Shteti është mobilizuar. Për çdo polic duhet gjetur së paku një tarracë prej ku do të kujdesen për sigurinë dhe do të shikojnë edhe ndeshjen. Mijëra policë janë ngritur në këmbë. Po simulojnë situata. Nga ‘97-ta nuk mbahet mend një lëvizje kaq masive e strukturave të (pa)sigurisë. Edhe armiku – pra tifozeria – është mobilizuar. Kuq e zi, bardh e kuq, kjo betejë duhet fituar me të gjitha mjetet. Ai që humb do vajtojë për 500 vjetët e ardhshëm. E kanë kapur me inat, tifozeria.
Lëre se nikoqiri është mobilizuar, por edhe mysafiri ka angazhuar krejt strukturat e veta inteligjente, me zbulim e me kundërzbulim, vetëm që të kuptojë se ku dhe me kë po e kalon natën “Ballisti”! Afria e tij e vërejtur prej mediave, me partinë “VeVe”, i ka brengosur të gjithë që kujdesen për sigurinë. Fundja, mjafton vetëm një ve e hedhur drejt arbitrit anësor dhe kjo mundet me e mbyll ndeshjen me… katastrofë. Në tavolinë! Pastaj do të futet në stadium sigurimi, pas kohe si zakonisht edhe kryeparlamentari Meta do të thërras: “Kush e thirri sigurimin, dilni jashtë, lëreni ‘VeVe-në’ të qëllojnë derisa të e godasin cakun. Nëse jo Isain, atëherë së paku ndonjërin nga zëvendësit që po qeshen në prapavijë”.
UPS! Dale, se e paskam gabuar kolumnën. Edhe fushëbetejën! Po flisnim për Betejën e Elbasanit, e jo atë të “VeVe”-së në Parlament, në Prishtinë. Edhe pse “VeVe”-ja po gjuante me ve të prishura. Fundja ve andej e ve këndej, askush nuk na akuzon dot se nuk kemi “ve”, pra nuk jemi larg realitetit. Një komb, një kombëtare, e flamuj sa të duash. Pastaj nuk jemi as jashtë temës se tashmë është fenomen global: sporti është kulmi i politikës. Vazhdim i politikës me veshje sportive. Pa kravatë! “Like” e ke njeri.
Në këso atmosfere, diqysh të duket më normale kur të shutojnë nga zyra në zyrë, nga sporteli në sportel. Atmosferë sportive.
E, derisa shteti po merret seriozisht me sigurinë dhe krimin, biletat për Elbasan kanë kapur stratosferën.
Mediat përflasin drejtpërdrejtë nga nëntoka se çmimi për një biletë, për çfarëdo vendi qoftë, vetëm brenda të jetë, ka kapur majat. Po flitet për çmimin prej 500 euro për një biletë, në treg të zi. Prognozat thonë se me një tetor çmimi e kap edhe mijëshen. Kësaj i thonë biznes.
Nejse, kur e përmendëm tregun e zi, nuk menduam për keq. I zi apo i hirtë i thënçin, se tjetër s’ka. Nuk gjen. Pastaj, stërshitësit garantojnë edhe emrin dhe mbiemrin tënd në biletë, kështu që nuk ka arsye për shqetësim. Edhe nëse e keni blerë biletën duke shitur gjak pranë transfuzionit kombëtar, dhe prapë keni mbetur jashtë, edhe për ju ka ngushëllim: janë ekranet gjigande që mbahen nga reklamat. Aty mund edhe të pini, të thyeni e madje edhe të qoni dashuri me ndonjë “tifoze” të dëshpëruar e cila gjithsesi nuk do të harrojë t’ju marr lekët… pra, askush nuk do të e ketë mendjen te ju. Nejse, mund ta bëni edhe me ndonjë “tifoz”, sipas preferencave. Janë ditë krenarie këto.
Pranojeni, se 500 euro për me hy në histori nuk është një shumë aq e madhe, e cila ia vlen të përmendet për një ngjarje të tillë. Edhe banka më e lodhët, nga ato “mikro” me kamata “makro”, të jep kredi, të cilën ti pastaj e paguan tërë vitin pak nga pak.
E, kur të na pyesin fëmijët nesër në ishim apo jo në Elbasan Area, do t’u themi përplot mburrje: ishim! Në radhë të…! Lëre radhën vëlla. Në çdo betejë më së miri kalojnë ata që kishin kapur qoshen.
