LAJMI I FUNDIT:

“Ballkoni” i Lendita Zeqirajt me shtatë nominime në Los Angeles

“Ballkoni” i Lendita Zeqirajt me shtatë nominime në Los Angeles

Filmi me metrazh të shkurtër “Ballkoni”, me skenar dhe regji të Lendita Zeqiraj është nominuar zyrtarisht në shtatë kategori në Festivalin e Filmit “Cinerockom”, që do të mbahet nga data 1 deri më 7 shtator në Los Angeles.

Kategoritë, në të cilat tashmë është nominuar filmi “Ballkoni”, në këtë festival që do të mbahen në Beverly Hills, sipas njoftimit zyrtar të organizatorëve janë: Roli më i mirë në film të shkurtër, Arben Bajraktaraj; roli më i mirë mbështetës, Arben Bajraktaraj; roli më i mirë mbështetës, Sevdai Radogoshi; regjia më e mirë, Lendita Zeqiraj; roli më i mirë mbështetës, Edona Reshitaj; aktori më i mirë i ri, Gjin Kastrati dhe e fundit, në kategorinë, filmi më i mirë i shkurtër.

Sa e cek “Ballkoni” mentalitetin e shoqërisë kosovare? Sipas regjisores, filmi “Ballkoni” është vëzhgim i mentalitetit autentik të shoqërisë sonë, i cili të çon deri në situata absurde. Filmi fillon në perëndim të diellit dhe mbaron në muzg. Nga ana kinematografike përforcon zhytjen në këtë situatë absurde, duke zbuluar realitetin e jetës së përditshme në shoqërinë e Kosovës së sotme, transmeton shekulli.

Flet për një djalë 10-vjeçar, i cili është i ulur në skaj të ballkonit në katin e katërt të një ndërtese. Fqinjët dhe kalimtarët e rrugës të tmerruar nga kjo, thërrasin policinë dhe zjarrfikësit për ndihmë, por e tërë situata shumë shpejt tejkalon dhe bëhet e vështirë për t’u menaxhuar. Regjisorja, Lendita Zeqiraj kësaj radhe është shprehur e lumtur për nominimin e filmit.


“Qysh kur më është bërë e ditur zyrtarisht se janë nominuar dhe katër aktorë të filmit ‘Ballkoni’, ishte shumë për mua. Filmi është punë në ekip dhe pikërisht, si ekip puna jonë po vlerësohet”, ka thënë regjisorja Lendita Zeqiraj. Filmi do të shfaqet më 4 shtator në këtë festival, ndërkohë, organizatorët kanë ftuar edhe ekipin e filmit.