LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e Gjeorgjisë nuk e lejon këtë ekip të vijë në Kosovë!

Qeveria e Gjeorgjisë nuk e lejon këtë ekip të vijë në Kosovë!

Klubi i hendbollit Vushtrria (meshkujt) mund të kalojë në raundin e tretë të garave “Challenge Cup” pa luajtur fare. Vushtrria mund t’i fitojë dy ndeshjet e raundit të dytë me rezultat zyrtar – 10:0, meqë Qeveria e Gjeorgjisë nuk po e lejon skuadrën nga ky vend, Samtredia, të udhëtojë në Kosovë për të zhvilluar ndeshjet e raundit të dytë të “Challenge Cup”.

Qeveria e Gjeorgjisë nuk po e përkrah Samtredian që të udhëtojë në Kosovë, pasi nuk e ka njohur Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike, shkruan sot Koha Ditore.

Në fakt, klubi i Vushtrrisë dhe ai i Gjeorgjisë, Samtredia, patën arritur marrëveshje që dy ndeshjet të zhvilloheshin në Kosovë për t’iu ikur shpenzimeve të tepërta. Marrëveshja ndërmjet dy klubeve është konfirmuar edhe në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF).

Zyrtari i klubit Vushtrria, Eshref Beqiri, tregon se Samtredia ka kërkuar mirëkuptim që ndeshjet të zhvillohen në terren neutral, pasi nuk po lejohet që të udhëtojë në Kosovë. Por, Beqiri ngul këmbë se Vushtrria do të respektojë marrëveshjen e arritur. Siç thotë ai, edhe EHF-ja ia ka bërë me dije klubit gjeorgjian që ndeshjet duhet t’i luajë në Kosovë. Në rast se Samtredia nuk do të udhëtojë në Kosovë, do të humbë me rezultat zyrtar, do të gjobitet me 15 mijë euro dhe do të suspendohet për dy vite nga garat evropiane.


“Ata kanë marrë një urdhëresë nga Ministria e Punëve të Jashtme që të mos luajnë në Kosovë, pasi ky vend ende nuk e ka njohur Republikën e Kosovës dhe për shkak të mungesës së marrëdhënieve diplomatike ka refuzuar ta përkrahë klubin. Klubi ka kërkuar mirëkuptim që ndeshja e paraparë të luhet në Vushtrri të zhvillohet në terren neutral. Qëndrimi i klubit tonë është t’i qëndrojmë prapa marrëveshjes së arritur që dy ndeshjet të luhen në Kosovë. Kjo marrëveshje është e konfirmuar edhe nga Federata Evropiane e Hendbollit dhe vendimi i EHF-së është që ndeshjet të luhen në Vushtrri”, ka thënë Beqiri.

Ndeshja e parë ndërmjet Vushtrrisë dhe Samtredias është paraparë të zhvillohet më 17 tetor, kurse e dyta një ditë më vonë. Për fatin e kësaj ndeshjeje pritet të vendoset të së shpejti.