LAJMI I FUNDIT:

Sovraniteti teorik

Sovraniteti teorik

Kur tirani e ujku arrin të paraqes veten si mace, ndodhë pikërisht kjo! Jo vetëm që Serbia përdhunon sovranitetin e Kosovës, por ajo madje e paraqet shtetin dhe kosovarët si tiranë, si palë që kundërshton normalizimin e marrëdhënieve me ta, sikur të ishim ne ata që kishim vrarë, masakruar, përdhunuar e përndjekur me vite të tëra.

Kur shkon në bisedime, e kur përfaqëson vendin pa pasur me të vërtetë idenë se çfarë je duke bërë, këto ndodhi nuk janë befasi. E kur këto bisedime shndërrohen në mënyrë për të shpëtuar kokën dhe mënyrë për pasurim të pabazë, por që bëhet i ligjshëm (në një mënyre ose tjetër do të thotë pa kursyer askënd), atëherë edhe po të kenë idenë pse kanë shkuar në bisedime, ata e harrojnë këtë qëllimisht.

Kjo temë duhet trajtuar në dy aspekte, atë intern edhe ekstern. Pra, nuk mund të trajtohet vetëm nga brendësia administrativo-territoriale e Kosovës, por duhet dalë edhe jashtë tyre për të përfshirë edhe një grup njerëzish për të cilët shpesh edhe i harrojmë.


Në zgjedhjet e fundit lokale, që u cilësuan si demokratike, serbët e veriut nuk pranuan simbole të shtetit të Kosovës në fletëvotime. Kjo përveç që tregon edhe një herë qëndrimin e tyre ndaj “shtetit të Kosovës”, tregon edhe për faktin se sa duarlirë janë qeveritarët tanë me shtetin “për të cilin” luftuan e u sakrifikuan dëshmorët e kombit. Duke qenë shumë naivë, vendi jonë po shkon dita e ditës drejtë degradimit e shkatërrimit. Në anën tjetër, ne jemi vendi i vetëm të cilit si duket hyrja e forcave të armatosura të shtetit tjetër në territorin e shtetit tonë nuk i duket shqetësuese e alarmante. Kam fjalën për fshatin Karaçevë, atje ku policia e xhandarmëria serbe hynë brenda fshatit…

Ah, KFOR-i është përgjegjës për ruajtjen e kufijve! Atëherë si mund të jemi republikë, si mund qeveria të thirret në sovranitet mbi kufijtë e Kosovës!

Deklarimet e qeverisë dhe kreut të saj janë bërë rutinë. Gjithmonë dëgjojmë deklarime kundër një çështjeje të caktuar, për të pasuar më pas ndryshimi i mendimit rreth saj. Mbase kësaj here mund të ndryshojë kjo. Jo për tjetër, po vetëm se jemi në kohë zgjedhjesh e mbase homologët e shtetit serb do ta kuptojnë këtë!

Ne na thuhet se veriu nuk është shkëputur nga Kosova, se e kemi shpëtuar atë pjesë të vendit. Si e kemi shpëtuar nga shkëputja kur nuk mund të heqim as disa kamion betoni e gurësh nga Ura e Ibrit!

Ura e Ibrit nuk është diç tjetër pos një pikë kufitare e improvizuar! Ajo pjesë madje ka edhe kufi natyral, pra lumin e Ibrit! Nëse Veriun e quajmë Kosovë, pa pasur mundësinë që të vizitojmë atë pjesë, atëherë edhe Kosovën Lindore, bashkë me një pjesë të madhe të Maqedonisë, më pas – Çamërinë e Malësinë po i quajmë gjithashtu Kosovë!

Ah, Policia në veri po mbajka uniforma të Policisë së Kosovës! Edhe më mirë, me marrëveshje i kemi konvertuar strukturat paralele në Policë të shtetit tonë e madje nuk kemi harruar që ta përmendim edhe faktin se pagat do t’i japim ne. Pse jo, t’i paguajmë edhe disa serbë, maqedonas, grekë e malazez vetëm se mbajnë uniformë policie, e kujt i shërbejmë ose kujt i kanë shërbyer nuk ka fare rëndësi. Pra, rëndësi ka uniforma dhe paga dhe krijimi i një fondi për ta (siç kemi bërë me Veriun)!

Nga ajo çka përmendëm deri më tash, shihet se Sovraniteti i shtetit tonë mund të jetë teorik po praktik assesi!

Thirrja për organizim të zgjedhjeve në Kosovë nga shteti serb, prapë nuk është befasi. Marrëveshja misterioze (në kuptimin e gjerë) e Brukselit, të paktën për ata që nuk janë pjesë e takimeve (duke filluar nga opozita e mirëfilltë në Kuvendin e Kosovës e deri te qytetari i thjeshtë si unë e ti) duket se lë hapësirë për interpretim. Një marrëveshje e tillë jo që vetëm nuk është në interes të vendit, jo që vetëm nuk stabilizon gjendjen mes dy vendeve, por ajo favorizon të favorizuarit që shkelin dhe shkel të shkelurit që favorizojnë!

Shtetasit kosovar që kanë edhe shtetësinë e Serbisë sigurisht që duhet lejuar që të votojnë. Kjo nuk duhet mohuar. Pamundësimi i ushtrimit të kësaj të drejte, do të nënkuptonte shkelje flagrante të të drejtave të njeriut. Për këtë ne nuk jemi të njohur. Madje as nuk besoj se do të bëhemi (të paktën në raport me pakicat). Pra, ne duhet të jemi subjekt bashkëpunimi për t’ju mundësuar serbëve në Kosovë me dyshtetësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Çka nuk është dashur të bëhet është licencimi i subjektit politik që bënë thirrje për përçarje e mosnjohje të shtetësisë së vendit (që ndodhi në zgjedhjet e fundit lokale).

Organizimi i zgjedhjeve brenda territorit të Kosovës nga shteti serb nuk do të thotë vetëm ndërhyrje në sovranitetin e vendit. Mos ndryshimi i qëndrimit të Serbisë karshi Kosovës edhe pas gjithë atyre bisedimeve të “suksesshme” mes dy vendeve është mesazhi tjetër që duhet marrim nga ky veprim.

Pra, një herë e përgjithmonë duhet të mësohemi me faktin se Serbia, nuk e njeh, nuk do ta njohë dhe kurrë nuk do të lërë vendin tonë që të shënojë ndonjë arritje. Kjo vetëm përderisa krerët politik nuk tregojnë pjekuri dhe i japin prioritet interesit shtetërorë e para së gjithash atij Kombëtarë duke i vënë para interesave partiake, grupore e individuale.

Bisedimet duhet domosdoshmërisht të shoqërohen nga parimi i reciprocitetit. Ky parim paraqet bazën mbi të cilën duhet zhvilluar bisedimet. Pasojë e mos zbatimit të këtij parimi janë edhe orvatjet e serbëve për të organizuar zgjedhje brenda Kosovës. Me këtë ata tregojnë se Kosovën e konsiderojnë si enklavë të Serbisë, vetëm se tani me një status të veçantë, më një autonomi. Ndoshta pak më tepër se autonomi.

Një status Sui Generis, pra i llojit të vet, një status eksperimental për vendin dhe shtetin e krijuar nga eksperimentet. Vend ky në të cilin eksperimentet dhe provat s’kanë të ndalur. E prova dhe eksperimenti i radhës do të jetë pikërisht organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, çështje për të cilën do të gjendet një zgjidhje eksperimentale nga ndërkombëtarët, që do të pranohet nga kosovarët (nga qeveria aktuale) e do të modifikohet e përshtatet nga serbët!