LAJMI I FUNDIT:

Pesë për qind!

Më vjen sa turp, sa keq, apo siç do thoshte gjyshja ime e ndjer, “shumë rëndë me këtë gjendje që jemi dhe që na sundon”. Jemi mësuar që të jemi më shumë optimistë edhe për shumë punë që janë shumë më shumë se pesimiste. Kjo është ajo që me shekuj ka mbajtur shqiptarin në gjendje të fortë edhe kur ai ka qenë i mbathur me këpucë, edhe kur ato kanë qenë të grisura, madje edhe kur ka qenë këmbëzbathur. Por, kjo ka qenë në koha kur shqiptari ka pasur më shumë nevojë për lirinë të cilën pa të drejtë ua rrëmbyen.

Me këtë nuk kam tendencën që t’ju paraqes një kronologji historike të gjendjes së shqiptarëve, pasi një gjë të tillë më mirë se unë shumë herë do e bënin historianët tanë të shumtë. Ajo që më brengos mua është pesë përqindëshi i 25 përqindëshit të shqiptarëve të Maqedonisë.

Dikush mund të hutohet e të thotë çfarë fletë ky njeri, se shqiptarët në Maqedoni janë më shumë se 35 për qind, por esencën nuk e kam të paraqes numrin statistikor të shqiptarëve në Maqedoni.


Draft-projekt-buxheti i propozuar nga Qeveria e Maqedonisë parashikon mjete buxhetor me vetëm 5-6 për qind për projekte kapitale, kulturore etj., për viset shqiptare në Maqedoni. Kjo, sipas një logjike të shëndoshë, do të ishte jo vetëm poshtërim për shqiptarët e edhe nënçmim i djersës së tyre që në mënyra të ndryshme arrin në arkën shtetërore.

Me këtë edhe njëherë dëshmohet kapaciteti politik i partisë shqiptare në pushtet, ndërsa shteti ndaj qytetarit shqiptar tregon diskriminim ekonomik. Nga këtu vjen në shprehje propozimi i opozitës shqiptare për ndarje të barabartë të buxhetit shtetëror dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve për temat ekonomike, sociale dhe kulturore.

Ky diskriminim ekonomik është i padrejtë, pasi në bazë të të gjitha ndryshimeve që janë bërë në kushtetutën e Maqedonisë, atyre ju takon 25 për qind e buxhetit.

Një alternativ tjetër që mos të kemi diskriminim ekonomik në baza etnike është që ndarja e mjeteve të këtij buxheti mos të bëhet në baza etnike, por sipas nevojave. E, kur jemi te kjo, viset shqiptare dhe komunat shqiptare kanë më së shumti nevojë për zhvillim ekonomik, kulturor, social etj.

Edhe njëherë u dëshmua se maqedonasit kërkojnë vetëm nga ne të respektojmë dispozitat të cilat ne ua imponuam për veten tonë, ndërsa ata ende vazhdojnë me avazin e vjetër të diskriminimit.

Kur njeriu i hip kalit mbrapshtë, ai e tërheqë mbrapshtë.