LAJMI I FUNDIT:

Shën Valentini në Xhaminë e Madhe!

Shën Valentini në Xhaminë e Madhe!

Kiameti nuk vjen me taksi! Vjen me “bidate” të reja! Kështu po e komentonte një komentues anonim “provokimin social” të grupit të vajzave, nga Prishtina, të cilat në sheshin “Skënderbeu” po putheshin në buzë përpara kalimtarëve të hutuar. Jo, mor, me të tjerët! Në mes vete! Femër me femër!

Ani de, se nuk u ba nami, po thoshte një kalimtar! Jam kureshtar me pa deri në çfarë shkalle ka me i vlue ujtë hoxhës së nderuar, po thoshte një tjetër! Po e dini, se ai kujdeset për moralin dhe shpirtin tonë! Të myslimanëve! Ju të tjerët nuk e keni këtë privilegj!

Jo, tamam puna me ardhë me takxi, kiameti. Shtrenjtë bohet! Humori i veçantë i një shtrese të rinisë urbane e cila i ka rizbulu xhamiat dhe librat e shenjët pas një epoke gati disa qindvjeçare të materializmit, dialektik e atij jo dialektik. Veç përpara, po thonë! Krejt janë të parapame, ne veç duhet me i zbatu! Cool! Pse me lodhë kryet! Hoxha i nderum po thotë se në islam jeta është e programueme. Ka instinkt për me ba asi sene, veç sa për shumim! Tjerat, dukuri negative si dashuria e të ngjashme, nuk janë traditë e jona!


Një tjetër, po thoshte: “Ani, çka ka lidhje, veç një puthje koti ishte” ! Përkundër këtij mikut përplot mirëkuptim për prirjet apo dobësitë njerëzore, një tjetër ia ktheu: “E pse çka munden me ba më tepër ato”? Prapëseprapë, me u shtu nuk munden pa neve”! Kështu pak shaka e pak përnime, kaloi pa ndonjë incident, provokimi i parë social, krejtësisht femëror.

E, kryetari i ri i Prishtinës, duke ua uruar çifteve martesën pikërisht në ditën e Shën Valentinit, u tha meshkujve si me shaka? “ Nuk po e dini çka po i bëni vetit”! Rrjedhimisht, erdha në përfundim se më në fund shpëtuam! Tash, femrat po kthehen kundër vetvetes! Po e duan vetveten!

E në epokën e Facebook-ut, do të thoni ju, ky kthim kah fondamenti, ky fascinim me mjekrat, devet, e madje edhe lakuriqët e natës të cilët e paskan sistemin e veçantë të navigimit e të orientimit në terr, janë ba metaforat më të shpeshta në zhargonin e ideokratëve të rinj që po e pretendojnë qeverinë në emër të Zotit! Qytetari duhet veç me e ndjekë programin!

Në Xoutube flasin edhe për qentë e zi. Duhet me i vra krejt, po thonë, se kështu paska qenë këshilluar dikur! Këtu pajtohem, nëse nuk është metaforë! Nëse është fjala për qentë endacak që në grupe po shëtisin lirshëm Prishtinës, pajtohem plotësisht. Veç mos me i nda për nga ngjyra.

Ministri i Brendshëm do të duhej të merrej më shumë me këtë, e më pak me opozitën. Veç mos le të e merr ai vet pushkën në dorë. Kur e pyetën përse e la briskun e kirurgut për politikën, ai u ankua se patën filluar të i dridheshin duart! Pra, as për pushkë nuk është tashmë. Mos gjuaj vet, ministër. Po nisesh me e vra ndonjë qen të zi, e po e vret ndonjë tjetërfare! Apo…! Le krejt! Mos e prek pushkën! I ke ROSU-të! Le t’i tredhin qentë pasi në veri… u pa puna.

E, Facebook-u nëpër këto qarqe, pak a shumë është bërë si literaturë armiqësore. Për femra. Se për meshkuj nuk ka pengesë.

Sipas medias, kështu e paska pësuar një vajzë fatkeqe nga Siria e cila nuk i ka marrë seriozisht fjalët e militantëve se “bidatet” e reja duhet me i injorue. Nuk ka më like, like, like… në Siri!

Mediat thonë se vajza, sipas Sheriatit, u dënua me mbytje me gurë sepse krijoi një llogari në Facebook! Një mik i imi në Faceook tha se ky ishte një lajm i rremë! Ndoshta edhe është! Uroj të jetë ashtu!

Tash, a ma mirë me mbytë me gurë apo me e lejue me ba çka të don, do të të thonë “gardianët” e moralit publik. Nuk ka mundësi tjetër! A nuk po e shihni se si po dalin vajzat lakuriq, në foto, klithin ata! Tregojnë të pasmet, gjinjtë, gjithçka.

Po, pra! Facebook-u i ka fajet, se ndër ne, Tuna citohet më shpesh se Marxi dikur. “I jemi, i jemi” është bërë si slogan parazgjedhor!

Kështu, Valentini, në mesditën e të premtes shkoi në xhaminë kryesore të kryeqytetit, në Xhaminë e Madhe dhe e fali drekën. Pastaj doli i lehtësuar sikur njeriu që ka kryer një obligim dhe duke marrë me vete një ndjenjë përkatësie e cila do ta shoqëronte tërë javën. Në përmasat mediale të globalizmit, ai që nuk përket diku ndihet si një atom, i vogël! Qy atom, subatom vëlla! Por, prandaj ekzistojnë vëllazëritë!

E, Shën Valentini kësaj radhe ra në të premten. Rastisi!

Sapo doli nga Xhamia e Madhe i frymëzuar nga fjalimet e hoxhës së nderuar, i hodhi në shportën më të afërme lulet plastike që i kishte blerë për të dashurën. Se te ne lulet e vërteta kushtojnë tepër shtrenjtë për xhepin e tij. “Remember me”, seç iu kujtua fjala e asaj e preferuar, sa herë që ndahej nga ajo! Thuajse ai do t’i ikte. Ndaheshin për të shkuar secili në konviktin e vet. “Remember me” , i asocionte edhe me një dyqan lulesh të freskëta, të cilit kishin kosto të papërballueshme për xhepin e tij prej studenti. Hajt mo! S’ka festë! Kësaj radhe nuk e puthi si zakonisht, në ndarje! Është haram!

No Valentine day… I am muslim! Mos festo, se nuk o kultura jote! Kështu po e përmblidhte hoxha i nderuar ligjëratën e tij për Shën Valentinin. “Bidat” i ri. Atak në moral. Konspiracion global kundër myslimanve! Mobilizim, vllazën, mobilizim!

Po, dashuria është konspiracion, hoxhë i nderuar! Pajtohem! E thyen çdo program! Hyjnor apo tokësor! Sepse dashuria është hyjnore vetvetiu, në çfarëdo forme që të shfaqet! Të gjithë librat e Zotit flasin për dashurinë! Ndërkohë që urrejtja është krim edhe kur promovohet në emër të Zotit, në emër të kombit apo të kujtdo!

Nejse, nuk ishte veç hoxha ynë i nderuar në “out” kësaj radhe! Edhe Fisi nuk ishte në element. Nuk më pëlqeu aksioni i tij me e veshë Newborn-in me uniformë. Pavarësisht se të kujt janë! Prit, veç kur t’e marrin për krime lufte!

Është dashtë me e veshë me pizhame, Fis! Me pizhame prej marketeve perëndimore, natyrisht! Mos me lënë dilema kah po dojmë me shkue! Veç uniformë jo!

Pastaj, republika i ka ba veç gjashtë vjet, Fis! Nuk është për ushtri ende! Sapo ka dalë prej “pampersi”! Apo nuk ka dalë, ende?!

Pastaj, boll me ushtri e luftëra Fis! Boll me policë e paramilitarë, që janë ba heronjtë tanë! Pozitiv e negativ, militarizëm është!

Paqe, vëlla!

Demilitarizim vëlla!