LAJMI I FUNDIT:

Vlerat e (pas)luftës

Lufta jam unë, apo kështu ngjashëm, paska thënë dikur një mbret në kulmin e (pa)fuqisë së vet! Apo ka thënë “Shteti jam unë”?! Duke marrë parasysh se sipas teorisë, edhe sipas historisë, së paku asaj që e njohim ne, lufta krijoi dhe vazhdon të e krijojë shtete, atëherë kjo i bie njëjtë. Ata janë vetë lufta, vetë shteti. Ata janë gjithçka. Ne jemi kurrkush. Luftëtarët dhe qytetarët!

Ne veç dalim të votojmë se ashtu thotë ligji. “Qytetari është në themel të shtetit”, bën shaka ligji! Apo e ka përnjëmend?! Por, për të funksionuar demokracia te ne, nuk është e domosdoshme as të dalim të votojmë. Ata edhe për të votuar, votojnë për ne. Ata janë, demokracia vetë. Zoti i ruajt! Prej vetvetes, se prej nesh nuk kanë ndonjë rrezik.

Se çfarë vlerash lanë pas vetes ushtria dhe policia serbe, ata të cilët e ndezën dhe e zhvilluan luftën në këtë vend, tashmë e dimë! Është statistikë! Rreth 12.000 të vrarë. Rreth 2.000 të zhdukur, fati i të cilëve ende nuk dihet! Në fakt, nuk dihen varret, se fati tashmë është i qartë! Rreth 500.000 të trajtuar nëpër stacionet policore. Pak më pak se një e treta e popullsisë! Disa qindra mijëra shtëpi të djegura!! Dëmet materiale, nuk po i përmendim. E kush mundet t’i llogarisë?


Nuk llogariten dot as donacionet e pasluftës të cilat erdhën nga të gjitha anët, dhe një pjesë e madhe e tyre u kthye ashtu si erdhi, pa mbërri te qytetari! Erdhën e shkuan vetëm nëpërmes letrave. Por edhe burokracia duhet të fitojë diçka! U shpërlanë! Por një pjesë e madhe e ndihmave edhe mbeti. U rindërtuan shkollat, spitalet, shtëpitë. Rifilloi jeta…!

Por, edhe qytetarët e thjeshtë e bënë një luftë. I thanë jo Serbisë. I madh e i vogël, me përjashtime simbolike, i thanë jo një shteti që llogaritej superfuqi e rajonit. Nuk arritën të na bindin të delegojmë përfaqësues as në asambletë lokale, as në ato qendrore. Nuk u dhamë legjitimitet! Prandaj na larguan nga puna! Na burgosën. Na rrahën. Na frikësuan, e na ofenduan! Në fund fare, edhe na përzunë nga shtëpitë tona. Dy të tretat e qytetarëve të këtij vendi. Deshën të ndajnë atë që natyra e bëri bashkë. Njeriun dhe tokën. Bujkun dhe arën. Shtëpinë dhe pronarin e tij, i cili e ndërtoi dhe në të cilën jetonte jetën e vet prej robi. Fëmijët dhe kopshtet.

Ikëm. Ikëm se prapa kishim një ushtri të mbushur plot urrejtje dhe një shtet që udhëhiqej nga njerëz që përsërisnin në vete: “Shteti jam unë”, “Ne jemi zotërit e luftës dhe paqes”, “Ne e djegim dhe e fikim kur të duam”! Kështu mendonin ata që pastaj zhagiteshin nëpër gjykata ndërkombëtare. Duke filluar prej kryetarit të shtetit, e duke u pasuar nga gjeneralët! Por, ideologët po vdesin me vdekje të natyrshme!

Luftën na e ndezën ushtarakët e frymëzuar nga memorandumet mesjetare. Nuk e deshëm! Ne u gjendëm në mes të luftës të papërgatitur. Nuk donim luftë! Ose thënë më thjeshtë, nuk donim luftë të armatosur! Po e zhvillonim një formë lufte të cilën bota po e përcillte me vëmendje! Por, fqinjët tanë, po synonin të na shkatërronin një herë e përgjithmonë. Këtë po e bënin me programe.

Por disa djem dhe vajza nuk u tremben. Filluan të e kontestojnë këtë çmenduri mesjetare që po riprogramohej në rrethana moderne. Këtu, në këtë guxim u vunë themelet e shtetit të ri. Pastaj radhët e ushtrisë së re u shtuan, për aq sa rritej dhuna. Por, krejt po zhvillohej tepër shpejt dhe joproporcionalisht me mundësitë tona! Krejt kjo u shformësua në një skenë ku dhjetëfish më shumë ushtarë pushtues ndiqnin grupet tona të vogla guerile, me popullin nëpër këmbë që nuk dinte nga të ia mbante.

Pastaj, ata thanë: po e përzëmë këtë popull se po na pengon për të mundur guerilët, të cilët po duan të na e shkatërrojnë shtetin, vlerën tonë më të madhe. Fetishizimi i shtetit ishte aq i madh sa e mohonte edhe njeriun, edhe lirinë. Mohonte edhe qytetarin e vet, edhe neve që na konsideronte ardhacakë! Çmenduria e tyre kishte arritur kulmin. Pastaj filluan bombardimet. Bota, nuk mundi me e pa më këtë mizërie. Televizionet globale e trazuan jetën e rehatshme të qytetarisë evropiane dhe botërore. Ndërhyrja ishte e ashpër. Hakmarrja serbe edhe më e ashpër.

Qindra e mijëra njerëz, të pambrojtur, të uritur po shkryheshin nëpër kufijtë, korridoret humanitare si i quante dikur ish presidenti komunist maqedonas, Gligorov. Për një “vekne” bukë jepeshin qindra marka konveritbile, e dikush edhe më shumë. Qoftë në valutë, qoftë në materie! Kështu arrijmë deri në paqe. Bombardimet sollën paqen! Dilema mbetet veç kush i solli bombardimet!

Derisa pak ditë më parë, luftëtarët e ushtrisë guerilase, shikonin përmes dylbive të snajperëve të tyre, gratë edhe fëmijët e tyre kah përcillen nga policia dhe ushtria serbe drejt kufirit, duke dhunuar dhe vrarë, të pafuqishëm për të bërë më shumë, në qershor 1999, ata hynë triumfalisht në qytete dhe u vendosën në kazermat e improvizuara. Bëhen fuqi! Kërkojnë respekt! Popullata i gëzohej ushtrisë së vet, por i gëzohej edhe ushtrisë ndërkombëtare!

Kush ishin çlirimtarët? NATO? UÇK? Apo të dyja bashkë?! Kompromisi i përkohshëm u gjet! Kjo e mbante shpirtin e popullit bashkë! Thuhej se kjo ishte guerilja me aviacionin më të fuqishëm në botë! Kjo e ruante sedrën!

Por, në rrugë ndodhnin skena të cilat shumëkush nuk arrinte të i kuptonte. Ushtarët e huaj, çlirimtarë çarmatosnin ushtarët lokalë, po ashtu çlirimtarë! Kishte raste kur i shtrinin për toke dhe i mbanin ashtu para qytetarëve. Pas një periudhe edhe filloi një proces demobilizimi! Demilitarizimi! E së fundmi edhe gjykime me pretendime për krime lufte! Ish luftëtarët po thërrasin me alarm se po goditet lufta. Pastërtia e saj!

Me asistencën ndërkombëtare, i ndërtuam institucionet dhe nxorëm ligjet! Por, në vend të luftës, në themel të institucioneve dhe të demokracisë u vu vota. Kjo nuk i gëzoi të gjithë. Ka qytetarë të cilët mendojnë se ka një vlerë mbi të gjitha vlerat! Ata e quajnë “vlerat e luftës”! Sjelle kah të e sjellësh “Lufta” duhet të qeverisë me “Paqen”!

Të nisur nga kjo ide në luftën për pushtet, u përdorën mekanizma formalë dhe joformalë. Kjo e krijoi një konflikt në mes të qytetarëve të zakonshëm dhe njerëzve me merita. Të parët kanë votën të cilën ua garanton kushtetuta, ndërkaq të dytët kanë fuqinë e cila dikur ishte veç ushtarake e më vonë u bë edhe ekonomike. Së fundmi edhe politike!

Këtu vijmë te fillimi! Kush është më i vjetër: veja apo pula? Vota apo lufta? Cilat janë vlerat e luftës?

A është vota e lirë një vlerë të cilën e solli lufta? A është paqja vlerë e luftës, apo nuk është? A është shteti vlerë e luftës? A janë të drejtat dhe liritë e qytetarit vlerë e luftës? Nëse nuk janë, atëherë për çka u bë kjo luftë? Shumë pyetje?

Pjesa dërmuese e efektiveve të NATO-s tashmë kanë ikur nga këtu! Kanë mbetur vetëm një pjesë që garanton paqen. Edhe një pjesë e madhe e ish luftëtarëve është rikthyer në kazerma, aty ku e kanë vendin ushtarakët! Pjesa tjetër ka shkuar në histori! Përkujdesjen për ish luftëtarët e merr përsipër shteti. Shteti e garanton edhe trajtimin e njëjtë para ligjit! Se në demokraci ka vetëm qytetarë, të barabartë përpara ligjit! Si në njohje të meritave ashtu edhe në llogaridhënie! Ose së paku kështu duhet të jetë, në parim!

Por, një gjë është e sigurt: hapi i parë deri te përgjigjja është guximi për të shtruar pyetje esenciale! Kutia e pandorës është hapur…! Ky mund të jetë katarsisi ynë!