LAJMI I FUNDIT:

Pingpongistët nga Kosova, të suksesshëm në Shtip të Maqedonisë

Pingpongistët nga Kosova, të suksesshëm në Shtip të Maqedonisë

Nga 21-25 tetor 2015 në Shtip, Maqedoni, u organizua gara e BTTU për U21. Në këtë kampionat morën pjesë 9 shtete, nga 10 shtete anëtare, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kosova, Mali i zi, Maqedonia, Rumania, Serbia dhe Turqia, mungoi vetëm Greqia.

Kosova u përfaqësua nga: Blendon Luta, Jon Shala, Orhan Kurteshi dhe Ylli Dragidella te meshkujt dhe nga: Era Janjeva, Ilriana Haliti dhe Trina Mziu te femrat, trajnerët Besart dhe Besire Domaniku, delegat Nehat Çitaku dhe Fadil Luta, si dhe refer Idriz Prestreshi i cili ndau drejtësinë edhe në finalen e meshkujve ndërmjet Rumanisë dhe Serbisë.

Ekipet nga Kosova si në kategorinë e meshkujve ashtu edhe në të femrave dhanë maksimumin e tyre, por nuk mjaftoi që të kalojnë fazën e grupeve. Femrat në pjesën për vendet 5-8, humbën nga Shqipëria me 3:1, ndërsa fituan nga Maqedonia me 3:1 (Iliriana Haliti fitoi me rezultat 3:0 ndaj Ana Stojanova dhe Marija Jovanova, Trina Mziu po ashtu me rezultat 3:0 fitoi ndaj Iva Dimitrievska) e kështu që zunë vendin e 7-të në garat ekipore.

Edhe meshkujt në fazën e grupeve patën paraqitje solide. Për plasmanin final humbën nga Mali i Zi 3:1, ndërsa fituan nga Shqipëria 3:0 (Yll Dragidella ndaj Nikolla Haxhillazi 3:1, Jon Shala ndaj John Tufa 3:2, Blendon Luta ndaj Ronaldo Karkanjozi 3:1), e me këtë përfunduan garat ekipore në vendin e 8-të.


Në garat individuale, fazën e grupeve e kaluan Blendon Luta dhe Iliriana Haliti. Blendon Luta në top 24 tregoi shumë lojë të mirë ndaj lojtarit turk, Sadettin Gencer, duke realizuar disa poenë shumë atraktivë, por përvoja e lojtari turk që përdorë me shumë mjeshtri reketin me ‘thera’ ishte vendimtare në shumicën e poenëve. Iliriana Haliti që ishte lojtarja jonë me më së shumti fitore, (3 fitore në fazën ekipore, dhe 2 fitore në fazën individuale), në top 16 u takua me Aneta Maksuti nga Serbia, njëra ndër favoritet për vend të parë, Iliriana tregoi lojë shumë të mirë, posaçërisht në setin e 4, por Maksuti nuk lejoj befasi, transmeton Qik-u.

Lojtarët që nuk arritën të futeshin në skelet përfunduan në garat ‘consolation’ në të cilat Yll Dragidella shkëlqeu duke fituar vendin e dytë, me lojë shumë atraktive, ai në gjysmëfinale fitoi ndaj Jon Tufës nga Shqipëria me 3:2, e pastaj në finale edhe pse tregoi lojë shumë të mirë, nuk pati fat ndaj Maqedonasit, Petar Kostovski, që kishte edhe përkrahjen e zhurmshme të publikut vendas. Vendin e tretë te femrat, po ashtu në ‘consolation’, e zuri Era Janjeva.

Në përgjithësi të gjitha finalet u vendosen ndërmjet lojtarëve Rumun dhe Serb, Rumania zuri vendin e parë në garat ekipore për meshkuj dhe femra, si dhe në çifte mix, ndërsa Serbia zuri vendin e parë në individuale dhe çifte të meshkujve dhe femrave.

Kosova në përgjithësi pati paraqitje dinjitoze, dhe dita ditës po duket se është duke zënë hapin me shtetet tjera, edhe pse duket qartë se ka nevojë të angazhohet ndonjë-disa trajnerë cilësorë të huaj për të krijuar një sistem të mirëfilltë të punës profesionale.

Garat e ardhshme të BTTU U21 janë paraparë të mbahen nga 23-27 gusht 2016 në Bullgari, ndërsa për U18 pritet të mbahen në Rumani prej 11-15 Maj 2016.