LAJMI I FUNDIT:

Ngadalësohet biznesi në Eurozonë

Ngadalësohet biznesi në Eurozonë

Aktiviteti i biznesit në Eurozonë u zgjerua me një hap më të ngadaltë krahasuar me parashikimet e analistëve gjatë Shtatorit, pasi firmat ulën çmimet për të 30-in muaj me radhë.
Këto të dhëna kanë zbehur edhe optimizmin e Bankës Qendrore Europiane, që po përpiqet të mbështesë rritjen ekonomike dhe të rigjallërojë inflacionin, që gjendet shumë larg objektivit afatmesëm të bankës. Indeksi PMI i Markit, që bazohet në vëzhgimin e mijëra kompanive në rajon dhe shihet si një tregues i rëndësishëm i rritjes, ra në nivelin më të ulët në 9 muajt e fundit në 52.3 pikë.
Analistët e anketuar nga Reuters parashikonin se ky indeks do të qëndronte i pandrushuar në 52.5 pikë. Megjithatë, ky tregues po qendron përmbi 50 pikë që ndan rritje nga kontraktimi. Market deklaroi se vëzhgimi më i fundit sugjeron se ekonomia e Eurozonës mund të rritet me 0.3 për qind në tremujorin e tretë të vitit.
“Banka Qendrore Europiane do të zhgënjehet. Ky institucion po përballet me një betejë të vështirë dhe të dhënat sugjerojnë se ajo çka banka ka bërë deri më tani nuk është e mjaftueshme”, deklaroi Chris Williamson, shef i ekonomistëve të Markit.
Më herët gjatë këtij muaji, Banka Qendrore Europiane surprizoi tregjet duke ulur sërish normat e interesit dhe njoftoi programin e blerjes së aseteve të kompanive private. /Telegrafi/