LAJMI I FUNDIT:

Një delegacion nga FIA e vizitoi FASK-un

Një delegacion nga FIA e vizitoi FASK-un

Një delegacion nga FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit), në përbërje Werner Klaus dhe Eva Maria Kerschl, e ka vizituar Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK-un).

Kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi i ka njoftuar mysafirët për zhvillimet e fundit në auto sportin tonë si dhe synimet për të ardhmen, ndërkohë që zyrtarët e FIA-s janë ndarë të kënaqur me atë që kuptuan për nivelin, masivitetin dhe cilësinë e garave tek ne.

“Përshtypjet e mia të para janë shumë të mira, pasi këtu në FASK ishin shumë transparentë dhe më është ofruar përgjigje konkrete në secilën pyetje që kam bërë“, ka thënë fillimisht Klaus, i cili më pas ka shtuar: “Vendimin për pranimin e FASK-ut në FIA e merr Asmableja e Përgjithshme, por unë them se Federata juaj është në rrugë të mirë drejt këtij qëllimi. Me aq sa kam kuptuar unë, çdo gjë është në rregull dhe besoj që më 4 dhjetor do ta merrni përgjigjen pozitive”.

Ndërkaq, kryetari Rexhepi është shprehur: “Qëllimi i këtij delegacioni të FIA-s është informimi konkret për auto sportin tek ne dhe inspektimi më i detajuar i aktiviteteve tona. Duke u bazuar në punën që e kemi bërë, unë vlerësoj se që nga fillimi e deri në fund të kampionatit e kemi zbatuar planin tonë në përputhje dhe harmoni me FIA-n, prandaj besoj se në dhjetor do të pranohemi në këtë asociacion dhe në të ardhmen do të jemi në nivel edhe më të lartë, si për nga numri i garuesve, po ashtu edhe cilësia e garave. Gjithsesi duhet përmendur edhe bashkëpunimin e mirë të FASK-ut me institucionet tona shtetërore”.


Delegacioni nga FIA nesër do të ketë takime edhe në Komitetin Olimpik të Kosovës dhe në Ministrinë e Sportit.