LAJMI I FUNDIT:

Modelet e (mos)suksesit!

Po e nisi me modelin ekonomik gjerman! Jo se jam ekonomist, por sepse (mos)suksesi i modelit ekonomik përjetohet! Të gjithë jemi kompetent! Kështu, kancelarja gjermane njihet në vendin e vetë për politikën e saj të hapave të vegjël. Njihet si pragmatike ndër bashkëvendësit e saj. Besohet se me politikën e saj ajo e mbajti stabil vendin e vet përgjatë krizës së fuqishme që tronditi globin. I kaloi telashet me hapa të vegjël! Hap pas hapi! Falë kësaj, shteti më i fuqishëm i Evropës vazhdon të jetë i tillë.

Për dallim, “kancelari” ynë është njeri i hapave të mëdhenj! I hapave historik! Ai nuk i zgjidhë telashet! Ai i krijon! Pastaj thërret krejt botën për t’i zgjidhur! Çdo gjë që bën (vet)quhet historike, pavarësisht a është humbje apo fitore. Për të zgjuar nga gjumi edhe ata të cilët eventualisht flenë dhe nuk e përjetojnë këtë fitore, kujdesen tupanxhinjtë e surlaxhinjtë (jo)zyrtarë.

Krejt kjo, përndryshe, cilësohet si mençuri e pafund! Globale! Nuk është nacionale! E ka me të leme, e jo me të bleme, po thoshte një kolumnist i yni duke e krahasuar me mbretin Zog! Sikur donte të këshillonte opozitën tonë revolucionare: “Mos bëni revolucion, mos e përzini… se kthehet pas gjashtë muajsh, prej të njëjtit vend nga ku u kthye edhe Zogu, pas revolucionit të qershorit! Pastaj, vetshpallet mbret”!


Për dallim prej kancelares, e cila ka staf shumë të përgatitur, “kancelari” ynë të gjitha meritat i ka të vetat. Kushdo që dallohet për merita të veçanta, sidomos negociuese, të cilat mund ta rrezikojnë imazhin e tij, mbetet pa to. Mbetet pa merita. Mbetet pa post ! Ose edhe… ndryshe! Se ai din edhe… ndryshe!

Por, të kthehemi te meritat. Këto merita kryesisht lidhen me rrugët me katër korsi, të cilat pas një kohe lëshojnë bark, por ka merita edhe për marrëveshjet ku ai gjithnjë lëshon pe. Se, pa kompromis nuk arrihet as një marrëveshje, thonë ndërmjetësuesit tonë ndërkombëtarë, dhe ai… gjithnjë bën kompromise. Kuptohet, askund nuk ka rrugë që nuk “lëshojnë bark”! Dallon kohëzgjatja! Diku pas 20 vjetëve, e diku pas disa muajsh! Por, si mendoni ju, për çka thirret në bisedime “kancelari” ynë? Dikur pyesnin për dikë: për çka thirret në dasmë! Tash, kjo lidhet me bisedime! Për me ba kompromis, po thonë protestuesit!

Nashtë! Llajk e ka! Edhe këto janë merita! Nëse jo kombëtare, atëherë janë ndërkombëtare!

Kështu, krenaria kombëtare e quajtur autostrada e kombit, me emrin e ish-presidentit historik të Kosovës, po arnohet. Rruga e cila po kryhej me shpejtësi marramendëse, para kamerave, vetëm për të prerë shiritin “kancelari” ynë, jo vetëm se nuk është kryer ende, por po punohet … për së dyti. Në dy vende me gjatësi disa kilometra, autostrada nuk është më me katër korsi, por me dy! Pikërisht në sezon! Përmes “kunjave” të kuq sinjalizues, detyrohesh të kalosh nëpër labirintin e gjatë dhe të ngushtë, sikur një rrugë fshati! Ah, deti…!

Si duket, për këtë arsye autostrada paska pasur këtë çmim! E paskan ditur që duhet të punohet së paku dy herë! E ne mendonim se ajo çka do të tepronte nga shuma reale ishte paraparë për t’u ndarë në mes vete! Pra, në mes politikanëve! E pranoj, e paskam pasë gabim!

