LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi kthehet në ring më 9 janar

Krasniqi kthehet në ring më 9 janar

Haxhi Krasniqi në janar të vitit tjetër do t'i kthehet ringut të boksit. Krasniqi 28-vjeçar aktualisht është boksieri profesionist më i suksesshëm shqiptar.

Karrierën e zhvillon në Gjermani, ndërsa njihet me emrin Robin. Krasniqi meçin e fundit e zhvilloi më 17 tetor kur në Usti nad Labem në Çeki fitoi lehtësisht me ndërprerje në raundin e parë ndaj çekut Vaclav Polak. Por, junikasi këtë nuk e llogarit meç të vërtetë.

Polak nuk është kundërshtar i nivelit në të cilin tashmë ka arritur Krasniqi, kurse ky meç ishte vetëm një hap që duhej të bënte për të vazhduar karrierën në kategorinë super të mesme të boksit profesionist. Deri vonë Krasniqi ka boksuar në kategorinë gjysmë të rëndë, që është një kategori më lart se ajo super e mesme, shkruan sot kohaditore.

Meçi i fundit i vërtetë i Krasniqit ishte ai i 21 marsit që ishte i vlefshëm për titull të botës në kategorinë gjysmë të rëndë të versionit WBA. Krasniqi ishte mposhtur nga gjermani Juergen Braehmer. Kosovari dorëzoi meçin në raundin e nëntë pas një lëndimi që mori në fytyrë.


"Në janar gjithsesi do të boksoi, ndërsa po planifikohet për 9 janar në një mbrëmje boksi në Offenburg të Gjermanisë. Kundërshtari nuk dihet ende 100 për qind, por plani është që të boksoj me francezin Hadillah Mohoumadi. Nuk ka asgjë të nënshkruar, por me rëndësi se do të boksoj dhe do të jetë një meç i madh me një kundërshtar të nivelit të lartë", ka thënë Krasniqi të hënën për gazetën.