Burimi: Queensland Centre for Schizophrenia Research, Australi
Shqyrtim
Ky shqyrtim selektiv në mjekimin e skizofrenisë, paraqet dy çështje të rëndësishme. E para, barnat e reja antipsikotike e kanë përmirësuar jetën e njerëzve me skizofreni. Ky rishikim nënvizon disa çështje praktike rreth përdorimit të këtyre barnave. E dyta, të dhënat sugjerojnë se nxitja në identifikimin dhe mjekimin e personave me psikoza (përfshirë skizofreninë dhe psikozat afektive) përmirësojnë rezultatet klinike.
Metodat
Në këtë shqyrtim janë mbledhur të dhënat nga praktika klinike dhe këshillat e publikuara tre vitet e fundit rreth menaxhimit të skizofrenisë.
Ç’është skizofrenia?
Çrregullimet skizofrenike janë grup sëmundjesh të karakterizuara me kombinime të ndryshme të simptomave neuropsikiatrike. Klasifikimet diagnostiko-moderne përfshijnë gjithashtu kriterin e lidhur me kohëzgjatjen e simptomave, dobësimet në funksionim dhe mungesën e ndonjë sëmundje neurologjike. Problemet me vëmendjen dhe kujtesën mund të jenë të spikatura te psikozat, p.sh. disa pacientë kanë vështirësi me detyrat që kërkojnë fleksibilitet dhe planifikim. Të ashtuquajturat simptomat pozitive të skizofrenisë, përfshijnë halucinacionet, delucionet dhe komunikimin e dezorganizuar. Të ashtuquajturat simptoma negative të skizofrenisë janë afekti i vonuar dhe motivimi i dobët.
Natyra e lezioneve neurobiologjike ose disfunksioneve që e shkaktojnë skizofreninë, është e panjohur dhe do të mbetet e tillë derisa përparimi i shkencave neurologjike të jetë mjaft i madh. Nuk ka markerë biologjikë për skizofreninë.
A ndryshojnë diçka antipsikotikët e rinj?
Megjithëse shumica e individëve me psikoza paraqesin një reduktim mesatar ose të tërësishëm të simptomave pozitive pas terapisë me antipsikotikë, 30% e pacientëve nuk kanë ndonjë ndryshim. Ndërsa ndaj simptomave negative të skizofrenisë barnat antispikotike akoma më pak reagojnë. Nëse një individ është njëherë në përmirësim, antispikotikët e zvogëlojnë riskun nga përsëritja.
Kufizimi kryesor nga përdorimi i antipsikotikëve tradicional erdhi për shkak të efekteve anësore të tyre. Në veçanti, pacientët me skizofreni është dashur të tolerojnë parkinsonizmin, akatizinë, distoninë akute dhe diskinezinë e ngadalshme, sëmundje këto që ishin pasojë e efekteve anësore të barnave.
Barna të reja antipsikotike janë prodhuar kohët e fundit. Nga këto, në disponim në shumicën e vendeve janë: resperidone, olanzepine dhe clozapine. Këto barna ndonjëherë emërtohen si antipsikotikë atipikë. Ekzistojnë shumë fakte që evidentojnë efektivitetin e barnave të reja antipsikotike në mjekimin e simptomave pozitive. Të dhënat nga eksperimentet dhe eksperienca klinike gjithashtu sugjerojnë se këto antipsikotikë janë efektivë në zvogëlimin e rrezikut nga rishfaqja e sëmundjes gjatë kohës së trajtimit.
Në të kaluarën mendohej se të gjithë antipsikotikët kanë veprim të njëjtë. Përderisa një krahasim i clozapine me barnat tjera tradicionale, ka treguar se clozapine ka efekt më të madh klinik kundrejt tyre. Është vërtetuar se antipsikotikët e rinj kanë një avantazh statistik sa i përket rezultateve klinike kur krahasohen më antipsikotikët tradicional; megjithatë mbetet për t’u shikuar nëse këto dallime janë relevante në praktikën e përditshme klinike. Ekzistojnë fakte që pohojnë se pacientët nën ndikimin e antipsikotikëve të rinj kanë performansa superiore në aftësitë e tyre neurokonjitive (p.sh. në aktivitetin e memories), në raport me pacientët që përdorin antipsikotikë tradicional.
