LAJMI I FUNDIT:

Mbi 10 milionë euro për zyrat shtetërore

Mbi 10 milionë euro për zyrat shtetërore

Buxheti i varfër i Kosovës do të shpenzojë plotë 10 milionë e 136 mijë euro për materiale për zyrë. E, për këto blerje pothuajse asnjë nga institucionet e vendit nuk furnizohen me çmim të njëjtë me letër për fotokopje edhe në rastet kur furnizohen nga një operator i njëjtë.
Sipas një analize që ka bërë Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) të cilën e ka siguruar Gazeta Tribuna, çmimi i blerjes së një pakete prej 500 fletëve për fotokopje të formatit A4, nga institucionet e vendit ka diferencë të madhe dhe ajo sillet nga 1,90 deri në 3,99 euro.

Sipas të njëjtës analizë në rast se furnizimi me letër për fotokopje do të behej përmes tenderit të centralizuar përmes kësaj agjencie ato të bliheshin 2.65 euro për paketë. Qeveria e Kosovës këtë muaj ka marrë vendim që këto produkte së bashku me disa tjera nga sivjet pritet të blihen përmes një tenderi të centralizuar nga AQP

Sipas AQP-së institucionet e Kosovës sivjet pritet të shpenzojnë miliona euro për këto blerje. “Vlera e kontratës vjetore e vlerësuar për Materiale për Zyrë të 127 Autoritetet Kontraktuese është 10,136,842.69 euro. Totali i kursimeve te mundshme për tri vite duke llogaritur shkallen prej 9.56% të vlerës se parashikuar do te jetë ne vlerë prej 969,882,00 euro” thuhet në listën e produkteve të përbashkëta të AQP-së.


AQP përmes kësaj analize ka sqaruar jetëgjatësinë e secilit material për zyre të cilat sipas tyre duhet të ndërrohen. “Duke supozuar se një mjedis i punës me pajisje të TI për zyre (tavoline) në sektorin publik të Kosovës zakonisht përbëhet nga një Kompjuter Personal (300 Euro), një laser printer (150 euro) dhe një monitor (150 euro) ( të gjitha së bashku kapin një vlere prej 600 euro) me një përdorim të letrës A4 për printer rreth 2000 kopje për printim në muaj, kurse parashikimi i përafërt i totalit të përgjithshëm i harxhimit të letrës në sektorin publik të Kosovës shkon deri mbi 553,334,516.13 faqe, numri i llogaritur i konfigurimeve të kompjuterëve për tavolinë janë 20,000.00. Me një llogaritje 4 vjeçare që është edhe jetëgjatësia mesatare e pajisjeve harduerike të TI-së, atëherë kërkesa vjetore për zëvendësim të konfigurimeve do të jetë 5,000.00 konfigurime me një vlerë vjetore të kontratës të llogaritur në shumën prej 3,000,000.00 Euro”, thuhet në listën e produkteve të përbashkëta të AQP-së.

Shoqëria civile vlerëson se zhvillimi i procedurave të prokurimit përmes Agjencisë Qendrore të Prokurimit për mallra apo shërbime të përdorimit të përbashkët është paraparë edhe me Ligjin për Prokurim Publik

Në anën tjetër, Isuf Zejna nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Gazetën Tribuna, se kanë identifikuar probleme në tenderët të cilët lidhen me materiale për furnizim të zyrave. “Problemi i parë janë çmimet e larta. Zakonisht institucionet blejnë këto artikuj me çmime të larta. Kjo është e mundur për shkak të çmimeve për njësi, ku bizneset vendosin çmime të shtrenjta në materialet të cilat shpenzohet shume, dhe në anën tjetër vendosin çmime shumë të ulëta në materialet të cilat shpenzohen më rrallë”, ka thënë Zejna.

Sipas tij, kjo është një formë e manipulimit me tender e cila mund të parandalohet përmes hartimit të dosjes së tenderit dhe paramasave në formë më profesionale. “Problemi i dytë është mungesa e listës së çmimeve referent. Kjo liste deri vonë nuk ka ekzistuar. Tashmë KRPP e ka hartuar një listë të tillë, por ajo nuk është obligative”, ka thënë Zejna.

Ai ka sqaruar se në këtë çështje së fundmi ka ndërhyrë AQP e cila ka përfshirë në kuadër të listës së prokurimit të përbashkët këtë tender, mirëpo sipas tij, asgjë nuk garanton se ky institucion do të marr çmime më të mira sesa vetë autoritetet kontraktuese.

“Ne na mbetet të përcjellim punën dhe performancën e AQP-së të cilët vetëm këtë vit i është mundësuar që të operoj në kuptimin e plotë, pasi që së fundmi është aprovuar nga Qeveria e Kosovës, lista e artikujve të përbashkët për prokurim”, ka thënë Zejna. /Gazeta Tribuna/Telegrafi/