LAJMI I FUNDIT:

Ylli i gjeneratës së artë të Trepçës

Ylli i gjeneratës së artë të Trepçës

Ka kohë që rri larg futbollit, por vazhdon që prej shumë njerëzve të vlerësohet ndër futbollistët më të mëdhenj që ka pasur Kosova. Sukseset e Trepçës në vitet e shtatëdhjeta janë të lidhura me emrin e tij. Me emrin e Fisnik Ademi.

Ish-mesfushori kishte më së shumti paraqitje për Trepçën e Mitrovicës në edicionin 1977-78, që është edicioni i vetëm në të cilën Trepça luajti në ligën e parë federative të Jugosllavisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ademi luajti në 32 ndeshje kampionale, ndërsa nga 32 ndeshje i patën vetëm edhe Ilija Savoviq e Mishko Stoliq. Për Trepçën në Ligën e parë federative luajtën edhe Ramadan Cimili, Erdogan Celina, Hasan Shasivari, Adnan Zeqiri, Rafet Prekazi e disa shqiptarë tjerë që kishin fare pak paraqitje.

Trepça nuk ia doli të mbijetojë në Ligën e parë Federative më shumë se një edicion dhe më asnjëherë nuk u ngrit në elitë. Por hyri në histori – u bë skuadra e parë nga Kosova që arriti në nivelin më të lartë të futbollit federativ.