LAJMI I FUNDIT:

Gjonbalaj: Kosova ka futbollistë për dy kombëtare

Gjonbalaj: Kosova ka futbollistë për dy kombëtare

Futbolli i Kosovës është në rritje. Gjashtë skuadra janë në garë për titull të kampionit. Futbolli i Kosovës është i gatshëm për arenën ndërkombëtare. Kosova ka potencial të mjaftueshëm për sfidat ndërkombëtare.

E përkrah idenë për një Kombëtare, por mendon se për momentin patriotizmi më i madh është t’i forcojmë pozitat tona aty ku jemi. Është i bindur se kemi futbollistë për dy kombëtare.

Kështu thotë për KosovaPress ish-futbollisti i njohur, njëherësh trajner i futbollit të Kosovës, Malsor Gjonbalaj.

Ai mendon se pjesa e parë e garave në elitën e futbollit tonë, ka qenë një sezon shumë i mirë, e sipas tij, ka edhe rritje të cilësisë. Por, Gjonbalaj mendon se klubet duhet akoma më mirë të organizohen.


“E kam përcjell me vëmendje dhe konsideroj se ka qenë një stinor shumë i mirë dhe më rritje të cilësisë, më zhvillim të mirë të ekipeve në çdo pikëpamje, prandaj e konsideroj të suksesshëm. Konsideroj se do të duhet të shtohet edhe më shumë puna në organizimin e klubeve, në organizimin administrativ në mënyrë që edhe trajnerët dhe lojtarët të kenë një mbështetje më të mirë logjistike më punën që e bëjnë. Po ashtu edhe Liga e Parë… konsideroj se edhe aty ka rritje të cilësisë dhe po ashtu edhe aty janë shfaqur disa probleme rreth organizimeve të klubeve. Sigurisht se klubet duhet të jenë më të vëmendshme që të organizohen pak më mirë në fillim të sezonit tjetër në çdo pikëpamje, por marrë në përgjithësi e konsideroj një sezon shumë të mirë”, ka thënë Gjonabalaj.

Ai thotë se gjashtë skuadra mund të jenë pretendente për titull, sepse sipas tij, diferenca e pikëve në mes dy skuadrave të para është e ngushtë.

Ish-sulmuesi i disa skuadrave elitare të vendit tonë, por që karrierë ka bërë edhe në Maqedoni dhe Shqipëri, mendon se futbolli ynë është i gatshëm për arenën ndërkombëtare. Kosova pritet që në muajin mars të bëhet pjesë e shtëpisë më të madhe në futbollin evropian. Gjonbalaj thotë se pranimi i FFK-së në UEFA është një moment që të gjithë po e presin, sepse sipas tij, pranimi në UEFA do të ishte një injeksion i madh për gjithë qytetarët e Kosovës.

Gjonbalaj mendon se edhe përfaqësuesja e Kosovës në rrugën e duhur. Ai është i bindur se me kalimin e kohës përfaqësuesja jonë do të jetë e denjë për garat ndërkombëtare.

“I kam përcjell me vëmendje të gjitha ndeshjet, për një kohë kam qenë edhe staf i përfaqësueses deri në momentin e themelimit të qendrës së edukimit të trajnerëve dhe aty ku udhëheq tani. Unë e shoh një përparim dhe zhvillim të mirë të ekipit tonë përfaqësues. Mendoj se me kalimin e kohës do të përforcohet. Nuk mund të jenë pasqyre reale ndeshjet miqësore asnjëherë, megjithatë, unë duke u bazuar në dy ndeshjet e fundit e shoh një potencial të mirë të futbollistëve të cilët do të mund ta bartin barrën për ndeshjet kualifikuese”, ka pohuar Gjonbalaj.

Ai ka folur edhe për idenë e një Kombëtareje. Gjonbalaj thotë se një Kombëtare do të plotësonte dëshirën e tij dhe gjithë shqiptarëve, por sipas tij, në këtë moment është e pashmangshme që të kemi dy përfaqësuese. Gjonbalaj thotë se kemi futbollistë të mjaftueshëm për dy përfaqësuese.

“Kjo është një pyetje që mund të jep dy-tri përgjigje varësisht nga cili këndvështrim e shikon situatën. Nëse e vështroj nga këndvështrimi dëshiror, sigurisht se një Kombëtare do të plotësonte dëshirën time, por nëse e shohim nga situata reale, legjislative, atëherë është e pashmangshme që të kemi dy ekipe përfaqësuese, të Kosovës dhe të Shqipërisë, dhe unë mendoj se jo vetëm që kemi futbollistë për dy ekipe përfaqësuese, por kemi futbollistë edhe për tre ekipe, madje, një koleg nga Luksemburgu me ka thënë këtë para dy-tri viteve që aq shumë futbollistë shqiptarë sheh nëpër ekipet evropiane sa do të mund t’i bënim tri ekipe të forta. E dimë se ekipi i Maqedonisë i ka pesë-gjashtë futbollistë shqiptarë në ekipin e saj, ekipi i Malit të Zi e ka një shqiptar, po ashtu kemi edhe skuadra tjera siç është Zvicra, dhe paramendoni edhe sa futbollistë të cilët i kemi hulumtuar edhe më herët dhe më të cilët kemi qenë në kontakt dhe luajnë nëpër grup-mosha të reja në ekipet më të njohura, prandaj nuk jemi në krizë të futbollistëve dhe unë mendoj se do të mund të kemi dy kombëtare të forta dhe një ditë sigurisht se sikur secili shqiptar do të kisha pasur dëshirë që të kemi një Shqipëri të të gjithëve”, shprehet Gjonbalaj.

Ndërkaq rreth idesë për krijimin e një ligë të përbashkët, Gjonbalaj thotë se gjithë shqiptarët kanë jetuar dhe jetojnë për një Kombëtare dhe një ligë të përbashkët, por ai thekson në momentin në të cilin jemi është pamundur realizimi i kësaj ideje. Gjonbalaj mendon se në këtë moment patriotizmin më të madh e tregojmë nëse i forcojmë pozitat tona aty ku jemi.

Ai është i bindur se futbolli shqiptar në përgjithësi është në rrugën e duhur, por sipas tij, akoma duhet të punohet në mënyrë që futbolli shqiptar të jetë në nivel edhe më të lartë. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Lionel Messi i gatshëm për rikthim të bujshëm te Barcelona

Lionel Messi i gatshëm për rikthim të bujshëm te Barcelona

Ndërkombëtare
Reali merr tjetër goditje para ndeshjes me Sociedadin, lëndohet edhe Vini Jr

Reali merr tjetër goditje para ndeshjes me Sociedadin, lëndohet edhe Vini Jr

La Liga
Virgil van Dijk flet rreth një transferimi të mundshëm te Real Madridi

Virgil van Dijk flet rreth një transferimi të mundshëm te Real Madridi

Ndërkombëtare
Igli Tare lidhet me postin e drejtorit sportiv te Milani

Igli Tare lidhet me postin e drejtorit sportiv te Milani

Serie A
Ylli i Real Madridit u hoq nga skuadra e Spanjës për shkak të incidentit me Gavin

Ylli i Real Madridit u hoq nga skuadra e Spanjës për shkak të incidentit me Gavin

Përfaqësueset
Pranohet ankesa e La Ligas kundër kritikave të Real Madridit rreth gjyqtarëve, Los Blancos rrezikojnë dënimin

Pranohet ankesa e La Ligas kundër kritikave të Real Madridit rreth gjyqtarëve, Los Blancos rrezikojnë dënimin

La Liga
Kalo në kategori