LAJMI I FUNDIT:

Mos dashuro kurrë një të panjohur!

Mos dashuro kurrë një të panjohur!

Ndoshta titulli i këtij rrëfimi të vërtetë është marrë nga një libër artistik, por ngjarja e mëposhtme ka ndodhur me të vërtetë. Dy të rinj që dashurohen nëpërmjet Facebook-ut në momentin e takimit kuptojnë se janë thjesht dy të huaj për njëri-tjetrin.

Teksti: Elda Laze

Nuk do ta kisha besuar kurrë që mund të dashurohesha me një njeri, të cilin nuk e kisha takuar më parë. Mendja të bën lojëra të çuditshme, besoj se edhe një prej dashurive më të zjarrta të jetës sime ka qenë pjesë e këtyre lojërave psikologjike. Unë kam qenë ndër të parat përdoruese të Facebook-ut. Duhet të ketë qenë viti 2007, kur nëpërmjet Facebook-ut u regjistrova në një faqe ku bëheshin njohje të reja. Fillimisht përdoruesit e Facebook-ut ishin tepër korrektë në dhënien e informacionit personal. publikimin e fotove etj. Për këtë arsye nuk konsiderohej aspak e rrezikshme të njiheshe me një person në Facebook e pastaj edhe të bëheshe mik ose mike për kokë. Fillimisht shumë miqësi lidha nëpërmjet Facebook-ut, me disa prej të cilëve vazhdoj të shoqërohem ende edhe sot. Por pjesën më të madhe të friends-ave në Facebook i kam harruar fare, nuk u mbaj mend as emrat e as fytyrat. Njëri ama, do të mbetet një prej më interesantëve. Ishte dashuria ime e parë dhe besoj e fundit online. Me të u njoha nëpërmjet një faqeje të përbashkët interesash.


Ai ishte francez dhe quhej Piero. Ishte 28 vjeç dhe punonte si DJ në një klub nate në Paris. Në fakt, kishte studiuar muzikë e ishte diplomuar për piano, por duke qenë tip i hedhur preferoi më mirë të bënte DJ në klube nate sesa të ushtrohej për orë të tëra në studio, e më pas për të përfunduar një mësues i thjeshtë muzike. Këto i mësova teksa bisedonim çdo ditë në chat, e çdo ditë e më shumë bisedat me të sa vinin e shtoheshin. Në fillim nuk linim orare, thjesht futeshim në Facebook e takoheshim. Pastaj shkëmbyem edhe adresat në Skype dhe takimet tona filluan të kishin orare të përcaktuara. Madje filluam të ndryshonim edhe agjendën e punëve tona për të gjetur oraret për t’u takuar në Skype. Pasi në fillim shkëmbyem informacione zyrtare pak e nga pak filluam t’i hapnim zemrën njëri-tjetrit e t’i tregonim edhe sekrete nga më intimet. Argëtoheshim pa fund nën shoqërinë e njëri-tjetrit, koha me të ishte më e bukura e të gjithë ditës, fillova të rri në zyrë edhe pas orarit, shkoja në shtëpi në orën 10:00 të natës dhe në shtëpi thosha që kisha shumë punë. Unë isha e lirë, punoja si asistente ekzekutive në një kompani të madhe, paguhesha mirë, por nuk i duroja dot më prindërit, doja pavarësinë time dhe një të dashur që e çmonte pavarësinë po kaq sa unë. Ai dukej se më mbështeste në gjithçka që i thosha dhe pas çdo bisede dukej sikur kisha vite që e njihja. Edhe humorin e kishim njëlloj, edhe batutat po ashtu. Por pasi kishim flirtuar përgjatë katër muajve e i drejtoheshim njëri-tjetrit gjysmë me shaka e gjysmë seriozisht: "Burri im dhe gruaja ime", Pieri më tregoi se kishte njohur njërën në klub dhe kishte filluar një "open relationship". Kështu më tha, të paktën. "Ehe", – iu përgjigja unë kur mora vesh këtë informacion, por nuk hyra në Skype për dy javë. Isha bërë shumë xheloze për atë tjetrën. Më dukej tradhti e madhe që ai guxonte e ma tregonte diçka të tillë. Ndërkohë ne kishim shkëmbyer edhe numrat e telefonit ndaj pa hyrë java e tretë që nuk kisha komunikuar me të, Pieri më telefon. "Suellen, comment ça va bien !", – e dëgjoj atë theksin e bukur francez tek më shqiptonte emrin siç donte ai. Në të vërtetë, unë quhem Suela. Menjëherë gjaku më vërshoi në të gjithë trupin. Mezi arrita të formuloj gjysma frazash frëngjisht e gjysma anglisht për t’i sajuar një përgjigje. Ishte e kotë të gënjeja veten. Kisha rënë në dashuri. Kisha rënë në dashuri me një të panjohur që quhej Pier dhe ishte "in an open relationship".

