LAJMI I FUNDIT:

Feronikeli zbulon opsionet për pasardhësin e Sejdiut

Feronikeli zbulon opsionet për pasardhësin e Sejdiut

Trajneri Gani Sejdiu pak orë më parë mori një vendim të papritur duke dhënë dorëheqje nga posti i shtabit teknik në skuadrën e Feronikelit, edhe pse me këtë ekip doli kampion vjeshtor, ndërkohë që në edicionin e kaluar i fitoi të gjithë titujt e mundshëm në futbollin e Kosovës.

Kryesia e Feronikelit, ia ka miratuar dorëheqjen ‘timonierit’ nga Mitrovica. “Ne si kryesi e falënderojmë shumë për punën që e ka bërë deri më tash. Ka qenë dhe besoj se do të mbetet trajneri më i suksesshëm deri më tani në histori të klubit. Ka qenë zgjedhje e tij dhe ne e respektojmë”, ka thënë drejtori i Feronikelit, Artan Berisha për gazetaolle.com.

Ai ka folur edhe për pasardhësin e Sejdiut. “Ende nuk kemi biseduar me askënd. Besoj se brenda javës do të bisedojmë me ndokënd”.

I pyetur nëse mund të jetë Afrim Tovërlani apo dikush tjetër, pasardhës i Sejdiut, Berisha deklaroi: “Mendoj se ata trajner që janë të lirë, mund të jenë në opsion. Ramiz Krasniqi, Afrim Tovërlani, ndoshta edhe Arsim Thaçi”.