LAJMI I FUNDIT:

“Zyra për ankesa”!

“Zyra për ankesa”!

“Alo, alo…”! Duke e kujtuar këngën e dhimbshme e cila përflet “zemrën e sëmurë” të Don Zhuanit tonë lokal, do të thoni me vete se filluan temat verore! Do ti, vajton ai fatin e tij të mjerë në dashuri! Për të shprehur krejt këtë dhembje të mbledhur duq në zemrën e tij të lodhur nga emocionet që nuk marrin përgjigjen e pritur, ai përdor metaforat nga më të krisurat! Sikur opozita nganjëherë! Çfarë nuk bën për t’i rënë në sy të dashurës së llastuar! E, ajo, e preokupuar me rreshtin e pafund të “zemrave të thyera”, nuk po e vërente pikërisht atë! Ah! Poshtë Qeveria, klith ai, pa e kuptuar as vet se si vreri i jetës së përditshme përzihet me helmin e dashurisë! Definitivisht politikën tonë e ka zënë dashuria!

Për me e ruajt qetësinë në shpi, duhet qartësuar se nga të gjitha organet e trupit, në shkrimet tona mund të flitet vetëm për zemrën! Gjithsesi duhet të jetë në lidhje me dashurinë, duke u ikur të gjitha kombinimeve të tjera (para)politike të cilat kumbojnë nga raporte sekrete, trafiqesh, të formësuara tashmë edhe në dosje penale të gjykatave “lokale” të cilat kurrsesi nuk po arrijnë të marinë formë institucionale. Kanë mbetur ende veç poli(e)tikë! Politika nuk ka zemër mor vëlla, do të thoni, pse çuditesh? Ka veç sahat me zile, e cila bie çdo katër vjet.

Por, jo! I vetmi organ i cili kësaj radhe ka të bëjë me temën tonë është zemra! Dorën në zemër, pra, zemra si organ, në asnjë raport nuk përmendet si problematike! E kam fjalën për ato raporte të cilat herë pas herë e kërcënojnë Qeverinë e cila, sidomos një pjesë e saj, vazhdimisht është në ikje, por sipas një formule që nuk po e kupton askush këndej, prapë e ke aty. Madje, kur të tjerët nuk duan ta përzënë, ata “vetë-rrëzohen” për t’u ngritur sërish edhe më të fortë! Sa më shumë që e “shpërlajnë” fuqinë, aq më të dukshëm po bëhen!


Këta veç fuqia dhe pesha e vet i rrëzon, po mendoja, duke mos arritur të gjeja formul tjetër për oligarkinë tonë të shurdhër, e cila po bën një jetë simbiotike me burokracinë tonë përplot merita, të cilën fundja vet e formësoi. Të gjitha levat e pushtetit i drejton burokracia, e vendosur njëherë e mirë. Ministrat shkojnë e vijnë pa e kuptuar se si kaluan aq shpejt katër vite. Sistemi punon vet, edhe mos me pasë qeveri fare!

Por, të kthehemi se e harruam zemrën! Por, mos u bëni merak! Pastaj ku burokracia zemër or vëlla. Ajo ka vetëm xhepa. Politika sahat me zile, e burokracia ka veç xhepa! Kombinim që funksionon!

Por, lajmi i mirë është se mund të dashuroheni pafundësisht! Derisa politika dhe pakujdesia e saj brenda dy fushatave zgjedhore ka mbetur problem i përjetshëm i demokracisë tonë të brishtë, problemi i dashurisë është zgjidhur! Qoftë në kuptimin kuantitativ dhe kualitativ.

Uh, po thosha me vete duke kujtuar ditët kur nuk i dalloja kualitetin prej kuantitetit dhe patatet prej domateve. Ishte ajo një kohë e largët. Tashmë patatet fal politikës i kuptuam dhe i dalluam, se me domatet nuk kemi probleme politike, ndërkombëtare, por puna e kuantitetit dhe kualitetit ende ka mbetur e paqartë. Ke shumë lekë, ky është edhe kualitet do të thoni, pra sasia e ndreq jetën. Nganjëherë edhe madhësia, por… po flisnim për politikën dhe qytetarin!

Pra kujdes me konotimet! Nganjëherë njëjtë i bie edhe imtësia! I keni parasysh ato rrotat e imta të mekanizmit social të quajtur burokraci, të cilët me rrotullimin e tyre të përditshëm dhe këmbëngulës rreth xhepave tanë, e kanë “mbështjellë veshkën” dhe jetojnë me gjithë të mirat kur qytetari i ynë, mezi e lidh muajin me muaj, edhe pse kurrë nuk ndalon! Por, kjo nuk është temë verore dhe bie kresë sikur dielli i sotëm.

Pra, zgjidhja për dashurinë dhe zemrat e thyera u gjet! Edhe zgjidhja doli të jetë, askush tjetër përpos, …derri! “Estekfurullah”!

Mediat po thonë se një grup mjekësh francezë tashmë e zbuloi zemrën artificiale, e cila dikur refuzohej nga organizmi i njeriut për shkak të përbërjes së saj plastike. Pastaj, vet materiali është krejtësisht “out” prej lojës së dashurisë! Provoni t’i dhuroni vajzës një lule plastike?!

Por, tash me material të bërë nga lëkura e derrit ajo jo vetëm që nuk refuzohet, por pacientët e moshuar kanë filluar të shijojnë jetën e tyre të re, që ua fali… derri. Kishte dhe ka ende dyshime për paraardhësit, kushërinjtë e largët humanoid, prej të cilëve flitet se e kemi origjinën, por zemra e “majmunit’ nuk e mban presionin e emocioneve njerëzore. Derri po!

“Derr i kënaqur, apo Sokrat… i vuajtur”, kjo po që ishte një dilemë shumëshekullore, ku fitues i padyshimtë ishte derri. Sokrati si gjithnjë në mënyrë metaforike e pi helmin e komunitetit.

Derisa po e ngisja veturën drejt zyrës në njërën nga kodrat e Prishtinës, po e dëgjoja me një vëmendje të përgjysmuar “Zyrën për ankesa”, një emision ky radiofonik, ku qytetarët thërrasin për të përplasur problemet e tyre te moderatori! Shumica prej tyre edhe mbesin aty, duke humbur në një përsëritje të herëpashershme sikur eho në një shpellë të thellë! Thjesht humbet edhe valëvitja e fundit e zërit nëpër “shkëmbinjtë” e burokracisë shumëkokëshe, e cila dihet vetëm ku fillon e kurrsesi ku e mbyll ditën duke numëruar lekët e zhvatura nga qytetari!

“Alo, Qeveria”, “Alo kryetari”, thërrasin në “zyre” qytetarët me ndjenjën se po flasin me të përzgjedhurit e tyre, të cilët pasi i morën votat, ikën secili punës së vet me sloganin tradicional: “Shihemi pas katër vitesh”

Eho e zërit të lodhur të qytetarit valëvitet trishtueshëm nëpër përditshmërinë tonë dhe përzihet me filikaqën e policit të komunikacionit i cili as vet nuk e di pse po i bie. Po kalon dikush me tabela të koduara, të cilat veç ai si duket i kupton!

Alo, alo… a është kush andej?