LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Juniku vend me rëndësi historike dhe kulturore

Hoti: Juniku vend me rëndësi historike dhe kulturore

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti, vizitoi sot Komunën e Junikut, ku fillimisht u prit në takim nga kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi, me të cilin biseduan rreth nevojave të Komunës në fushën e Kulturës si dhe projekteve në të cilat do të mund të bashkëpunohej mes MKRS-së dhe Komunës së Junikut.

Kryetari Kuçi kërkoi mbështetje rreth restaurimit të disa objekteve me rëndësi të trashëgimisë kulturore, një Mulli i vjetër, objekti i Valavicës që është përdorur për përpunimin e zhgunave dhe materialeve tradicionale, si dhe objekti i Sharrës, dy objekte këto që gjendet në lokalitetin e Mullirit.

Hoti dhe Kuçi diskutuan edhe rreth idesë së ndërtimit të një pallati kulture, ndërtimi i së cilës do të bëhej me gurë, duke ju përshtatur arkitekturës së kullave në Junik.

Më pas, zëvendësministri Hoti i shoqëruar edhe nga kryetari i Junikut, drejtori i Departamentit të Rinisë në MKRS, Xhevat Bajrami dhe përfaqësues tjerë komunal, vizitoi edhe disa objekte të rëndësishme kulturore në Junik.


Ata vizituan Bibliotekën, “Din Mehmeti” në Kullën e Hoxhajve, Amfiteatrin Natyror në Kompleksin e pishave Mornica, Qendrën Rajonale të Turizmit në Kullën e Isufajve, thuhet në njoftimin e MKRS-së, transmeton Klan Kosova.

Zëvendësministri theksoi vizita e sotme është në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional të vendit, po edhe në fushat e kulturës dhe të trashëgimisë. Ai tha “se Komuna e Junikut ka një rëndësi historike dhe kulturore, dhe kjo dëshmohet me objektet që ka kjo komunë të cilat ne i vizituam sot.”

Gjithashtu, Hoti vizitoi edhe familjen e dëshmorit Edmond Hoxha dhe u takua edhe me përfaqësues të organizatës së gruas, “Jeta” në Deçan.

Ai vlerësoi lart punën që gratë e kësaj organizate bëjnë rreth fuqizimit të rolit të gruas dhe shprehi gatishmërinë e MKRS-së për të përkrahur organizatën në nismat e saj.