Clozapine, olanzapine dhe quetiapine kanë një rang të gjerë të afinitetit ndaj receptorëve,ndërsa të tjerët kanë karakteristika më selektive dopaminike dhe serotonergjike. Për shkak të rrezikut nga agranulocitoza, clozapine nuk duhet të jetë zgjedhja e parë e mjekimit.
Pacientët e sëmurë akut, të cilët kanë çrregullime të sjelljes, mund të refuzojnë mjekimin oral. Kështu derisa të përgatitet dhënia parenterale e antipsikotikëve të rinj, kërkohet administrimi parenteral i ndonjë antipsikotiku tradicional (p.sh. haloperidol 5-10 mg) me ndonjë benzodiazepinë për shkaqe sedacioni.
Kush duhet t’i merr antipsikotikët e rinj?
Pacientët që përjetojnë episodin e parë të skizofrenisë konsiderohen si kandidatë për t’u trajtuar me barnat e reja antipsikotike (përveç me clozepine). Mungesa e efekteve anësore të këtyre barnave mundëson që ato të jenë zgjedhja e parë në mjekimin e pacientëve me sulme të freskëta skizofrenike. Për pacientët që nuk reagojnë në antipsikotikët e rinj duhet provuar me antipsikotikët tradicional.
Tek pacientët që iu janë përgjigjur veprimit të antipsikotikëve tradicional, por që kanë efekte anësore ekstrapiramidale të vazhdueshme, duhet po ashtu të provohet trajtimi me barnat e reja. Ndërsa pacientët që nuk janë përmirësuar nga përdorimi i asnjërit nga barnat tjerë, duhet të mjekohen me clozapine.
Çka duhet ditur gjatë përshkrimit?
- Ndërrimi i antipsikotikëve
Kur i ndërrohet një pacienti terapia, është me rëndësi që të njoftohet pacienti dhe kujdestarët e tij për rrezikun si dhe për dobitë (p.sh. reduktimi i simptomave dhe efekteve anësore). Rekomandohet një fazë kaluese nga një deri dy javë, gjatë së cilës doza e barit të parë zvogëlohet (ose ndërpritet në raste të depo preparateve), ndërsa doza e barit të dytë gradualisht rritet. Përgjatë këtij mbikalimi, pacientët, klinicistët dhe kujdestarët e tyre duhet të kërkojnë shenjat e hershme të largimit të psikozës. Është po ashtu ndihmesë edhe përcaktimi i qëllimeve të mjekimit (siç është zvogëlimi i ashpërsisë dhe numrit të simptomave ose pakësimi i efekteve anësore) që ndikon në marrjen e vendimit nëse duhet vazhduar.
Për të zvogëluar ashpërsinë dhe numrin e efekteve anësore, është me rëndësi që me barnat e reja të fillohet në doza të ulëta e pastaj gradualisht të rriten. Bari i rri duhet dhënë në dozën sa më të ulët të mundshme, dhe pastaj të rritet pas disa javësh, varësisht nga ndryshimi i simptomave dhe efekteve anësore. Dozat e ulëta mund të jenë adekuate për pacientët në fazat e hershme të sëmundjes dhe te pacientët shumë të rinj ose te pleqtë. Te sëmundja akute shqetësimi zakonisht zhduket pas disa ditësh, por mund të kalojnë edhe javë derisa simptomat pozitive të reagojnë në mjekim. Provat tregojnë se dhënia e dozave të mëdha të antipsikotikëve në raport me dozat e rekomanduara, e rrit e paraqitjen e efekteve anësore pa pasur ndonjë ndryshim në përmirësimin e gjendjes shëndetësore.
Përdorimi i terapisë duhet të jetë i vazhdueshëm dhe nëse është e mundur deri në fund të rangut referues. Mjekimi me ndërprerje nuk rekomandohet.
Tipare të zgjedhura të antipsikotikëve të rinj:
Clozapine (200-800 mg/ditë)
Studimi: 29 studime, 2490 participantë.
Rezultatet: Antipsikotik efektiv; Pak përsëritje; Reduktim i madh simptomash; Pacienti i kënaqur.
Efektet anësore: Sedacion; Hipersalivacion; Rritje peshe; Risk konvulsionesh; Risk nga agranulocitoza.
Komentet: Kërkohet monitorim i rregullt hematologjik i pacientëve, 31% e pacientëve me skizofreni kanë përmirësim klinik.
Risperidone (2-6 mg/ditë)
Studimi: 14 studime, 3401 participantë
Rezultatet: Antipsikotik efektiv; Përmirësim klinik; Pa efekte shtesë anësore; Më pak braktisje.
Efektet anësore: Shtim në peshë; Hiperprolaktinemia; Hipotension postural;
Komentet: Mungesë e tipareve antikolinergjike, pacientëve të cilëve u është ndërruar bari japin simptoma të ngjashme me gripin;
Olanzapine (10-20 mg/ditë)
Studimi: 14 studime, 3401 participantë
Rezultatet: Antipsikotik efektiv; Përmirësim klinik; Pa efekte shtesë anësore; Më pak braktisje;
Efektet anësore: Shtim në peshë; Hiperprolaktinemia; Hipotension postural.
Komentet: Mungesë e tipareve antikolinergjike, pacientëve të cilëve u është ndërruar bari japin simptoma të ngjashme me gripin;
Olanzapine (10-20 mg/ditë)
Studimi: 5 studime, 2911 participantë
Rezultatet: Antipsikotik efektiv; Më pak braktisje; Zvogëlim depresioni; Më pak sedacion; Më pak efekte ekstrapiramidale;
Efektet anësore: Sedacion; Rritje në peshë; Marramendje.
Komentet: Rritje e përkohshme e transaminazave, incidencë më e ulët e diskinezisë së ngadalshme krahasuar me haloperidol;
Olanzapine (10-20 mg/ditë)
Studimi: 5 studime, 2911 participantë
Rezulatet: Antipsikotik efektiv; Më pak braktisje; Zvogëlim depresioni; Më pak sedacion; Më pak efekte ekstrapiramidale;
Efektet anësore: Sedacion; Rritje në peshë; Marramendje;
Komentet: Rritje e përkohshme e transaminazave, incidencë më e ulët e diskinezisë së ngadalshme krahasuar me haloperidol;
Sertindole (12-20mg/ditë)
Studimi: Eksperimente të zgjedhura dhe të kontrolluara
Rezulatet: Antipsikotik efektiv; Më pak efekte anësore ekstrapiramidale;
Efektet anësore: Rritja e rrezikut të prolongimit të intervalit QT(1.7% e pacientëve);
Komentet: Rekomandohet EKG-monitorim, të largohet nga pacientët te të cilët prolongon QT intervalin, i kontraindikuar te pacientët me sëmundje të zemrës;
Ziprasidone (80-160mg/ditë)
Studimi: Eksperimente të zgjedhura dhe të kontrolluara
Rezulatet: Antipsikotik efektiv; Më pak efekte anësore ekstrapiramidale;
Efektet anësore: Sedacion;
Komentet: Shtimi në peshë nuk ka qenë një tipar i spikatur gjatë trajtimit me ziprasidone sikurse me clozapine, risperidone dhe olanzapine;
Quetiapine (300450mg/ditë)
Studimi: 6 eksperimente,1417 participantë
Rezulatet: Antipsikotik efektiv; Më pak efekte anësore ekstrapiramidale;
Efektet anësore: Marramendje; Tharje e gojës; Sedacion;
Komentet: Vlera të larta braktisjesh gjatë eksperimentimit kufizojnë interpretimin
Kohëzgjatja e mjekimit
Pas një apo dy vitesh të trajtimit, pacientët të cilët kanë pasur vetëm një episodë akute psikotike dhe te të cilët ka ndikuar mirë terapia, që d.m.th. se simptomat e tyre janë në emision, preferohet të provohet një kohë pa terapi me antipsikotikë. Për ata pacientë që kanë pasur dy e më shumë epizode akute, mjekimi duhet vazhduar më së paku pesë vjet; edhe pse vetë ata do të kërkojnë zgjatjen e mjekimit.
