LAJMI I FUNDIT:

Shtëpia e luksit që u bë muze për artefakte

Shtëpia e luksit që u bë muze për artefakte

Çelësi mezi hap një kasafortë të moçme, brenda së cilës ruhen artefaktet më të veçanta të Muzeut Etnografik në Gjakovë. Janë rrobat fantastike të Sylejman Kryeziut, prefektit të Gjakovës në vitet 1941-45.

Të praruara në arë, krejt punëdore e terzive të famshëm të këtij qyteti, ato ruajnë më shumë se sa historinë e një personaliteti jo të zakonshëm. Në to shkëlqen një kulturë.

Rrobat nuk shfaqen për secilin vizitorë të Muzeut. Për shkak të veçantisë së tyre ato ruhen me kujdes të shtuar, e për shkaqe të sigurisë janë të blinduara. Por i shpërfaqur është artefakti më i moçëm aty.

Një pitos i shekullit të parë të erës sonë, i gjetur në rrethinë të Gjakovës. Këto dyja janë në mesin e rreth 3.500 artefakteve të tjera që ruan ky muze. E të gjitha këto ruhen në një objekt që vetë i takon historisë.


Më shumë se 200 vjet më parë, atë e ndërtuan mjeshtrit dibranë. Është shtëpi luksi. Unike në Kosovë për shkak të dy çardakëve në formë harku. Njëri, ai më i madh dikur u ka takuar burrave, e ai më i vogël grave. Sot të dy janë pjesë e rrëfimit të historisë.

E historia tregon se kjo godinë është ndërtuar në vitin 1810 nga familja Sina. Në vitin 1918 kjo shtëpi është shitur nga pronarët dhe ka kaluar si pronë e Haxhi Osman Boshnjakut. Gjakova e ktheu atë në muze. /Koha Ditore/