LAJMI I FUNDIT:

Muriqi në Kombëtaren turke, Jupi nuk di gjë

Muriqi në Kombëtaren turke, Jupi nuk di gjë

Turqia na “rrëmben” një talent. Vedat Muriqi, ish-sulmuesi i Lirisë, Teutës, Besës, që prej dy vitesh është pjesë e klubit turk, Giresunspor, ka vendosur të ndërrojë Kombëtare duke zgjedhur Turqinë.

Sulmuesi 21-vjeçar ka deklaruar dje se trajneri i U- 21, Abdullah Erkan, do ta grumbullojë në ndeshjet e muajit mars. Lajmin e ka konfirmuar vet Muriqi për ‘Tribuna Channel’.

Trajneri i Kombëtares U- 21 të Shqipërisë, Redi Jupi, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, sqaroi se sulmuesi nuk e ka njoftuar FSHF-në për këtë vendim.


“Muriqi është një futbollist që, deri pak kohë më parë, ka qenë pjesë e U-21. Nuk mund të them tani nëse do ta kem lojtarin në plan për ndeshjet që do të luhen në muajin mars të vitit 2016. Mund të jetë, por edhe mund të mos jetë:.

“Në këtë moment nuk ka asgjë të përfunduar, por sigurisht lojtari mund të zgjedhë kush është më e mira për atë. Situatën e vlerëson ai vetë, por nuk ka kontaktuar me mua personalisht apo FSHF-në në lidhje me këtë vendim që mund të ketë marrë. Jam i prirë për të mos e besuar”, deklaroi trajneri Jupi.