Por ta lëmë pak këtë dhe të merremi me një analizë interesante të njërit nga kolumnistët e “The Wall street Journal Europe”. Ai shkruan për storiet të cilat gjermanët ia tregojnë vetvetes. A e merrni me mend se çka i tregojnë vetvetes, gjermanët?

“Në Berlin ende mund të rastisë të dëgjosh”, thotë ai, “se Gjermania ka përparuar sepse ajo shet më shumë se sa që blenë dhe për shkak se fiton më shumë sesa që harxhon”.

Lexojeni këtë dhe mos besoni! Formula e suksesit nuk mund të jetë kaq e thjeshtë!

Por, të shohim se si po përparojmë ne duke blerë më shumë sesa që shesim dhe se si po jetojmë duke harxhuar më shumë se sa që fitojmë. Askush nuk e di, sepse është formulë sekrete e esnafit tonë (para)politik! Askush nuk e kupton se si arrihet deri te milionat, deri te veturat e shtrenjta, apo banesat luksoze me rrogat e tona të buxhetit. Dikush po thotë se mjafton me e gjet mënyrën që prokurori mos me u marrë me ty, derisa të bësh milionin e parë! Mos me të paditë për vepër penale. Sepse, sipas ligjit, mund të konfiskohet vetëm pasuria e krijuar me vepër penale. E çka është vepër penale e përcakton ligji, prokurori edhe… politika. Pra, nuk e votojnë! Është koalicion interesi, pavarësisht prej partive!

Tash çelet rruga për të folur për kontributin e pamohueshëm që Qeveria jonë dhe strategët e saj ekonomik e financiarë ia dhanë shkencës botërore dhe të flitet më shumë për modelin ekonomik i cili funksionon mbi baza krejtësisht të tjera nga çudia ekonomike evropiane që quhet Gjermani. Në fakt, ne në Kosovë importojmë 90 për qind, ndërkaq eksportojmë rreth 10 për qind! Ne harxhojmë shumë më shumë sesa që fitojmë. Dhe… kjo funksionon! Se si e arrijmë këtë, kjo nuk mund të kuptohet nga librat. Duhet të jesh vendor, të jesh pjesë e e familjes. Se, Qeveria jonë kujdeset për familjen!

Po përflitet se për këtë po bisedon në heshtje edhe Akademia suedeze! Çmimi Nobel mund të vijë edhe në Kosovë. Në fund të fundit ky çmim u themelua për me e kujtua njeriun që e shpiku dinamitin dhe u bë i pasur! Përndryshe, Kadareja po e pret me vite por… nuk ka mjaftë imagjinatë! “Kancelari” ynë, po!

Nobelin për marrëveshje ose për mosmarrëveshje! Sepse, askush s’po e merr vesh se si u bind ky popull se po ecim përpara ndërkohë që blejmë shumëfish më shumë sesa shesim dhe se harxhojmë shumëfish më shumë se sa fitojmë!

Tashmë me të madhe po festohet në qarqe të mbyllura. Tupanxhinjtë dhe surlaxhinjtë e qeverisë ja kanë nisë me i ra në të thatë. Askush nuk po e di pse, por po i bien. Seç mu kujtua një mesele, se ne i duam meselet!

Njëherë moti, një tupanxhi dhe një surlaxhi po e lajmëronin iftarin, duke shëtitur lagje më lagje. Atëherë nuk kishte xhamia me zmadhues. As minare me elektrik. As ders në Youtube! Kështu ata përfunduan në një lagje fanatikësh të një besimi tjetër. Kur këta të fundit e kuptuan këtë si provokim dhe filluan t’i ndjekin, surlaxhiu e fshehu surlën e vet nën pallto. Tupanxhiut i mbeti tupani në dorë! Ku ta fshihte?! Ku të fshihej gjithë ai tupan! Kështu… surlaxhiu shpëtoi!

Natyrisht, kjo është veç një mesele! Kjo nuk ka të bëjë asgjë me mediat tona të cilat i thurin himne qeverisë dhe i satanizojnë kundërshtarët! Se, qeveritë shkojnë e vijnë si ka thënë populli, e mediat… mbesin!

Edhe në mos past thënë, populli… punë e madhe! E ka thënë dikush! Edhe ai “dikushi” është… popull!