LAJMI I FUNDIT:

Mjalti, ‘prova’ më e ëmbël e natyrës

Mjalti, ‘prova’ më e ëmbël e natyrës

Është padyshim ushqimi më i mrekullueshëm, më i ëmbël dhe më "i bukur", duke qenë se krijohet nga lulet. Dhuratë magjike e Zotit dhe ndoshta i vetmi që përmban gjithçka që i duhet njeriut për të jetuar, përfshirë ujin.

Asnjë lloj produkti tjetër nuk përmbledh në vetvete erën origjinale të mollës, portokallit, blirit apo jonxhës, përveç mjaltit. Sipas mitologjisë së vjetër greke thuhej që bleta "i ka shpëtuar" jetën Zeusit, pas një sëmundjeje që ai pati, ndërsa ai, në shkëmbim të nderit që ajo i bëri, filloi të merrej me "kultivimin" e tyre. Po ashtu, sipas legjendave të kësaj mitologjie, Kupidi i zhyste shigjetat në mjaltë që të ëmbëlsonte zemrat me dashuri.

Edhe pse ushqimet me përmbajtje shumë të lartë sheqeri nuk janë aq të dobishme për shëndetin e njeriut (mjalti është rreth 25 për qind më i ëmbël se sheqeri), mjalti bën përjashtim edhe për shkak të vitaminës B dhe elementëve që përmban.

Nektari i mjaltit është një ushqim i jashtëzakonshëm në çdo pikë të të cilit ruhen mineralet, enzimat dhe lëndët e tjera ushqyese si: hekuri, bakri, magnezi, kaliumi, fosfori, proteinat dhe vitaminat. Pastron gjakun, rregullon qarkullimin e tij, ndihmon në shërimin e sëmundjeve kockore, shmang forcimin e damarëve të gjakut, shërben si qetësues në sëmundjet nervore dhe ka shumë aftësi të tjera kuruese.


Vetitë natyrore e bëjnë atë plotësues dhe tretës të shkëlqyer, që hap poret e enëve të gjakut, lehtëson rrjedhjen e gjakut menstrual, liron sekrecionet, ndihmon metabolizmin në mbylljen e plagëve dhe lufton infeksionet.

Mjekësia moderne e cilëson mjaltin si një prej antibiotikëve të natyrës, i cili ka veti të ndalojë zhvillimin e baktereve dhe të shumë llojeve të mykut. Është vërejtur se mjalti ngordh disa baktere që janë rezistente ndaj antibiotikëve tradicionalë. Thuhej se filozofi grek, Demokriti, përdorte një dietë të pasur me mjaltë dhe jetoi plot 109 vjet.

Mjalti ishte ilaçi më i përdorur në Egjiptin e lashtë, pasi në 900 receta që janë zbuluar rreth asaj kohe, 500 kanë qenë të bazuara te mjalti. Në Romën e lashtë ai përdorej për të ndihmuar pacientët të flinin gjumë.

Mjalti është njëkohësisht një anticeptrik i mirë. Në një mjaltë "të pjekur" mirë, bakteret nuk mund të rrinë më tepër se 2 orë. Është ushqim që nuk prishet, apo nuk skadon ndonjëherë. Në qoftë se ruhet në enë të mbyllura, rron pafundësisht. Kështu, sipas studimeve, në një varrezë të vjetër të Mbretit Tut të Egjiptit, është gjetur mjaltë 3300-vjeçar, i cili me kalimin e shumë viteve ishte forcuar, i kishte ndryshuar ngjyra, por nuk i kishte humbur natyrshmëria.

Në Kuran thuhet se është shërues i çdo sëmundjeje, ashtu si dhe në Bibël, ku i kushtohet një "rëndësi" e veçantë. Por nëse do të flasim për mjaltin, nuk mund të mos flasim për bletët, pasi në fund të fundit janë ato që na dhurojnë këtë ilaç dhe ushqim të mrekullueshëm.
Vizatimi më i vjetër i bletëve dhe mbledhjes së mjaltit është gjetur në një shpellë në Spanjë dhe mendohet të jetë bërë 15000 vjet më parë.

Bletët e prodhojnë mjaltin në mënyrë instiktive. Për ta prodhuar atë, zakonisht duhet të fluturojnë në largësi të mëdha për ta gjetur ushqimin. Bleta duhet të përshkojë 360-460 mijë km për të bërë 1 kg mjaltë, një rrugë kjo që është 11 herë më e gjatë se gjatësia e ekuatorit të rruzullit tokësor.

Bleta që gjen lulet kthehet në koshere për t‘i informuar bletët e tjera, me të cilat komunikon me anë të një gjuhe të veçantë, të ashtuquajtur "vallëzuese". Shkencëtarët mendojnë se është një gjuhë e komplikuar dhe e zhvilluar.

Shkencëtari Karl von Frish, i Universitetit të Munihut në Gjermani, në vitin 1940 e zbuloi i pari domethënien e vallëzimit të bletëve. Sapo e zbulon burimin e ushqimit, bleta kthehet në fole dhe nëpërmjet tingujve dhe gjuhës së saj "vallëzuese" ua tregon shoqeve të saj vendndodhjen e ushqimit të sapozbuluar. Tingujt që lëshojnë me krahët e tyre janë gjithashtu një pjesë thelbësore e gjuhës "vallëzuese" të bletëve.

Është llogaritur se për gjysmë kilogram mjaltë, bletës i duhet të bëjë 37.000 shëtitje nëpër lule. Bletëve punëtore, për të mbushur hojet u nevojitet fluturojnë rreth 31 milionë kilometra në vit. Edhe pse e mbledhin pikë-pikë, ato punojnë vazhdimisht, pa pushuar, dhe ngordhin duke çuar pikën e fundit të nektarit në hoje. Për rrjedhojë të veçorive të tilla, na japin ne një ushqim të tillë si mjalti.

Po ashtu, një bletë gjatë jetës së saj prodhon vetëm 1/12 e një luge çaji mjaltë. Duke mos harruar asnjëherë vetitë magjike të tij dhe punën e mrekullueshme të bletëve punëtore, nuk na ngelet gjë tjetër veçse t‘i falënderojmë ato që çdo vit mbledhin nektarin e luleve për të na dhënë mjaltin.

Sot ka shumë mjekë popullorë që e rekomandojnë në gërvishtje të vogla dhe plagë të lëkurës, pasi mjalti ka veti dezinfektuese për plagën. Por, përveç shërimit të jashtëm, mjalti ka dhe veti kuruese të brendshme, për shembull në qetësimin e ulcerës në stomak.

Një rol të rëndësishëm mjalti luan edhe kundër diarresë, sidomos për fëmijët e vegjël, pasi është një metodë mjaft e mirë kuruese brenda një ushqimi. Mjalti në këtë rast lufton bakteret dyfish më shpejt se sa një tretje sheqeri.

Gjithashtu, çudia qëndron se njëkohësisht mjalti ndihmon edhe në rastin e kapsllëkut. /Shqip/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori