LAJMI I FUNDIT:

Gjilani ka ende punë

Gjilani ka ende punë

Gjilani cilësohet si befasia më e këndshme e Superligës së Kosovës në futboll pas 11 xhirove të luajtura, ku gjilanasit renditen në pozitën e dytë me vetëm një pikë më pak se Feronikeli që është i pari.

Por nëse dikush është befasuar me rezultatet pozitive të Gjilanit, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për trajnerin, Sadat Pajaziti.

Në një prononcim për Gazetën Tribuna, Pajaziti ka thënë se po të mos besonte në suksesin e ekipit, nuk do ta merrte fare drejtimin e skuadrës gjilanase.

“Jemi radhitur në vendin e dytë dhe është një pozitë që na bënë të jemi të kënaqur sa i përket fazës së parë duke marr parasysh se ka ekipe shumë të forta në Superligë. Kemi punuar mjaftë për të qenë aty ku jemi. Sikur mos të kisha besuar se do të arrijmë rezultate të mira, nuk e kisha filluar fare punën me Gjilanin”, tha Pajaziti.


I pari i shtabit teknik të Gjilanit, nënvizoj se është shumë herët të flitet për fundin e stinorit vjeshtor, pasi sipas tij, kanë ende shumë punë për të bërë për t’i arritur synimet e klubit.

“Ne do vazhdojmë të punojmë, pastaj rezultatet natyrisht që do vijnë. Ne punojmë hap pas hapi dhe është akoma larg për ta menduar fundin. Kemi mjaft ndeshje interesante deri në përfundim të sezonit vjeshtor”, tha trajneri i Gjilanit.

Gjilani në javën e 12-të, do të luaj derbin kundër rivalit të qytetit, Dritës. Takimi i fazës së parë ndërmjet këtyre dy skuadrave kishte përfunduar me fitoren e Gjilanit me rezultat 3:0.