LAJMI I FUNDIT:

Dëmet që sjellin takat

Dëmet që sjellin takat

Këpucët femërore të propozuara nga moda janë të papërshtatshme për mirëmbajtjen e këmbëve. Ja se pse...

Shpesh të gjitha vajzat janë të prirura të veshin këpucët e gabuara: me këpucë të mira e të rehatshme evitohen kallot dhe për më tepër këmbët janë të mbrojtura nga gërvishtjet dhe incidentet e vogla që ndodhin gjatë ditës.

Në të gjitha situatat e tjera, kryesore është zgjedhja e këpucës së rehatshme.Ato që bëjnë më shumë gabime në këtë drejtim janë femrat, të cilat mbi gjithçka vënë pamjen estetike, duke lënë mënjanë rehatinë e këmbës.

Pikërisht për këtë, në 70% të rasteve janë femrat, më shumë sesa meshkujt, që kanë probleme me këmbët.


Taka më e përshtatshme për këmbët tona është 3-4 cm. Kjo lartësi ndihmon që pesha e trupit të mos peshojë vetëm në një vend, por të shpërndahet mes shputës dhe thembrës. Takat e larta dhe shumë të holla e shtyjnë këmbën përpara dhe e gjithë pesha bie mbi shputë, duke u shkaktuar kështu dëme të mëdha muskujve të këmbës dhe shpinës.

Dhimbja e shpinës, që mund të shfaqet kur mbahen takat e larta, i detyrohet faktit që trupi duhet të përshtatet me një ekuilibër të ri. Nëse kjo dhimbje zhduket pas disa orësh, nuk është ndonjë sinjal alarmi. Gjithsesi, takat e larta mund të shkaktojnë probleme edhe në shtyllën kurrizore. Kjo lloj këpuce duhet të vishet vetëm me raste të veçanta dhe për disa orë, duke mos e bërë një zakon të përhershëm.

Edhe balerinët me këpucët e tyre të sheshta nuk duhet t’i përdorin për një periudhë të gjatë, apo të ecin me to gjatë gjithë ditës, sepse lodhin thembrat dhe mund të shkaktojnë ënjtjen e këmbëve.

Përveç takave të larta, edhe sandalet dhe shapkat me gisht, që nga pamja e jashtme duken mjaft komode, fshehin shumë gjëra. Këto lloj sandalesh dhe shapkash mund të përdoren nëpër pishina, ose plazhe. Përdorimi i tyre në qytet dhe ecja me orë të tëra duhen shmangur medoemos.

Ortopedët amerikanë theksojnë se kjo lloj sandaleje nuk është e përshtatshme për këmbën gjatë ditës. Zakonisht këto lloj sandalesh dhe shapkash janë të përbëra me materiale jo cilësore dhe mund të shkaktojnë dhimbje kyçesh, thembrash dhe ënjtje mes gishtave të këmbës. Më të papërshtatshme janë ato plastiket. Mes gishtit të parë dhe të dytë të këmbës ka arterie dhe muskuj nervorë që mund të dëmtohen nga këto lloj shapkash, apo sandalesh dhe kryesorja nuk i mbrojnë këmbët.

Shapka

Defektet. Edhe pse janë shumë të lehta, shollat nuk janë të përshtatshme për harkun e këmbës.
Probleme: Ënjtje këmbësh, lodhje të thembrave.
Kujdesi: Nuk duhet t’i vishni për rrugë të gjata, apo periudha të zgjatura. Duhet të zgjidhni modelet me taban të butë. Të keni gjithmonë parasysh që sholla të mos jetë shumë e përkulshme.

Sandale me gisht

Defektet: Mungesë mbështetjeje për këmbën, mungesë mbrojtjeje.
Problemet: Irritim mes gishtit të parë dhe të dytë, lodhje dhe ndrydhje.
Kujdesi: Duhet të shmangni materialet plastike. Nuk duhet të vishni sandale apo shapka me një gisht, nëse udhëtoni për orë të tëra.

Këpucë baleti

Defektet: Mungesa e takave i lodh më tepër thembrat; materialet me të cilat përbëhen mund t’i dëmtojnë këmbët.
Problemet: Lodhje, ënjtje të thembrave, ashpërsim.
Kujdesi: Nëse shapka fërkohet pas këmbëve, duhen përdorur medoemos antikallo; nuk duhet të vishen në rrugë të gjata.

Takat e larta

Defektet: Nëse lartësia e takës e kalon 5 cm, këmbët sforcohen, bariqendra e trupit spostohet përpara.
Problemet: Dhimbje të këmbëve dhe shpinës, ndrydhje.
Kujdesi: Duhet të përdorni sandale me takë 3-4 cm; nëse sandalja fërkohet pas këmbës, përdorni antikallot e duhura; sandalet me taka të larta mos i vishni çdo ditë; përdorimi maksimal duhet të jetë 2-3 orë.

Sandale ortopedike
Defektet: Bariqendra e trupit spostohet përpara. Shpesh sholla e ul ndjeshmërinë e këmbës në lidhje me terrenin.
Problemet: Dhimbje shpine dhe kyçesh, ndrydhje, dhimbje dhe ashpërsim të tabanit të këmbëve.
Kujdesi: Nuk duhen veshur çdo ditë, përdorini 2-3 orë; evitojini shollat plastike, pasi nuk janë në gjendje të ndiejnë goditjet.
Çekuilibri: Takat e larta, përveç problemit të deformimit, mund t’u shkaktojë dëme muskujve dhe tendinave. Nëse përdorni këpucë të rehatshme, pesha e trupit përhapet në të gjithë këmbën, pa sforcuar pjesë të ndryshme. /Telegrafi/