LAJMI I FUNDIT:

Drenica fiton betejën për simbole shtetërore

Drenica fiton betejën për simbole shtetërore

Drenica, megjithatë, do t'i zhvillojë ndeshjet e rrethit të dytë të Challenge Cup. Kampionia e Kosovës në volejboll (meshkujt), Drenica R&Rukolli, të enjten mbrëma, vendosi që të zhvillojë ndeshjet me skuadrën qipriote Pokka Karava.

Zhvillimi i këtyre ndeshjeve ishte në dyshim, pasi qipriotët refuzuan javën e kaluar të vijnë në Kosovë që të luajnë ndeshjen e parë. Qipriotët u arsyetuan se shteti i tyre nuk njeh Kosovën dhe se nuk ndihen të sigurt të luajnë në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV) në vend që të dënonte qipriotët që refuzuan të udhëtojnë në Kosovë, mori vendim që ndeshjet të luhen në terren neutral, përkatësisht në Sofje të Bullgarisë. Por vendimi i CEV-it parashikonte që ndeshjet të luhen pa simbole shtetërore. Kjo për Drenicën ishte e papranueshme. Në fund u arrit kompromisi që ndeshjet të luhen në terren neutral, në Sofje, por me të gjitha simbolet shtetërore.

Ndeshjet ndërmjet Drenicës e Pokka Karavas do të luhen këtë fundjavë. Ndeshja e parë do të luhet të shtunën (18:00) në kompleksin sportiv në “Gorna Malina”, në afërsi të Sofjes. Ndeshja e dytë do të luhet në të njëjtin vend, të dielën (14:00).