LAJMI I FUNDIT:

Përkëdheljet relaksuese

Përkëdheljet relaksuese

Masazhi mund të jetë mënyra më e thjeshtë dhe më relaksuese që ju afron me foshnjën tuaj dhe i jep asaj kontaktin që e dëshiron.

Foshnjave iu pëlqen t’i mbajmë në duar, t’i përqafojmë dhe t’i ledhatojmë – edhe kanë arsye të plotë. Ndjenja e butësisë dhe relaksimit nga kontakti i drejtpërdrejtë në të vërtetë u ndihmon atyre që të çlirohen emocionalisht dhe fizikisht.

Hulumtimet kanë treguar se foshnjat të cilave u bëhet masazh 15 minutash para se të vihen në shtrat i zë gjumi shumë më shpejtë dhe flenë më gjatë se foshnjat të cilat janë përkundur. Për më tepër, komunikimi sy më sy dhe prekjet e lëkurës me lëkurë i bëjnë prindërit që të mësohen me sinjalet joverbale të porsalindurit.

Derisa përgatiteni që të bëni masazhin e parë, keni parasysh se ju dhe foshnja juaj po filloni një eksperiment të përbashkët; ajo do t’ju mësojë juve, ndërkohë që ju do ta mësoni atë. Por, mos harroni qëllimin tuaj kryesor: ta bëni foshnjën të ndjej se sa shumë e doni. Shikojeni në sy dhe flisni butë me të derisa e lëmoni lëkurën e saj, dhe fërkimi i thjeshtë do të kthehet në një moment të qetë të afërsisë. Ja disa hapa që do t’u ndihmojnë të filloni:


1. Gjejeni kohën kur foshnja juaj është në qejf dhe e relaksuar – pas dremitjes, ose në kohën e gjumit, para se ta fusni në pizhamet e saj. Pasditja e vonshme, diku rreth një orë para se fëmija të fillojë nazet e zakonshme, mund të jetë momenti ideal për këtë ndërhyrje qetësuese.

2. Shtrini disa peshqirë ose batanije të buta në shilten e ngrohtë, në dysheme ose përdorni tavolinën për ndërrimin (veshjen, zhveshjen) e foshnjës nëse ajo rehatohet më shumë aty. Do të ishte ideale që foshnja të mos ketë shpërgënj (pelenë), andaj për çdo rast mbani afër ndonjë leckë për pastrim. Derisa e zhvishni mbulojeni me ndonjë batanije për ta mbrojtur nga shkuja.

3. Zgjidheni vajin relaksues si kanola, ulliri ose çfarëdo vaji të pastër bimësh që e keni në kuzhinë ose vaj bebesh. Para se ta lyeni fëmijën, fërkojeni vajin për një kohë ndërmjet duarve tuaja derisa ta ndjeni se po ngrohet.

4. Filloni nga këmbët dhe shputat e foshnjës, duke i fërkuar butësisht me të dyja shuplakat e duarve tuaja. Foshnja juaj nuk do të brengoset që ju nuk jeni terapeut profesional, ajo thjeshtë do ta çmoj ndjesinë që i jepni. Duke e mbajtur thembrën e saj me njërën dorë, me tjetrën ledhatojeni nga kofshët në drejtim të thembrës, ngjashëm me lëvizjet e "mjeljes", pastaj fërkojani gishtat e këmbës.

5. Kur fëmija të mësohet me prekjet tuaja, atëherë vazhdoni t’i përkëdhelni gjoksin dhe barkun, duke filluar përkëdheljet anash barkut, në bark dhe për të vazhduar lart në drejtim të kraharorit.

6. Fërkojeni me shtypje të mjaftueshme dhe të sigurt shpinës ashtu që mos ta gudulisni padashje, gjë që foshnjës suaj më parë do t’i shkaktonte shqetësim se sa relaksim e kënaqësi.

/Telegrafi/