Përshkrimi i më tepër antipsikotikëve
Idealisht, barnat e reja antipsikotike duhet të përdoren vetëm. Përdorimi për një kohë të shkurtë i benzodiazepinave mund të ndihmojë pacientët e shqetësuar dhe anksioz dhe mund të jetë i dobishëm gjatë episodeve akute. Depresioni është i pranishëm te skizofrenia, me një prevalencë mbi 80%, dhe përdorimi i antidepresivëve duhet shtuar trajtimit me antipsikotikë. Pacienti depresiv duhet monitoruar për shkak të rrezikut nga vetëlëndimi. Pacientët me simptoma ekstrapiramidale, simptomat e të cilëve mbeten edhe pas përdorimit të dozave më të ulëta dhe barnave të reja, duhen trajtuar me barna antikolinergjike.
Diagnoza
Programet edukative shëndetësore mund të mësojnë opinionin e gjerë për psikozat dhe për nevojën e mjekimit të tyre. Duhet pasur një bashkëpunim ndërmjet agjencive kyçe dhe adoleshentëve për të lehtësuar ata të kuptojnë nëse kanë pasur ndonjë sulm psikotik. Në veçanti mjekët e përgjithshëm kane një rol të rëndësishëm në identifikimin e shpejtë të psikozave duke monitoruar pacientët që kanë rrezik nga paraqitja e ndonjë sulmi ose nga evoluimi i ndonjë psikoze të qartë. Tiparet e psikozës mund të përfshijnë depresionin, anksiozitetin, dyshimin, izolimin social dhe sjelljen bizare. Ata me histori familjare të psikozave ose me personalitet skizoid ose skizotipik janë në rrezik të lartë nga psikoza.
Intervenimet psiko – sociale
Trajtimi i skizofrenisë duhet të përfshijë intervenimet psikosociale si shtesë e terapisë medikamentoze. P.sh., sigurimi i edukimit për pacientët dhe kujdestarët e tyre rreth sëmundjes dhe mësimit të mënyrave praktike të ballafaqimit me sëmundjen dhe zvogëlimin e rrezikut të përsëritjes. Në cilëndo fazë të sëmundjes, klinicisti duhet të japë njohuri për sëmundjen, të ndihmojë në mbështetjen dhe rehabilitimin shoqëror dhe në përgjithësi të krijojë një aleancë ndërmjet pacientit dhe grupit mjekësor. Mjekët dhe bashkëpunëtorët shëndetësor mund të ndihmojnë pacientët me çrregullim të vazhdueshëm të vetëdijes. Po ashtu, në përmirësimin e rezultateve klinike, mund të ndihmojnë edhe intervenimet e bazuara në programet e sjelljes dhe të rehabilitimit; si edhe grupet që kujdesen për mbështetje dhe kujdes ndaj këtyre të sëmurëve.
Konkluzione
Futja në përdorim e barnave të reja antipsikotike ka lehtësuar shumë nga problemet e efekteve anësore te njerëzit me psikoza dhe ka rezultuar me përmirësimin e dukshëm të kualitetit të jetës së tyre. Shpresojmë që përdorimi i antipsikotikëve të rinj në kombinim me edukimin optimal dhe mbështetjen shoqërore, do të rrit pëlqimin rreth trajtimit dhe do të zvogëlojë mundësitë e përsëritjes. Është i domosdoshëm sajimi i mënyrave për shkurtimin e kohëzgjatjes së psikozave të pamjekuara.
Qëllimi kryesor i trajtimit duhet të jetë remisioni komplet, i menjëhershëm dhe i pandërprerë i të gjitha simptomave të psikozës te të gjithë individët e trajtuar.