LAJMI I FUNDIT:

Romantiku Behgjet Pacolli: Ja pse u ndamë me Ana Oxën

Romantiku Behgjet Pacolli: Ja pse u ndamë me Ana Oxën

Një kapitull të rëndësishëm në jetën e biznesmenit dhe politikanit kosovar, Behgjet Pacolli, zënë edhe gratë.

Ai thotë se ka disa fëmijë nga lidhje pasionante me gra të ndryshme, por veçon lidhjen zyrtare me këngëtaren italiane, me origjinë shqiptare, Ana Oxa dhe më pas me gruan ruse, me të cilën jeton dhe ka dy fëmijë.

Në librin e tij autobiografik “Nga sfida në sfidë, jeta Behgjet Pacolli”, ai tregon se si ndikoi familja e saj, që Ana Oxa të ndahej prej tij, edhe pse ishin një çift i mrekullueshëm dhe në harmoni. behgjet pacolli Sot unë mund të them se ajo ra viktimë pikërisht e familjes së saj. Ajo, në këtë rreth të vetin familjar që e mbante me vete, kishte edhe dy motra të pamartuara dhe një tjetër të martuar. Megjithëqë ajo kujdesej për to në mënyrën më të mirë të mundshme, unë hetoja se ato kishin një lloj xhelozie ndaj saj.


Ishin motra, por megjithatë, herë pas here shpërthente ndonjë gjest ose veprim i tyre, që nuk ishte krejtësisht i sinqertë dhe pa prapavijë. Por Ana ishte shumë shpirtgjerë dhe i tejkalonte këto imtësi pa ua vënë veshin. Ndarja ndodhi befas. Ndodhi me një shpejtësi marramendëse, gati të pabesueshme. Ishte 27 maji i vitit 2001.

Ana atë ditë duhej të udhëtonte për në Kroaci, sepse në “Arenën” e Pulës ishte aranzhuar një koncert i saj. Unë nuk mund të udhëtoja me të, pasi po atë ditë në Bolonjë kisha caktuar një takim me një mjek amerikan, sepse kisha një problem me nofullën, që më kishte mbetur që nga koha e aksidentit.

Në mëngjes u çuam dhe shoqëruam në shkollë Qazimin dhe Françeskën, fëmijët e Anës. Në kthim, u ndalëm dhe pimë kafe në një nga ato lokalet e mrekullueshme të Luganos, buzë liqenit. Folëm për gjëra të zakonshme. Më pas u kthyem në shtëpi dhe pritëm derisa të vinte shoferi i Anës, i cili atë ditë u vonua pak. Në këtë çast ra telefoni i shtëpisë. Ishte vëllai i Anës. Familjarët e Anës që jetonin larg, e dinin që unë do të shkoja në klinikë. Ishin shumë të kujdesshëm dhe për çdo gjë thërrisnin në telefon, pyesnin, interesoheshin.

Pra, ishin jashtëzakonisht korrektë. Po në këtë moment, motra e madhe e Anës, Xhemile (Gemma) e kishte emrin, kaloi nëpër kuzhinë, e kuptoi se unë isha duke folur me vëllanë e saj dhe më bëri me shenjë diçka. Unë siç isha i përqëndruar në bisedë në telefon, nuk e mora vesh se çfarë më thoshte, kështu që e mbylla telefonin. Ajo m’u afrua dhe më fyu shumë keq.

“Pse e mbylle telefonin, budalla!”, më tha ajo.

Scemo është një fjalë që italianët e përdorin shpesh, edhe kur e kanë me shaka. Por mua këtë fjalë ma tha me njëlloj nervozizmi, kështu që shfryrja e saj mbi mua kishte këtë kuptim: pse e mbylle telefonin, budalla!

Unë ia ktheva në të njëjtën masë: Budallaçkë je ti! – i thashë dhe shtova:

-Nëse je këtu për punë (ajo merrte rrogë prej meje, sepse kujdesej për fëmijët e Anës), bëj punën tënde ashtu si duhet. Në të kundërtën, në këtë shtëpi je mysafire dhe sillu si mysafire. Nëse kështu nuk të pëlqen, atëherë përjashta!

Dhe e shtyra pak, në kuptimin – ja ku e ke derën!

Por ajo, aty për aty, bëri sikur u rrëzua dhe nisi të bërtiste me zë të lartë. Ishte një inskenim i qartë. Nga britmat e saj ushtoi shtëpia.

E thirri të shoqin:

-Ndihmë, se ky më mbyti!- bërtiti.

Burri i saj gjithashtu punonte për mua, si shofer, me rrogë të mirë, bile edhe kravatat e mia ia falja.

E mbaj mend se atë ditë mbante pikërisht një nga ato kravatat që ia kisha lidhur unë, sepse ai nuk dinte t’i lidhte ato. Ai hyri në kuzhinë dhe ia nisi të bërtiste: “Si sillesh ti me gruan time kështu” e gjëra të tjera. Nuk e di si ndodhi, por, pa një pa dy, i thashë:

-Ti, dil jashtë! Lëri makinat dhe mos të t’i shoh sytë! Mos eja më kurrë!

U bë hallakamë e madhe. Dolën edhe dy motrat e tjera të Anës, edhe ato duke bërtitur. Kanë qenë aty edhe mbesat e saj. Edhe ato u ngjitën nga kati i poshtëm, duke u çjerrë. Pastaj dolën në oborr, të gjithë sa ishin, dikush duke folur me zë të lartë, dikush duke bërtitur. Si italianët e jugut! Mentalitetin e kishin të tillë. Dera e jashtme kishte qenë e hapur, kështu që njerëzit kishin filluar të mblidheshin në rrugë. Nuk dinin se çfarë po ndodhte.

Ndërkohë, që të mos dilja nga shtëpia ashtu i nervozuar, shkova në dhomën time, piva pak ujë, i freskova sytë dhe u nisa të dal. Sakaq Anën e kishin njoftuar me telefon dhe ajo u kthye nga rruga për në aeroport. Kur dola te dera, e pashë duke hyrë dhe u tërhoqa në sallon, me idenë që atje mund të sqarohemi, nëse ajo kërkonte një sqarim të tillë.

Nëse edhe ajo do t’ia niste me britma, së paku le të mos dëgjoheshim jashtë. Tani edhe Ana erdhi duke bërtitur. Nuk la gjë pa më thënë në italisht. Me fyerje, me sharje, me fjalët më të rënda. Unë u përpoqa ta qetësoja dhe të sqaroheshim pa tension.

-Prit të të shpjegoj!-, i them.

-Durim pak! Por ajo nuk ndalej.

Shkova në fund të sallonit, u mbështeta në mur dhe prita që ajo të shfryhej, pa ia kthyer asnjë fjalë. Dikur, përsëri jam përpjekur të shpjegohem.

I thashë edhe një herë: -Ndalu pak!

Ti nuk po më lë të të sqaroj se çfarë ka ndodhur!

Ajo vazhdoi me të sajën:

-Nuk ke çfarë më sqaron ti!

Dhe prapë sharje, fyerje nga ana e saj.

Atëherë i thashë:

-Mbylle! Ose më dëgjo, ose jashtë prej këtu, edhe ti menjëherë!

-Edhe unë?!, thotë ajo e habitur.

-Po, po, edhe ti! Pa e zgjatur më, e mora valixhen te dera, u futa në makinë dhe u largova, pa e kthyer kokën prapa. U nisa për në Bolonjë, atje ku e kisha caktuar terminin për kontroll mjekësor. Rrugës bisedova pak me shoferin tim, Valentinin, një djalë i shkëlqyer. Ai kishte qenë dëshmitar i krejt situatës, që nga fillimi e deri në fund. “Nuk kam parë njerëz më të pakulturuar,” më tha duke ju referuar disa prej familjarëve të Anës. “Këta nuk ishin normalë.”

Martesa me Anën, e gjithë Lugano për ne

Një ditë, Ana më thotë krejt papritmas:

-Thirre avokatin, se dua të martohemi! Unë u befasova.

Ishte hera e parë që Ana e përmendte martesën. Nuk ishte ky një trill i çastit. Ana vërtet ishte e vendosur. Bëra siç më tha ajo. Thirrëm avokatin, përgatitëm dokumentet dhe një muaj më vonë, saktësisht më 26 shtator 1999, bëmë celebrimin. Bëmë edhe një dasmë madhështore, të jashtëzakonshme, të tillë që nuk ishte parë ndonjëherë në Lugano. Thirrëm shumë njerëz nga Kosova, nga Shqipëria, nga Italia, familjarë, personalitete të njohura të kulturës dhe të artit, pastaj grupe muzikantësh, solistë, ansamble valltarësh, madje një të tillë edhe nga arbëreshët e Italisë. Për disa orë u bllokua sheshi kryesor i Luganos, për herë të parë në histori.

Asnjëherë ky shesh nuk ishte bllokuar për një ceremoni kurorëzimi. Mua ma lejuan këtë gjë. Ana ishte e lidhur së tepërmi me familjen e saj. Ata erdhën të jetonin në Lugano, madje në shtëpinë time, në katin e parë, sepse kishte hapësirë të mjaftueshme. Unë i punësova, dikë kujdestare fëmijësh (Ana kishte dy fëmijë, vajzën Françeskën dhe djalin Qazimin), dikë shofer, dikë në ndonjë punë tjetër. Nuk ishte me rëndësi sa punonin. Ana donte t’i kishte pranë vetes dhe unë ia plotësova këtë dëshirë.

Sëmundja e Anës që na lidhi bashkë

Rrethanat e njohjes me Ana Oxën, fillimisht kanë qenë të lidhura me shëndetin e saj. Ajo vuante nga boshti i kurrizit, nga një shkarje unazash, nga mjedisi, nga përmjeti, siç themi ne kosovarët. Kishte kërkuar ndihmë gjithandej, por pa dobi. Menaxheri i saj e dinte që unë udhëtoja shpesh për në Rusi, ndërkohë që asaj i kishin thënë se atje kishte mjekë të mirë. Një mjek të tillë unë e solla në Lugano. Vetë Anën atëherë nuk e njihja. Nuk kisha pasur rast ta takoja ndonjëherë.

Natyrisht, kisha dëgjuar për të. Me të sjellë nga Rusia mjekun që asaj i duhej, ajo tani vinte në shtëpinë time dhe i bënte ato masazhet dhe terapitë fizike me mjekun rus. Më pas, i solla në Lugano edhe një mjeke-natyraliste nga Tivari i Malit të Zi, e cila ishte bërë e njohur për rezultatet e mira që kishte arritur në mënjanimin e këtyre problemeve shëndetësore. Me trajtimin që i bënë këta dy mjekë, Ana e hoqi brengën se mund të kishte ndonjë defekt të lindur, siç i kishte thënë ndonjë mjek dhe siç kishte pandehur shpesh edhe ajo vetë. Në të vërtetë, nuk kishte pasur asgjë, një ishijas të zakonshëm, i cili ishte dashur të shërohej me një gjimnastikë të lehtë intensive. Dhe, kështu filloi lidhja jonë, gati si papandehur, pa sforcime e teprime.

Në fillim të viteve ’90 ajo tërhiqet për pak kohë nga jeta publike. Më vonë filloi të udhëhiqte një emision në RAI, ndërkohë që ne bashkëjetuam për një kohë të gjatë në Monza të Milanos. Gjatë atyre viteve bëmë një jetë shumë intensive. Kemi vizituar shumë qytete dhe shtete. Nuk kemi lënë gjë pa provuar. Shumë herë na ka ndodhur të kthehemi në shtëpi nga ora një ose dy e natës dhe pastaj, thoshim, hajt të shkojmë të hamë nga një kifle me kapuçino në Londër. Thirrnim pilotët, përgatisnim avionin tim dhe shkonim në Londër, në kafenenë tonë të preferuar. Kështu kemi jetuar. Kemi udhëtuar shumë, nga një cep i botës në tjetrin, në Moskë, nëpër Kinë, në Hong-Kong, në Meksikë, në Venezuelë, në Havanë te Fidel Kastro, gjithkund.

Unë, gjithashtu, e ndiqja nëpër koncerte, kurse ajo ndonjëherë më shoqëronte edhe në udhëtimet e punës. Më 1996 e solla Anën edhe në Kosovë. Por gjërat nuk shkuan siç e kishim menduar. Për shkak të mjegullës, nuk na lanë të ateronim në aeroportin e Prishtinës, por na çuan në aeroportin e Nishit. U nisëm me makinë drejt Prishtinës dhe, diku afër Podujevës, na ndali në postbllok policia serbe. Ana u xhindos. Nuk la gjë pa u thënë policëve, ndërsa unë mundohesha ta qetësoja, sepse kisha frikë mos ndodhte diçka e keqe. Pastaj bashkë me Anën shkuam në vende të ndryshme.

“Sqarimi që i dhashë Anës dhe ndarja zyrtare

Kur jam kthyer në Lugano dhe e kam parë shtëpinë e paprekur, se Ana kishte marrë vetëm gjërat personale dhe asgjë tjetër, unë mund ta thirrja e t’i thosha të kthehej. Ajo kishte lënë edhe kartat e mia të kreditit dhe çdo gjë tjetër. Pra, ishte treguar shumë e kujdesshme dhe fisnike. Dhe unë e dija se, po t’i thosha të kthehej, ajo do ta bënte këtë. Mirëpo, edhe për mua tani ishte vonë. Edhe unë tashmë e kisha vendosur dhe nuk kishte kthim prapa. Kjo situatë u përsërit edhe në tetor, përpara gjykatësit, i cili kishte marrë në shqyrtim divorcin tonë. Ai na e bëri të ditur se nuk ishte një konflikt i patejkalueshëm dhe tha:

-Me sa shoh unë, ju që tani mund të ngriheni dhe ta përqafoni njëritjetrin. Edhe përkundër asaj që ka ndodhur mes jush, ju dukeni një çift shembullor.

-Jo, -thashë unë. -Ka marrë fund kjo punë.

-Epo, -tha Ana, -meqë për të paska marrë fund, edhe për mua ka marrë fund.

Pas nënshkrimit të aktit të divorcit, i thashë Anës:

-A jemi tani të shkurorëzuar? -Po,- përgjigjet ajo.

-Eja tani të pimë një kafe dhe ta sqarojmë se ku ngeci puna jonë. Zbritëm në bar, u ulëm në kënd dhe porositëm kafe. Ana nuk ishte e qetë. Shihej një tension në mënyrën e saj të sjelljes. Unë e njihja mirë dhe e shihja se aktin e divorcit e kishte përjetuar rëndë. As unë nuk isha indiferent, por mbahesha, gjithsesi më mirë se ajo. A të kam thënë,- i thashë Anës, ndërsa u ulëm përballë njëri- tjetrit, -se mund të vijë një çast, kur gjërat mund të marrin rrugë të këtillë, pikërisht siç morën… ?

-Po, por ti…,- ndërhyri ajo.

Prit, i thashë.

-Tani jemi të ndarë. Së paku tani mund të bëhesh e duruar dhe të më dëgjosh.

A kemi pasur një jetë të bukur? Po. A të kam thënë se, kur të vijë deri te fyerjet dhe sharjet, më mirë është që secili të shkojë rrugës së vet…?

-Po… Dhe pastaj ia shpjegova fill e për pe si kishte ndodhur ngjarja, pa shtuar dhe pa munguar asgjë. I tregova si kishte vepruar motra e saj, si kishte ndodhur krejt incidenti. Fytyra e saj mori një përskuqje të lehtë dhe nga sytë filluan t’i rridhnin lotët. Unë vazhdova shpjegimet e mia, kurse ajo vazhdonte të qante, ashtu në heshtje, pa dënesje, sikur lotët i rridhnin vetvetiu. Nuk i fshinte fare. Lotët i shkonin rrëke, i piknin mbi tryezë. Kurrë nuk kisha parë një grua të qante me aq shumë lot, si shiu. Dikur u kthye dhe më tha:

-Vetëm një gjë nuk ta fal kurrë. Që ti ike dhe nuk patëm rastin të bisedojmë.

Në këtë moment edhe unë u preka dhe mund të them lirisht se Ana ka qenë një zonjë në kuptimin e plotë të fjalës. Edhe në momentin e fundit. Gjithmonë dëshiroj të dëgjoj mirë për të. Kaq. U përshëndetëm, tani si miq, dhe secili shkuam rrugës së vet.

Në trend Magazina

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Magazina
Shyhrete Behluli shënon 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore

Shyhrete Behluli shënon 50-vjetorin e karrierës së saj muzikore

Magazina
Bebe Rexha bëhet zyrtarisht aksionare në gjigantin e pijeve alkoolike

Bebe Rexha bëhet zyrtarisht aksionare në gjigantin e pijeve alkoolike "Provocativo"

Magazina
Driloni në taka, merr “propozimin” nga Edi te këndi i Etna Group në Big Brother VIP Kosova

Driloni në taka, merr “propozimin” nga Edi te këndi i Etna Group në Big Brother VIP Kosova

Magazina
Ronaldo pret në intervistë YouTuber-in e famshëm MrBeast, e pyet se a frikohet që futbollisti do t'ia kalojë me shikueshmëri

Ronaldo pret në intervistë YouTuber-in e famshëm MrBeast, e pyet se a frikohet që futbollisti do t'ia kalojë me shikueshmëri

Magazina
Kalo në kategori