"Përse nuk je futur më në Skype, të kam pritur gjithë këto ditë, – më tha. "Po pse u bëre kaq merak, nuk kishe as të dashurën tënde të të mbante me shoqëri këto ditë, – ia ktheva. Ai ose e kuptoi çfarë duhet të thoshte ose e kishte bërë vërtet, por në ato momente më dha përgjigjen e duhur. "Nuk e di ç’bëhet me të, thjesht nuk dua ta takoj më dhe ia thashë këtë gjë", – më thotë Pieri dhe më bëri vajzën më të lumtur në botë. "Suellen, – vazhdoi, – më duket se kam rënë në dashuri me ty. Dua të të takoj. Do të vij në Shqipëri". "Do të vish në Shqipëri?! Kur!. .. Hmmm, po si?!. .. Bobo unë s’kam asgjë për të veshur, dreqin duhet të kisha filluar dietën që para një muaji, po ky si i bën këto punë kështu … ". Të tilla mendime më vlonin në kokë, teksa zëri i tij vazhdonte të cicëronte biletat e avionit, linjën që do të merrte, ku do të akomodohej etj. Më në fund, as vetë s’e di sesi biseda u mbyll me këtë fjali: "OK, pra, do të shihemi për një javë".

Java e pritjes së Pierit, ka qenë një javë e mbushur me larje rrobash, shoping, dietë, parukeri, solar, prova të brendshmesh para pasqyrës… Më në fund erdhi dita e shumëpritur. Avioni i tij mbërrinte në Tiranë rreth mesditës, në mbrëmje e kishim lënë që të shkoja ta merrja në hotelin e tij. Deri nga ora 4:00 e pasdites isha e qetë. Në orën 4:30 më kapi një lloj ankthi i parapërgatitjeve. Fillova të vishem e të zhvishem derisa më në fund vendosa të vesh një fustan të zi, taka të larta dhe flokët i kapa në një topuz nga ku më binin ca fije flokësh. Isha bërë e bukur. Pastaj më kishte rënë një nur i çuditshëm. Në orën 19:00 isha gati, por me Pierin e kishim lënë në orën 20:00, ndaj prita edhe 30 minuta të tjera duke u menduar se çfarë do t’i thosha, si do ta përshëndesja, do ta puthja në buzë apo jo? Mbase puthjet kur të shkonim në restorant. Më në fund, në orën 20:00 isha para hotelit të tij. Ai po më priste në holli. Ishte i bukur, shumë i bukur. Dallohej menjëherë nga meshkujt shqiptarë, të cilët nuk i kushtojnë rëndësi pamjes së jashtme. Rashë edhe një herë në dashuri kur e pashë të më afrohej si një kavalier i vërtetë e të më ndihmonte të ulesha në kafenenë e hollit. "Sa do të rrish", – e pyeta pasi hoqëm qafe bisedat e para mbi udhëtimin, rrugën, kohën etj. "Jo më shumë se dy ditë, sepse … ", – dhe vazhdoi të më sqarojë një si lloj angazhimi që e priste me t’u kthyer.

Nuk i kushtova shumë rëndësi këtij detaji, që në fakt rezultoi se ishte fatal për lidhjen tonë fejsbukiste. Sepse në ato dy ditë nuk patëm kohë për asgjë, përveçse për t’u ndarë ende pa u njohur mirë. Për darkë duke qenë se unë e njihja mirë vendin, e çova në një restorant klasik me gatime italiane. I pëlqeu! Ia kaluam shumë mirë, por megjithëse vera na ra pak në kokë, përsëri unë isha shumë e kthjellët. Pas darke më propozoi të shkoja në dhomën e tij. Nuk pranova. Filloi të më lutej gati në bezdisje. Po më bezdiste shumë këmbëngulja e tij. Reagova keq dhe ai nuk e priti mirë reagimin tim. Nuk po kuptoheshim më. Ndoshta e kishim nga pija ose ndoshta ngaqë nuk ishim mësuar me reagime të tilla në jetën e vërtetë, por asgjë nuk ishte si në Facebook. Nuk bënim dot batuta me situatën, nuk po dinim të komunikonim. Gjatë rrugës për në hotel, të cilën e bëmë më këmbë, nuk dinim për çfarë të flisnim. Shkuam në hotelin e tij dhe fjetëm bashkë atë natë. Në fakt, unë nuk fjeta, mezi prisja agimin që të kuptoja ç’kishte ndodhur. Në mëngjes u pamë në sy dhe nuk dinim ç’të flisnim. Heshtëm! Pastaj u ndamë, secili për në rrugën e vet.

‘Nuk do ta kisha besuar kurrë që mund të dashurohesha me një njeri, të cilin nuk e kisha takuar më parë. Mendja të bën lojëra të çuditshme, besoj se edhe një prej dashurive më të zjarrta të jetës sime ka qenë pjesë e këtyre lojërave psikologjike. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Asgjë nuk ka më mirë: Recetën e Dalai Lamës për lumturinë e ka vërtetuar edhe shkenca!

Asgjë nuk ka më mirë: Recetën e Dalai Lamës për lumturinë e ka vërtetuar edhe shkenca!

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori