverë të kishin pamje tjetër.

“Ne po shikojmë prej më të mirës. Do të bëjmë përforcime, edhe pse nuk është e lehtë, pasi lojtarët kanë kontrata deri në qershor. Do t’i mbajmë vetëm dy lojtarë të huaj, që i kishim në vjeshtë, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të sjellim edhe lojtarë të tjerë të huaj, edhe pse po janë të kushtueshëm”, u shpreh Selimi për “Zërin”.


Ai insiston se vushtrriasit do të mundohen që ta mbyllin sezonin e plotë me sa më shumë pikë të grumbulluara.

“Përpos Feronikelit, asnjë ekip nuk e ka vendin e sigurt në ligë. Superliga është mjaft e baraspeshuar, s’ka dallim të madh në mes të ekipeve, janë në të njëjtin nivel. Ne do të mundohemi të shkojmë në mesin e pesë skuadrave të para në Superligë”, vazhdoi ai. Përpos këtij objektivi, vushtrriasit do të mundohen ta ngrenë një tjetër trofe në fund të sezonit. “Gjithashtu, e kemi objektiv edhe Kupën e Kosovës”, përfundoi Selimi.