LAJMI I FUNDIT:

Trajnerët e së ardhmes kërkojnë licenca gjermane në Obiliq

Trajnerët e së ardhmes kërkojnë licenca gjermane në Obiliq

Kandidatët e përzgjedhur nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) për të ndjekur trajnimin për Licencën “B” të UEFA-s, ishin të obliguar të paraqiten në qendrën sportive “Katana” në Obiliq, gjysmë ore para se të niste ligjërata e parë e që do të zgjasë tre javë.

Kandidatët ishin trajnerë aktiv, futbollistë aktiv dhe ish-futbollistë, por që nuk janë të pajisur me Licencën “B” në kuadër të bashkëpunimit të FFK-së me Federatën e Futbollit të Gjermanisë (DFB), shkruan sot “Koha Ditore”.

Të 26 kandidatët po prisnin që në ora nëntë të mëngjesit të niste ligjërata, të cilën do ta mbante përgjegjësi i programit nga FFK-ja dhe përgjegjësi i qendrës së edukimit, Malësor Gjonbalaj. Në grupin prej 26 kandidatëve ishte vetëm një femër – Albina Ramadani. Ajo dhe të tjerët dukeshin goxha komod dhe të relaksuar para se të niste ligjërata. Por, komoditetin dhe relaksimin e kandidatëve e vërejti përgjegjësi Gjonbalaj. E kjo ish-futbollistit të disa skuadrave të Kosovë, nuk i pëlqeu fare.

“E pashë një relaks të tepruar. Ky program nuk lejon relaks”, u drejtohet me fjalët e para Gjonbalaj kandidatëve.


Për të dëshmuar se kandidatët nuk duhet të jenë të relaksuar, ende pa nisur mirë ligjërimi, Gjonbalaj ua tërhoqi vërejtjen dy kandidatëve të cilët po bisedonin ndërmjet vete.