LAJMI I FUNDIT:

Pezmatimet e mishit të dhëmbëve- Gingivitet

Pezmatimet e mishit të dhëmbëve- Gingivitet

Kur procesi inflamator zhvillohet në gingivë, por jo edhe në pjesë të tjera të parodonciumit, kemi të bëjmë me inflamacion të gingivës - gingivitis. Pas kariesit, është sëmundja më e përhapur që paraqitet te fëmijët dhe të rriturit, ndërsa prevalenca e saj rritet krahas moshës.

Agim Begzati, dr. sci

Te fëmijët paraqitet qysh herët, para vitit të katërt të jetës. Prevalenca e saj gradualisht rritet deri para pubertetit, kështu që në pubertet është më e lartë.

Në moshën 14-vjeçare është më i shpeshtë te gjinia femërore, ndërsa pas kësaj moshe është e kundërta. Arsyeja qëndron se në këtë periudhë, pra, pas moshës 14-vjeçare, interesimi i femrave për mirëmbajtjen e higjienës orale është me i madh.

Sipas autorit Graf, 80% të fëmijëve nën moshën 12-vjeçare, kanë ndonjë formë të gingivitit, ndërsa prevalenca e kësaj sëmundjeje te moshat mbi 14 vjeç arrin deri në 100%. Sipas të dhënave të OBSH, më shumë se 80% të fëmijëve vuajnë nga ndonjë formë e gingivitit.

Shkaktar i gingiviteve është plaku dental. Procesi inflamator në gingivë ndodh si pasojë e veprimit patogjen të enzimave ose të produkteve alergjene të baktereve që veprojnë në indin gingival.

Faktorët favorizues në akumulimin e pllakut dental janë të shumtë:
* konfiguracioni anatomik i dhëmbit,
* anomalitë ortodontike,
* kariesi,
* mbushjet e papërshtatshme te dhëmbit,
* mbushjet jo të lustruara,
* guri i dhëmbit,
* punimet protetikore,
* aparatet ortodontike,
* frymëmarrja me gojë etj.

Sipas procesit inflamator eksudativ, gingivitet mund të jenë:

1. Gingivitis catarrhalis

Inflamacioni përfshin papillen interdentale, në mënyrë që më pastaj të zgjerohet duke përfshirë gingivën e lirë dhe pjesën koronare të gingivës ngjitëse.

Struktura kokërrzore e gingivës humb, kështu që ajo bëhet e lëmuar. Gjatë pastrimit të dhëmbëve gjakderdhje, ndërsa ekziston ndjenja e pranisë së trupit të huaj ndërmjet dhëmbëve.

2. Gingivitis hyperplastic

Si pasojë e procesit inflamator eksudativ dhe proliferimit të indit lidhor, gingiva fryhet, kurse papillat interdentale marrin formën sferike. Ndonjëherë hiperplazioni është aq i theksuar, saqë e mbulon plotësisht dhëmbin.

Gingiva është e kuqe, e butë dhe e lëmueshme, ndaj shumë lehtë gjakderdhë. Përveç gjakderdhjes, ekzistojnë edhe pengesa në mastikacion, ndjenja subjektive e pranisë se trupit te huaj ndërmjet dhëmbëve, si dhe era e keqe e gojës.

3. Gingivitis fibromatosis

Është sëmundje e rrallë me etiologji të panjohur. Zakonisht sëmuren fëmijët e moshës 8-12 vjeç. Karakterizohet me hipertrofi të gingivës, por pa inflamacion eksudativ. Gingiva është me konsistencë të fortë dhe e zbehtë, mund t’i mbulojë dhëmbët plotësisht. Të sëmurët mund të kenë pengesa gjatë përtypjes dhe në të folur.

4. Gingivitis ulcero-necroticans

Kjo sëmundje kryesisht shfaqet te të rinjtë. Është sëmundje infektive që shkaktohet nga dy mikroorganizma: Bacillus fusiformis dhe Borelia-Vincenti. Nuk është sëmundje ngjitëse.

Që të dy këto mikroorganizma gjenden në pllakun dental dhe në florën bakteriale të personat e shëndoshë, por nga veprimi i faktorëve lokalë favorizues, siç është edhe higjiena tejet e dobët orale, mund të manifestojnë veprimin e vet patogjenik në indin gingival, duke shkaktuar proces inflamator ulcero-nekrotik.

Gingiva në fillim skuqet dhe enjtet, ndërsa pastaj nekrotizohet papilla interdentale e më vonë edhe gingiva e lirë. Në raste të rënda mund të përfshijë edhe gingivën ngjitëse. Ulcerat janë të mbuluara me pseudomembrana të zverdhura.

Për shkak të procesit nekrotik nga goja e të sëmurit, ndihet një erë shumë e rëndë. Procesi nekrotik, formimi i ulcerave dhe zbulimi i mbaresave nervore, shkaktojnë dhimbje të madhe.

5. Gingivitis desquamative

Është sëmundje shumë e rrallë, zakonisht përfshin moshat e reja dhe të mesme, më së shpeshti të gjinisë femërore. Kjo sëmundje karakterizohet me zvogëlim të keratinizimit të gingivës që ka për pasojë deskuamimin e qelizave ndonjëherë edhe nekrozën e tyre. Gingiva është e skuqur, e butë, ndonjëherë e luspuar. Ndër simptomat subjektive, dhembja është spontane.

Përfundim

Gingivet shkaktohen nga pllaku dental. Parandalimi i kësaj sëmundje qëndron në mbajtjen e rregullt të higjienës orale, mënjanimit mekanik të pllakut dental, mënjanimit të gurit të dhëmbit, përdorimit të antiseptikëve (H202 3%, klorheksidin etj.).

Në rastet e rënda, siç janë gingivitet hiperplastike, fibromatoze, ulceronekrotike, gjithsesi duhet këshilluar te mjeku në mënyrë që të merret terapia përkatëse…

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Pse 'dridhemi' kur fillon të na zërë gjumi

Pse 'dridhemi' kur fillon të na zërë gjumi

Kalo në kategori