Po të mos ishte politike, ndoshta asnjë medium serioz nuk do ta regjistronte fare se Kosova* po luan kundër Haitit. Mbase as mediat regjionale. Por, te ne është politikë çdo gjë. Pastaj, ne si komb i përparuar, në shekullin XXI, çdo gjë e bëjmë për herë të parë! Kështu, përpos politike, krejt kjo bëhet edhe historike. Edhe histerike!
Studentët tanë të historisë kanë ikur dikur nga orët, prandaj shumë gjëra po i përsërisim! Në skenë veç toponimet dhe emrat e përveçëm janë të tjerë. Ish-studentët tash qeverisin! Edhe çmimi i shfaqjes është dhjetëfish!
Pavarësisht mësymjes historike në veri, Mitrovica, vetëm prej sot, me të vërtetë do të hyjë në histori! Shpresojmë se kjo do të jetë një ditë historike të cilën do e kujtojmë me gaz e fishekzjarrë, e jo me gjak për dallim prej të kaluarës! Nëse, do Zoti dhe fitojmë, trimat tanë me fletë do të harxhojnë aq municion sa në betejën më të lavdishme çlirimtare. Edhe komuniteti pakicë do të festojë po ashtu, nëse ne humbim! Veç barazimi na shpëton! Pa gola! Përkundër deklaratës së shefit të qeverisë se “kemi me fitue”! Kryeministri sapo është kthyer prej Brukseli! Kanë rënë dakord për rezultatin! Ivica për arsye politike po na lejon edhe me fitue këtë ndeshje! Zëdhënësi i EULEX-it nuk është deklarue, ende!
Ndërkohë, bileta po shkon dhjetëfish! Sërish Mitrovica dhe çmimi i saj politik kanë kapur stratosferën! Po stërshitet, Mitrovica! Ndër dorë!
“Për pa u farue me djem edhe qika, jo nuk ndahet Mitrovica”, kënduam! Mitrovica e ka atë vlerë! Djemtë dhe qikat shpëtuan fatlumnisht, pasi Mitrovica nuk u nda, kështu do të zënë vend në tribinat e gjelbra në Mitrovicën e Jugut. Do të jenë pjesë e historisë!
Mitrovica po feston! I ka marrë ngjyrat e Koresë. Është ndarë në veri dhe jug. Kështu, mediat nga veriu gjithqysh do të kujdesen të theksojnë faktin se ndeshja po luhet në Mitrovicën e Jugut, pa e përmendur emrin zyrtarë të stadiumit. “Do të fitojmë”, premtoi kryeministri. Kjo fitore do t’i lë në hije krejt të tjerat! Veç se kryetari legjendar dhe “Partia e Fortë” nuk është deklaruar se a do të e njoh rezultatin e miqësores, cilido qoftë!
Jo nuk ndahet Mitrovica! Nuk lejon qeveria jonë heroike! Kurrqysh! Asocion në Qipron, e cila, natyrisht as sot e kësaj dite nuk është e ndarë. Gjysma në Evropë, e gjysma në Azi! Nuk e pranojnë as ata! Ujdhesa nga satelitët duket e pandarë!
Përndryshe, strategjia jonë është e tillë: realitetin nuk e pranojmë! Mitrovica është një! Mitrovica e Jugut!
Për këtë, ministri i Brendshëm dhe shefi i tij tashmë virtual, kanë merita (para)historike. Parahistorike, sepse historia po fillon sot! Çmimi i historisë shkon dhjetëfish ndër dorë! E sa kanë fituar nga e kaluara historike, ende nuk janë bërë llogaritë!
Kuptohet, në Facebook, shefi këtë do të e përmend si njërën nga fitoret e tij më të mëdha. Aq më tepër që nuk ka viktima civile, e as rob lufte! Kështu, asnjë tribunal i huaj apo vendor s’ka çka kruhet kësajde!
E kur jemi te meritat, gjynah që edhe golat nuk i merr dot përsipër!
Kur jemi te Facebook-u, data e hapjes së llogarisë së tij, po ashtu është historike! Qytetarët e Kosovës do ta festojnë! Do të pushojmë atë ditë, nuk do të dalin në punë. E vlen, se ai është kreu politik i oligarkisë. Ju e dini të dashur lexues se oligarkia nuk është një shurup kundër kollit apo temperaturës, por është një grup i njerëzve të cilët na mbajnë në grusht: ekonomikisht dhe politikisht. Sidomos kjo e dyta. Këtë e bëjnë përmes shtetit. Me paret dhe me votën tonë! Të dyja na i marrin si t’u teket! Po të duan këta, edhe Lara kur bën viçin e shpallin ngjarje historike. Edhe Isë Boletinit ia mohojnë revolen e dytë! Ose ADN-in!
Kurrkush se din çka bëhet andej Urës së Ibrit. Madje as vet qytetarët. Atje jetohet në gjendje të jashtëzakonshme. E, në Mitrovicën e Jugut jo! Është bërë e zakonshme!
Çdo gjë atje është politikë ose kontrabandë. Ose të dyja bashkë. Se janë të dyja bashkë e ka dëshmuar edhe ligji për amnistinë ku bashkë me amnistimin e serbëve për veprime paralele u amnistuan edhe shqiptarë! Për tregti dhe biznese paralele. Paralele me ligjin.
Përndryshe, kur jemi te kontrabanda, më së shumti kontrabandohet mjegull! Mjegull politike!
Vendore dhe ndërkombëtare! A ju kujtohet filmi “Rojet e mjegullës”, bërë sipas veprës së akademikut të cilin disa me këmbëngulje po e quajnë “baba i kombit”! Shkenca dikur thoshte se pa seks as atësi nuk ka! Klonimi u zbulua vonë! Klonimi në politikë!
Por, as Akademia e Shkencave nuk është pa mistere, pa sekrete. Ka plasë luftë për identitet dhe atësi! Për dallim nga Mitrovica këtu nuk ka stërshitje dhe bileta ndër dorë! Me rëndësi Perëndimi na ka përkundë! Kujt i bënë, për të tjerat!
Kështu, derisa të gjithë akademikët janë njerëz, jo të gjithë njerëzit janë akademikë. Mos i zgjoni! Kur zgjohen, grinden për hiçgjë! Janë lodhur nga stresi për fatin e kombit!
Akademikët konsiderohet të kenë merita të pamatshme për shkencën dhe artin tonë nacional. Nëse një akademik njihet më pak se cilido këngëtar tallava apo sportist i dorës së tretë, ky nuk është faji i tyre. Populli nuk di për të arriturat e tyre të mëdha. As shkenca botërore, apo kontinentale nuk ka dëgjuar! Ata gjithsesi janë të shenjët! Edhe Krishtin, e kishin mohuar, apo jo!
Derisa akademikët grinden mes veti, në Mitrovicë po vlon kureshtja për ngjarjen historike të 5 marsit. Pjesa dërmuese e ekipit do të vijnë këtu nga e tërë Evropa. Do të mbrojnë ngjyrat e Kosovës edhe pse shumica prej tyre kanë jetuar pak ose aspak në Kosovë. Kosova deri tani nuk ka mund t’ju jepte një fanelle të kombëtares, ups – të përfaqësueses së vet.
Tash, duhet pranuar se e kemi një pengesë të pakalueshme e cila nuk na lejon që përfaqësuesen kosovare me e quajt kombëtare. Nëse kombi rrjedh nga shteti, atëherë shumica e lojtarëve janë shtetas të vendeve të tjera. Nëse kombi rrjedh nga etnia, tashmë e kemi një kombëtare!
Tash, nëse nuk pëlqejmë të e quajmë përfaqësuesja e Kosovës, atëherë na mbetet të e quajmë, veç (ndër)kombëtarja e Kosovës. Kombëtarja jonë – ndërkombëtare!
Sikur Mici me top, dikur, në të ardhmen e largët, përmendorja e kryetrimit do të jetë po ashtu me top… futbolli! Historia po fillon… tani!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëGerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
Pas trajtimit në spital, Gjesti kthehet në Big Brother
Gjesti lë përkohësisht shtëpinë e Big Brother VIP Albania
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet
LVV, LDK dhe PDK ndëshkohen me gjoba të majme nga PZAP për shkelje në fushatë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Gerta flet pas incidentit: Nuk kam për qëllim të dëmtoj sytë e Gjestit
Gerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Babai i Haalandit thumbon keq Arsenalin pas turpërimit që i shkaktuan Man Cityt
A është ende e sigurt të fluturosh me aeroplan? Ekspertët e aviacionit japin 'verdiktin e tyre' pas incidentit në Uashington
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet