LAJMI I FUNDIT:

Kalenderi, fitues i garës në Kullë

Kalenderi, fitues i garës në Kullë

Në kujtim të ish-garuesit Visar Hysenaj, në Kullë u zhvillua gara e radhës e disiplinës malore në Kampionatin e Kosovës n në automobilizëm. Në një organizim të shkëlqyeshëm të FASK-ut në bashkëpunim me AK Peja dhe familjen Hysenaj, gara e kësaj fundjave ka kaluar pa as më të voglin incident, ndërsa rezultatet kanë qenë përafërsisht ato që priteshin.

Lufta kryesore po zhvillohet në kategorinë e pestë ndërmjet Valdet Krasniqit të Prishtina RT dhe Liridon Kalenderit nga Prizreni D&G. Në Kullë triumfoi Kalenderi, duke e bërë edhe më të paqartë dilemën se cili do të jetë më i miri në fund të kampionatit. Ndërkaq, në kategoritë tjera nuk ka pasur befasi, pasi Bekim Kovaçi, Përparim Dushi, Arbnor Musliu dhe Liridon Canolli kanë vazhduar sukseset në kategoritë përkatëse.

Me rastin e ceremonisë në shpalljen e më të mirëve, nënkryetari i FASK-ut, Agron Dida e ka lexuar një letër mjaft prekëse për të ndjerin Hysenaj, për të cilin u tha se ka dhënë kontribut të çmuar në automobilizmin kosovar, derisa rikthimi i garuesve në Kullë, ku nuk kishin qenë që nga viti 2007 ka qenë ëndrra e tij.


I kënaqur me atë që ndodhi gjatë dy ditëve të fundjavës në Kullë u shpreh edhe drejtori i Drejtoratit për Sport në Komunën e Pejës, Engelbert Zefaj. “Bëhet fjalë për një aktivitet me vlerë të madhe në aspektin sportiv. E përgëzoj FASK-un për rikthimin e kësaj gare në kalendarin e saj, ndërsa jam i lumtur që gjithçka kaloi në mënyrën më të mirë. Sigurisht që ky është edhe një atraksion për qytetarët e Pejës për t’i motivuar ata, që përveç sporteve tradicionale të përcjellin edhe automobilizmin”, ka thënë Zefaj, i cili e ka falënderuar edhe familjen Hysenaj për kontributin e dhënë.

Gara e radhës në Kampionatin e Kosovës do të zhvillohet në Zym.

Kategoria e parë:

  1. Bekim Kovaçi (Yugo – Prizreni D&G) 8:16.161
  2. Afrim Spahi (Yugo – Prizreni D&G) +10.319
  3. Shpëtim Jashari (Renault – Ferizaj) +46.279

Kategoria e dytë:

  1. Korab Bajraktari (Peugeot – Ferizaj) 8:00.230
  2. Alban Prishtina (Suzuki – Prizreni D&G) +03.089
  3. Besnik Çitaku (Opel Corsa – Prishtina RCP) +05.039

Kategoria e tretë:

  1. Përparim Dushi (Honda – Prishtina RT) 7:19.416
  2. Bujar Gola (Yugo – Gjakova 137) +27.168
  3. Ylber Rrahmani (Honda – Ferizaj) +41.971

Kategoria e katërt:

  1. Arbnor Musliu (Opel Astra – Prishtina RCP) 7:27.182
  2. Rexhep Bytyqi (Peugeot – Ferizaj) +34.801
  3. Leonit Thaqi (Seat Ibiza – Gjakova 137) +35.009

Kategoria e pestë:

  1. Liridon Kalenderi (Audi – Prizreni D&G) 6:59.316
  2. Valdet Krasniqi (Lancia – Prishtina RT) +02.214
  3. Naim Dashaj (Subaru – Prishtina RT) +19.397

Kategoria e gjashtë:

  1. Bardhyl Canolli (BMW – Prishtina RT) 7:26.712
  2. Faton Rama (Peugeot – Prishtina RT) +10.974
  3. Milot Vuçitërna (Golf – Rahoveci) +19.598

Plasmani i përgjithshëm:

  1. Liridon Kalenderi (Audi – Prizreni D&G) 6:59.316
  2. Valdet Krasniqi (Lancia – Prishtina RT) +02.214
  3. Naim Dashaj (Subaru – Prishtina RT) +19.397

/Telegrafi/