LAJMI I FUNDIT:

Sjellja me borxhlinjtë, filozofi në vete!

Sjellja me borxhlinjtë, filozofi në vete!

Të dhënit e një borxhi mbetet një situatë e vështirë për t’u kapërdirë. Gjendemi përpara një miku në nevojë dhe fakti se xhepi ynë na dhimbset, ndoshta më shumë se halli i mikut. Çfarë të bëjmë dhe, mbi të gjitha, a jemi të sigurt që “djersa” jonë do të na kthehet mbrapsht!

Aida Dalushi

Është fundi i muajit apo natyra e vetë njeriut, që paratë e tjetrit ndoshta i duken më ”të ëmbla” për t’u shpenzuar? Ndoshta të dyja bashkë! E në fakt, arsyet se përse na çojnë të jemi borxhlinj apo huadhënës, janë të shumta. Emëruesi i përbashkët mbetet marrëdhënia që krijohet mes atij që jep dhe merr paratë. “Nëse doni të humbni një mik, jepini atij para borxh”, thotë një shprehje, e cila del dhe tepron për të treguar se çfarë ndodh në momentin kur japim dhe marrim para borxh prej dikujt, një miku apo një familjari.

A duhet t’i themi “jo” dikujt që na kërkon një borxh? Teorikisht po nëse duam të shpëtojmë veten nga sikleti i të kërkuarit atë që na takon me të drejtë, gjithmonë nëse jemi nga ata sedërlinjtë, që skuqen edhe kur kërkojnë gjënë e tyre. Megjithatë, në praktikë, shumë pak prej nesh janë të prerë për të thënë “më vjen keq, nuk kam për vete” dhe me këtë i japin një zgjidhje të shpejtë e të vendosur kësaj çështjeje. Duhet një karakter i fortë, ndoshta i perceptuar pak si “egoist” për të qenë i tillë, pra: “Jo, më vjen keq, nuk të jap jap’!


Disa prej nesh e kanë të vështirë të qëndrojnë stoikë para dy syve gati-gati të dhimbsur, fjalëve të ndjera: “Të lutem, kam nevojë të më japësh paratë borxh, se ashtu e kam hallin”. Fillojmë të zbutemi, fillojmë e vëmë veten në pozicionin e tjetrit, fillojmë të zbrazim xhepat tanë për të mbushur ato të tjetrit dhe, pasi i kemi dhënë, fillojmë e na gërryen përbrenda afati që na është dhënë për të na i kthyer. Kështu, na ndodh që, pasi kemi zgjidhur problemin e borxhliut, të gjendemi në hall për vete.

Këshillat që mund të jepen në këtë rast, janë të shumta. Së pari, sigurohuni mirë në e njihni apo jo personin që po i jepni borxh: A është ai njeri korrekt, a ka pasur më parë “viktima”, të cilat kanë renë pre e papërgjegjshmërisë së tij?
Më pas tregohuni të prerë për afatin, duke ia bërë të ditur borxhliut tuaj se ju po i hapni vetes suaj punë për të zgjidhur hallin e tij. Ndoshta kështu ai mund të ndërgjegjësohet për kthimin. Ah! Dhe mos harroni që herë pas here t’ia kujtoni këtij personi që ju ka një borxh!

Nëse e dini veten që nuk i bëni dot të gjitha këto dhe, në të njëjtën kohë, paratë nuk është se ju bien nga qielli dhe nuk i keni problem edhe nëse i falni, atëherë përgjigjja që duhet të jepni, për të mirën tuaj, është kjo: “Më vjen keq! Nuk mundem!”. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori