LAJMI I FUNDIT:

Një vit me lëndime, por me shumë suksese për xhudon kosovare

Një vit me lëndime, por me shumë suksese për xhudon kosovare

Ekipi përfaqësues i Kosovës në xhudo po qëndron në një kamp në vendin ku ka lindur ky sport luftarak, në Japoni.

Kampin në Japoni, përfaqësuesja po e shfrytëzon për më shumë sparing me xhudistë të nivelit më të lartë, por edhe për njohje më të mirë të anës shpirtërore të këtij sporti. Në Japoni xhudo, pos si sport, cilësohet edhe si kulturë, si edukim, shkruan sot Koha Ditore.

Qëndrimi dyjavor në Tokio të Japonisë për xhudistët kosovarë mund të vlerësohet edhe si një shpërblim i vogël për vitin e vështirë, por prapë të suksesshëm që e patën ata.

Majlinda Kelmendi në vitin 2015 nuk fitoi titull të botës për seniore, por xhudistet prapë ishin bindshëm sportistët më të mirë në vend. Viti 2015 në xhudo mund të llogaritet i mbyllur pasi të dielën përfunduan garat e nivelit të lartë. Ka mbetur vetëm edhe një garë ekipore që për Kosovën nuk çon shumë peshë.


Ngjarja më e madhe sportive në të cilën u paraqit Kosova në vitin 2015, llogariten "Lojërat Evropiane" që u mbajtën në Baku të Azerbajxhanit, nga 12 deri më 28 qershor.

Medaljen e vetme në atë ngjarje shumësportëshe Kosovës ia solli xhudoja, përkatësisht Nora Gjakova.

Pikërisht Lojërat Evropiane kanë dëshmuar për distancën që ekziston mes xhudos dhe sporteve të tjera në vend. Se hendeku është i madh, se xhudistet qëndrojnë shumë më lart, konfirmohet fare lehtë edhe në muajin e fundit të vitit.

Xhudistet janë të vetmet që pritet të fitojnë normë për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike "Rio 2016". Sportistët e tjerë: boksierët, mundësit, notarët, shigjetarët, shenjëtarët, taekwondistët, çiklistët, pingpongistët etj., janë shumë larg prej zonës që ua siguron normën, përkatësisht që ua garanton pjesëmarrjen në ngjarjen më të madhe shumësportëshe.

Sportistët e tjerë mund të shpresojnë në ftesë të organizatorit dhe me një pjesëmarrje të tillë, me ftesë, shmangia e pozitave të fundit do të ishte sukses. Ndërkohë xhudistet, para së gjithash, Majlinda Kelmendi, janë pretendente për medalje në Rio të Brazilit, në Lojërat Olimpike që mbahen nga 5 deri më 21 gusht të vitit të ardhshëm.