LAJMI I FUNDIT:

Prishtina edhe me paga prapa

Prishtina edhe me paga prapa

Klubi më e trofeshëm në futbollin e Kosovës, Prishtina, po kalon formën më të keqe të rezultateve në 40 vitet e fundit.

Por, nuk është vetëm forma e keqe që po e mundon klubin kryeqytetas, pasi prishtinasit po kalojnë edhe nëpër një krizë financiare.

Sipas burimeve të Gazetës Tribuna brenda klubit kryeqytetas, Prishtina nuk i ka paguar futbollistët për gati dy muaj.

Lojtarët nuk janë paguar ende për muajin shtator si dhe, edhe 5 ditë bëhen edhe pagat e muajit tetor dhe nëse nuk kryhet asnjë pagesë, i bie që klubi t’iu ketë lojtarëve nga dy paga borxh.


Gazeta Tribuna e ka kontaktuar edhe drejtorin e Prishtinës, Sokol Krasniqin, i cili e ka konfirmuar se pagat e shtatorit ende nuk janë kryer, kurse për muajin tetor, ka theksuar se ende nuk ka përfunduar muaji.

“Nuk janë dy paga borxh, pasi ende jemi në muajin tetor. Është e vërtetë që paga e shtatorit nuk është kryer, por shumë shpejt do të ndodhë një gjë e tillë. Sa i përket muajit tetor, janë edhe 5 ditë dhe askush nuk i ka marr pagat e tetorit pasi as buxheti nuk është ndarë ende për këtë muaj”, tha Krasniqi për gazetën.

Siç dihet, më herët Administrata Tatimore e Kosovës, ia kishte bllokuar xhirollogarinë Prishtinës, për shkak të moskryerjes së obligimeve ndaj shtetit.

Prishtina pas 11 xhirove të luajtura, zë vendin e parafundit në renditje dhe kjo llogaritet si forma më e keqe në 40 vitet e fundit.