Çfarë mendoni ju të dashur lexues shqiptarë, andej e këndej të gjithë kufijve që na i ka vënë natyra, apo politika, dhe të cilët janë bërë paçavure në këtë kohën e internetit dhe atë të integrimeve euroatlantike? Si thoni, e lëmë luftën dhe vazhdojmë tutje me mjete të tjera? Luftojmë sa luftojmë dhe pastaj ulemi në tavolinë dhe pimë kafe. Edhe rezultatin e rregullojmë në tavolinë?
Pra, si thoni, ka ndonjë dobi politike nëse i lejojmë serbët të na mundin në Elbasan? Ata të japin gola e ne të duartrokasim? Apo t’ua mbushim portën me topa dhe… të duartrokasim? Nëse mundemi, golat do të ishin përparësi edhe në tavolinë. Unë them të bëjmë marrëveshje. Marrëveshja e ngre kalanë. Si thoni ju?
E di se tifozeria do të më shpall tradhtar, se Prokuroria do më ve në dyshim për kurdisje loje dhe qytetaria për ndërhyrje të politikës në sport, por duhet rrezikuar. Pastaj, sport i thonë kur dy popuj jetojnë në ethe para një ndeshjeje dhe kur për një ndeshje mobilizohen më shumë policë, shërbimet sekrete e madje edhe segmente të armatës, sikur në një kërcënim lufte? Luftë vëlla i thonë, luftë, veç tash me mjete të tjera! Vazhdim i luftës me mjete të tjera, si do të thoshte dikush dikur për politikën. Sidoqoftë, jemi në sferën e politikës kudo.
E zëmë se i lejuam të na mundin. Po profiti politik do të thoni ju? I rritë kjo gjasat që Asociacioni i Komunave Shqiptare në Jug të Serbisë, së paku më lehtë të pranohet nga tifozët serbë, populli serb dhe nga vet shteti serb? Po e pranuan tifozeria dhe shoqëria civile, u krye… Bac. Se, tash edhe politika elektoratin e ka në stadiume.
Se asociacioni në Luginën e Preshevës, tema më e re më nxehtë e politikës rajonale, do të pranohet nga politika, kjo dihet. Do të pranohet se nuk ka rrugë tjetër. I mbylli rrugët e ikjes vetë Serbia, me angazhimin e saj për Asociacionin Serb në Kosovë dhe tashmë nuk e kthen dot lojën në fillim. Do ta humb sërish në tavolinë. Nuk e thotë dot: “Vlen për ne, por jo edhe për ju”, dhe të shtojë se angazhohet për parime evropiane. E kanë kuptuar se arbitrët tashmë nuk shiten as nuk blihen dot. As Rusia nuk ka veto. Kështu që janë hutuar keq. Ju kujtohet të dashur lexues, se Platini u dyshua publikisht se ishte korruptuar nga serbët të cilët e paskan ndihmuar të ngjitet në krye të Federatës botërore të futbollit? Ata kishin Platinin, e ne zgjodhëm De Biasin…! Ah, këto “mjetet e tjera”!
E, kur jemi te korrupsioni, këto ditë edhe vet Murat Meha, pinjoll i një familjeje luftarake, milioneri ynë i vogël, u akuzua njëjtë se ishte korruptuar nga… dikush! Kjo nuk do të bëhej e madhe fare në Kosovë, ku korrupsioni është mënyrë jetese e (pu)shtetit, sikur këto të mos konsideroheshin “mjete të tjera” në luftën për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Krejt kombi thirret në këmbë, sepse na shkuan livadhet, stanet, ndërkohë që askush nuk do me e punua tokën as me i kullotë delet ndër stane, por nejse. E çka të bëhet me delet more vëlla? Po futi në politikë o Ramush, se mos ka pak dele në politikë?
Pas krejt kësaj zhurme, mediat nuk e kuptuan se çfarë po ndodh realisht, por e regjistruan se Ramushi e shau diçka Muratin!
E, tema jonë e sotme është si me i pengua temat politike të rrëshqasin në front të vërtetë lufte, nëpër baltë dhe si me i bartë në… tavolinë. Falë angazhimit qytetar e katundar sot, një betejë nuk arrin të shndërrohet në luftë. Ajo po vazhdon me mjete të tjera. Eh, kështu e ka kjo punë mor vëlla. Fillon në politikë e përfundon në seks apo te trashëgimia kulturore. E pse jo edhe te futbolli, se futbolli është kulmi i politikës. Jo kot Shqipëria zgjodhi De Biasin, një italian. Serbët e kanë kuptuar menjëherë hilen. E zgjodhën për me e ba Shqipërinë e Madhe! Po pra…! A nuk ishte Italia ajo që e theu kufirin dikur?! Kaq duhet për të u ngritur teoria e konspiracionit.
Përndryshe, as mos dyshoni! Serbët i ka kapur frika para ndeshjes në Elbasan. As në luftë nuk frikësoheshin kaq. Atëherë ia fusnin me “shlivovicë”, një raki e sertë kumbullash kjo, apo me “koka” dhe bëheshin me flatra, por në stadium në Elbasan nuk futen dot nën ndikime të tilla “ideologjike”. Mos u befasoni nga termet dhe situatat, sepse përpara ideologjia i printe “materies” e tash në kohën e mediave ndodh e kundërta: për çdo “materie” ngrihet në këmbë një ideologji në vete.
Nuk janë “plisat” ideologji? Apo “tifozët Kuq e Zi” ? Apo “varrmihësit”, si quheshin dikur tifozët e Partizanit të Beogradit? Kujtohet dikush e pyet: a nuk drejtonte presidenti aktual serb një ndërmarrje për menaxhim varrezash? Qe, themeli për një teori tjetër konspiracioni. Shto “frankenshtajnin” dhe… kompletohet!
E, mediat serbe po qesin tym nga spekulimet. Tym e flakë po qet Serbia hiq pa e shkrep Selman Kadria. Po e dini se Selmani ishte ai që e vrau Milliq Kërstën, dhe thuhej se e dridhi Serbinë, por… lëre krejt. Serbët asokohe nuk kishin ent sizmologjik dhe nuk kishin regjistruar ndonjë termet. Por, kohë tjera, mjete të tjera.
Pra ,mediat serbe po spekulojnë për gjithçka, deri te provokimi i mundshëm në Elbasan… me himnin. Veç mos të na prekin në himn, po thonë. Ata i ka kapur frika se në vend të himnit “Bozhe pravde” që është himni zyrtar i Serbisë, do të ekzekutohet ai “Hej slloveni”, pra himni i dikurshëm i ish-Jugosllavisë. Kjo do të thoshte se Shqipëria nuk e njeh Serbinë, edhe përkundër faktit se e ka njohur shumica e vendeve të botës. Por, edhe nëse e njeh Rama, nuk e njohin dot tifozët “Kuq e Zi” . Reciprocitet vëlla. Njiheni Kosovën, ju njohim!
Jo, nuk bën! E kemi njohur tashmë: Rama ishte në Beograd, e Vuçiqi në Tiranë, e mbase vjen edhe në Elbasan me e pa ndeshjen. Nuk e dërgon dot vëllain si bëri Rama, sepse ai ka prirje të nxis sherre me Policinë, siç pat ndodhur gjatë “parakalimit të krenarisë” në Beograd. E pat rrahur Policia, pa u kuptuar se për çka. Thjesht e rrahën se ishte “vëllai i shtetit”.
Por, diçka po zihet. Lufta me mjetet e tjera po vazhdon. “Ballisti” po bën biznes kombëtar nëpër Prishtinë, me opozitën kryesisht, siç njoftojnë mediat kosovare dhe ato serbe. Ka shumë gjasa që konspiracioni tashmë është në vlugun më të madh. Të mësuar të luftojnë në fushën e luftës, me tanke e topa, serbët nuk po përshtaten dot me luftë totale para mediave dhe po bëjnë gabime serioze në hapa.
Gjendja në tryezat strategjike serbe duket kaotike. U stresuan për Elbasanin e u “plasi” Presheva. U stresuan për aplikimin e Kosovës në UNESCO dhe Rita Ora u ul t’i shkruajë letër OKB-së. E, çfarë të bëjë me gjithë këta policë, xhandarë dhe ushtarë kur lufta po humbet “me mjetet e tjera”?
Kanë thënë se “lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera”. E, serbët deri vonë besonin veç në “Kallashnikov”…!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPërse Shakira nuk është martuar akoma me të dashurin dhe babanë e fëmijëve të saj, Gerard Pique?
Rrëfimi i Avril Lavigne për sëmundjen e rëndë: Më është dashur të pranoja se po vdisja dhe e ndjeja sikur më shuhej trupi
Gerta flet pas incidentit: Nuk kam për qëllim të dëmtoj sytë e Gjestit
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Pas trajtimit në spital, Gjesti kthehet në Big Brother
Incidenti i radhës në Skenderaj, digjet me benzinë posteri i Albin Kurtit
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Gerta flet pas incidentit: Nuk kam për qëllim të dëmtoj sytë e Gjestit
Gerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Babai i Haalandit thumbon keq Arsenalin pas turpërimit që i shkaktuan Man Cityt
A është ende e sigurt të fluturosh me aeroplan? Ekspertët e aviacionit japin 'verdiktin e tyre' pas incidentit në Uashington
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet