LAJMI I FUNDIT:

Vdes kryetari i FSK-së Hajrush Demaj

Vdes kryetari i FSK-së Hajrush Demaj

​Ka vdekur njëri ndër kontribuuesit e mëdhenj të sportit të Kosovës, Hajrush Demaj, kryetar i Federatës së Skitarisë së Kosovës.

Me këtë rast, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala ka dërguar familjes një telegram ngushëllimi.

“Me shumë pikëllim mësova lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, Hajrush Demaj, kontribuuesit të madh në sportin e Kosovës, veçanërisht të skijimit. Vdekja e Hajrush Demaj, Kryetarit të Federatës së Skitarisë së Kosovës, na ka prekur e pikëlluar të gjithëve që e kemi njohur dhe kemi punuar me të”.

“Sporti, e në veçanti skitaria ka humbur një njeri të sinqertë, punëtor, të urtë dhe të zellshëm. Hajrush Demaj, si një luftëtar i paepur, përpos që ka dhënë kontributin e tij në sportin e skitarisë, ai është angazhuar edhe në afirmimin e sportit të Kosovës në arenën ndërkombëtare në kohërat më të vështira. Kujtimi për Hajrush Demajn do të jetë i përhershëm për ne, si një shembull i devotshmërisë dhe i angazhimit të palodhshëm në kuadër të ngritjes së sportit të Kosovës në një nivel më të lartë”.


“E nderuara familje Demaj, ju keni humbur një bashkëshort, prind, të dashur tuajin, ndërsa, ne kemi humbur një shok, mik dhe një krah të fuqishëm për sportin e vendit. Andaj, pranoni ngushëllimet e mia për ju të dashurit e Hajrushit, ju familjarë, miq dhe dashamirë të tij”, thuhej në telegramin e ngushëllimit të ministrit Shala.