LAJMI I FUNDIT:

Ekonomia e “zezë” mbi një miliard euro

Ekonomia e “zezë” mbi një miliard euro

Luftimi i ekonomisë joformale, i cili në Kosovë ka marrë përmasa të mëdha, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, nuk do të mund të luftohet nëse nuk ka sundim të rendit dhe ligjit. Hulumtimet e bëra nga organizatat financiare ndërkombëtare dhe ato vendore, tregojnë se ekonomia joformale në Kosovë dëmton buxhetin e vendit për rreth një miliardë euro në vit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se ky nivel i lartë i ekonomisë joformale ndikon negativisht jo vetëm në ekonominë e vendit, por edhe në funksionimin e institucioneve të saj. “Nëse thuhet se informalitet ka pasur para një viti apo dy, në më tepër se 1 miliardë euro, atëherë është një përqindje e madhe e asaj që kishte mundur të jetë në buxhetin e Kosovës”.

“Mbi të gjitha, problemi është se përveç kësaj forme të informalitetit e cila është e drejtpërdrejtë, duhet të analizohen pasojat tjera negative zinxhirore të informalitetit, në rend të parë nuk ka barazi në treg, në rend të dytë favorizohen më tepër kompanitë që janë pjesë e këtij procesi sesa ato që kryejnë obligimet”, shton Geraxhliu


Niveli i lartë i ekonomisë joformale dhe krimit ekonomik në Kosovë, kishte zënë vend gati në të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare.

Në këto raporte ishte theksuar se përveç deklaratave publike për luftimin e krimit ekonomik dhe financiar, ekzekutivi i vendit nuk kishte treguar vullnet dhe gatishmëri të duhur për luftimin e këtyre dukurive.

Lufta kundër ekonomisë joformale është pjesë e obligimeve që duhet të kryej Kosova për t’ia hapur vetës rrugët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Gërxhaliu thekson se emëruesi i përbashkët për zgjidhjen e probleme që vinë deri tek informaliteti është sundimi i rendit dhe ligjit. “Derisa nuk do të ketë sundim të rendit dhe ligjit, ne do të flasim për informalitet, por do të jetë shumë vështirë që të luftohet dhe këtë duhet ta shtrijmë në një rrafsh krejt tjetër. Nuk mund të ketë qasje selektive në luftën kundër infomalitetit dhe ekonomisë së kriminalizuar. Ligji duhet të vlejë për të gjithë, dhe tek atëherë kur kemi një gjithë përfshirje dhe e marrim me seriozitet këtë sfidë atëherë do të ketë rezultate pozitive”, vlerëson Gërxhaliu.

Autoritetet e Kosovës vazhdimisht kanë theksuar se janë duke punuar që të krijojnë një barazi në treg duke luftuar ekonominë e paligjshme.

Në zbutjen e ekonomisë së paligjshme në Kosovë, një rol të rëndësishëm kanë edhe Doganat e Kosovës.

Zëdhënësi i këtij mekanizimi, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se në tre mujorin e parë të këtij viti kanë shënuar rritje të të hyrave, gjë që siç thekson ai, tregon se ekonomia e paligjshme në Kosovë ka shënuar rënie. “Ne rrisim nivelin e të hyrave gati çdo vit. Rritja e të hyrave krahasuar tre mujorin e parë të këtij viti me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është për 2 për qind. Kjo tregon se informaliteti në Kosovë ka shënuar rënie”, shton Stavileci.

Qeveria e Kosovës që nga viti 2012, ka vendosur në prioritetet e politikave të saj, parandalimin e ekonomisë joformale.

Në atë kohë, ishte themeluar edhe Task-Forca e përbërë nga Policia, Doganat dhe Administrata Tatimore, që kishte për qëllim ashpërsimin e masave ndaj atyre që dëmtojnë shtetin, përmes fshehjes së tatimeve dhe evazionit fiskal. /Rel/Telegrafi/