Po flitet se grupi i famshëm serb “Bajaga”, e që në përkthim do të thotë pak a shumë njëjtë, pra bajga,, ka kërkuar hiq më pak se 30 mijë euro që të këndojë në Elbasan. Edi, pasi e kishte quar dorën në kuletë, rreptë, ashtu siç di veç Edi, papritmas e kishte kapur një e dridhur! OK, ai është adhurues i Bregoviqit, edhe i “Bajaga dhe instruktorët”, por tash Edi ka edhe përgjegjësi. Po të ishte me para të veta, e bënte pa menduar dy herë, por nga buxheti… hm. Mbase duhet pyetur edhe Luli, sa për protokoll, se nuk durohet pastaj.
Gjithsesi, ende mbetet e paqartë se si u formua ky çmim? Ofertë dinjitoze do të thoshin muzikantët e moçëm! Ka të bëjë me sigurinë apo “Bajaga” po e mbivlerëson veten? Lëre fare, se sentimentet asnjëherë nuk kanë një çmim real! Lëreni debatin për çmimin! Nganjëherë mjafton të kesh një fans, por që ai të jetë vet kryeministri. E merr edhe çelësin. Derisa çelësin e Tiranës e mori Bregoviqi, çelësin e Elbasanit mundet fare lehtë me e marrë “Bajaga” !
“Duaje armikun tënd”, Edvin! Ja vlen për mesazhin. Pastaj kjo e relakson edhe atmosferën përpos nëse futbollistët serb do të preferonin… “kallashin”!
Nejse, në çdo tarracë pra do të ketë nga një polic dhe padyshim nëse dikush do të infiltrohet për të bërë keq, ai do të ketë blerë tashmë moti, një uniformë. Edhe një tarracë. Apo mund të ketë përgatitur ndonjë befasi tjetër, megjithëse befasia më e madhe do të ishte mungesa e hakmarrjes serbe, edhe pse vështirë të ndodhë kjo, sepse kjo është një ngjarje për të cilën do të flitet me gjenerata. Është rasti i fundit për me tregua se sa fuqishëm e urrejmë njëri-tjetrin, para se të hyjmë në Evropë.
Po flitet edhe për rëndësinë politike dhe histerike, pardon historike, sa po thuhet se asnjë betejë nuk ka qenë më e rëndësishme se kjo që nga koha e Betejës së famshme të Kosovës e zhvilluar në qershor të vitit 1389.
Në libra thuhet se Millosh Kopiliqi duket të ketë qenë lojtar fundor, nga ata që vijnë nga mbrojtja e japin gol dhe kështu e vendosin fatin e betejës, me kokën e një sulltani.
Atë betejë e patën humbur serbët dhe me shekuj na e patën nxirë jetën duke u mburrur me këtë humbje. Edhe pse Kadareja flet për betejën ballkanike kundër osmanlinjve, unë mendoj se ne shqiptarët që asokohe ende nuk e dinim se jemi shqiptarë, kemi qenë më tepër shikues…! Po e prisnim NATO-n!
Nejse, është e çartë se armiku nuk rri kot. Uji rri e hasmi nuk rri. I jashtmi dhe i brendshmi. Konspiracionet po përgatisin diçka, si spektakël, apo performansë me të cilën synojnë të mahnisin përsëri globin dhe të bëhen lajm global.
Por, janë përpjekje të cilat më tepër kanë gjasë të dështojnë. Sepse mungon elementi i befasisë dhe si e dini të gjithë: guerilen e përbën kryesisht befasia.
Tash të gjithë po presin të ndodhë diçka, kështu që e vetmja befasi që mund të ndodhë është: të mos ndodhë asgjë.
Befasi mund të jetë edhe po të fitojë nikoqiri…! Ia kemi marrë dorën me Danimarkën! Forcaaa!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPërse Shakira nuk është martuar akoma me të dashurin dhe babanë e fëmijëve të saj, Gerard Pique?
Rrëfimi i Avril Lavigne për sëmundjen e rëndë: Më është dashur të pranoja se po vdisja dhe e ndjeja sikur më shuhej trupi
Gerta flet pas incidentit: Nuk kam për qëllim të dëmtoj sytë e Gjestit
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Pas trajtimit në spital, Gjesti kthehet në Big Brother
Incidenti i radhës në Skenderaj, digjet me benzinë posteri i Albin Kurtit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Gerta flet pas incidentit: Nuk kam për qëllim të dëmtoj sytë e Gjestit
Gerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Babai i Haalandit thumbon keq Arsenalin pas turpërimit që i shkaktuan Man Cityt
A është ende e sigurt të fluturosh me aeroplan? Ekspertët e aviacionit japin 'verdiktin e tyre' pas incidentit në Uashington
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet