LAJMI I FUNDIT:

Në Kosovë nuk vlerësohet puna e dorës (Foto)

Në Kosovë nuk vlerësohet puna e dorës  (Foto)

Gjërat e çmuara gjithnjë trashëgohen, ashtu është edhe puna e dorës, e vajzave, grave dhe nënave shqiptare. Gjithmonë kur bëhet fjalë për zbukurimin e shtëpive tona, mendja na shkon tek punimet me grep, shtruarja e tavolinës me shumë fines me lulet e qëndisura nga duart e arta të grave, ku të lë përshtypjen që natyra shëmbëllen në dhomën tuaj.

Edhe pse në moshën 63 vjeçare, Kimete Ferati nga Prishtina, më zërin e saj të ëmbël dhe me shumë butësi tregoi që pasionin ndaj qëndisjes e ka marrë qysh në moshën e saj më të re. Nga ato vite zonja Kimete, ende e ruan freskinë e punës dhe me shumë entuziazëm ajo flet për Telegrafin për punën e saj.

“Me punë dore kam filluar qysh në shkollën fillore, në moshën 15 vjeçare. Në fillim kur ia kam filluar si e re s’kam menduar që do të vazhdoj të punojë. Edhe pse e kam mbaruar shkollën e mesme më vonë edhe jam punësuar në punë të shtetit, prapë s’kam mundur ta lëshoj punën e dorës. E vlerësoj shumë punën e dorës, mbi të gjitha kur e shoh tek të tjerët më tërheq edhe më shumë”, fliste ajo derisa syri i shkonte tek punimet e saj me grep.

Pasioni i saj nuk është vetëm qëndisja, por edhe krijimi i bizhuterive të ndryshme, edhe pse nuk i preferon t’i bart vet.


“Kam punuar shumë punë dore nga llojet të ndryshme. Punojë me grep, qëndis në materiale të ndryshme , punojë këmisha të arit për nuse , por gjithashtu i kam pasion dhe me zemër punoj në krijimin e bizhuterive të ndryshme. Më kujtohet që kur shkoja te dajat, punoja edhe qilima për qejf”, tha ajo.

Inspirimin zonja Kimete tha se e merr kudo, në lulet e tepihëve, në ndonjë lule të ndonjë fustani, por edhe në ornamente të ndryshme.

“Kur shoh nga ndonjë fustan ndonjë lule të bukur menjëherë më vjen ideja ta punoj në pecetat e tavolinës dhe të krijoj diçka të re, apo thënë më mirë diçka që është unike për të tjerët”.

Ajo si edh e shumë shoqe të saj kanë dalë për t’ ekspozuar punën e tyre në një panair i cili qëndron hapur për katër ditë rresht në sheshin ‘Zahir Pajaziti’. Sipas saj, puna e tyre nuk vlerësohet nga blerësit dhe kalimtarët që i vizitojnë ato .

“Puna jonë nuk vlerësohet aq shumë. Edhe pse puna është shumë e rëndë, ne kemi edhe harxhime në blerjen e materialeve, penjtë, por kjo gjë nuk vlerësohet nga blerësit sepse çmimet i duken shumë të shtrenjta. Kjo punë të merr kohë sepse çdo detal duhet të jetë në vendin e vet, çdo lule, dhe çdo gjë tjetër sepse është punë dore” , tregonte tutje ajo.

Sipas saj, puna e dorës është një ‘grim’ i dhomës, ashtu si edhe grimi i nuses.

“Sot janë dembele edhe pak gratë dhe shikojnë të blejnë dhe të serverin nëpër shtëpi ato që janë më të lehta të mbahen. Edhe pse lakmojnë kur e shohin tek dikush që rrinë bukur, rëndë por duhet t’ia dinë vlerën për ta mbajtur dhe për ta blerë, sepse asnjëherë diçka që është bërë me dorë nuk mund të jetë e shtrenjtë”, përfundoi zonja Kimete. /Telegrafi/