LAJMI I FUNDIT:

“I dashur, armik”!

Është ngatërruar lëmshi. Edhe nocionet politike, po ashtu! Deri më tani, “armiku i brendshëm” në bashkëpunim me “armikun e jashtëm” kanë punuar bashkë për me i rrëzua qeveritë “popullore”.

Në rastin tonë “Sui generis” po punon vetëm “armiku brendshëm”. “Armiku i jashtëm” po bashkëpunon me qeverinë. Qeveria, në bashkëpunim me “armikun e jashtëm” po e lufton “armikun e brendshëm”. Kaq për retorikën qeveritare!

Ndërkohë, prej Brukseli na erdh haberi! Kanë hangër, e kanë pi…! Kështu deklaroi Ivica! “Dreka e fshehtë” u dekonspirua! Mish viçi, ëmbëlsirë dhe verëra…!


Me rëndësi se nuk janë servuar territore. Kosova nuk ndahet, u betua sërish kryeministri. Athua, a është vizatuar në ndonjë “salvetë” organizimi i brendshëm i Kosovës? Nuk dihet ende! Por, do të vizatohet gjithsesi! Edhe informatat do të rrjedhin! Quhet rrjedhje e kontrolluar e informatave!

Por, mos u merrni me detajet, se e kujt ishte vera? Ishte vera nga bodrumi i baroneshës apo nga buxheti i BE-së. Kjo as që është me rendësi. Nëse BE e ka problem të mbuloj këto shpenzime, buxheti i Kosovës nuk e ka problem. Ky i yni, si e dimë edhe nga faturat qeveritare, përfshirë edhe disa nga ministrat , është merakli i verës, drekave dhe darkave, d.m.th. nuk bënë shumë naze për të paguar. Deklaratat e Ivicës, pra, mbeten krejtësisht të besueshme edhe pse u shpallën jo etike nga bashkëbiseduesi i tij.

Publiku kosovarë dhe një pjesë e koalicionit qeveritarë të cilët ende e kujtojnë namazin e këtij tonit bashkë me kryeministrin turk, në xhaminë e madhe në Prishtinë, duhet të jetë befasuar pak. Vetëm pak, sepse nga përvoja e dinë se kryeministri ynë sillet sipas rastit. Kur është në xhami natyrisht se merr avdes, e kur shkon në dreka zyrtare, pi! Ai e di kur duhet të pijë. Kur pi shefi, pi edhe ai. E pse të mos pijë?!

E parimet? Disa radhë më poshtë do të flasim për parimet për aq sa ka parime në politikë. Kjo gjithsesi është tepër e rëndësishme. Por, mbi të gjitha atmosfera e takimit të dytë duket se ka qenë më e mirë sesa në takimin e parë, i cili dorën në zemër po thuhet se ishte përcjellë me tone “kërcënuese”. Ivica sapo e paska takuar kryeministrin tonë, i paska thënë: “Do të duhej të të arrestoja”!

Por, të kthehemi te parimet! “Për të qenë i suksesshëm në politikë duhet të ngrihesh mbi parimet e tua”, thotë një nga ligjet e Marphyt! Duhet pra të kuptosh se ato që duhet të respektosh nuk janë parimet e tua, por ato të shefit. E në politikë gjithkush e ka një shef! Pra, parimet e tua , nëse nuk je vet shefi, del të jenë një barrë dhe pengesë e panevojshme për të u ngjitur në karrierë! Së paku kështu thotë Marphy! Pra, kur jemi te parimet, renditja është e qartë për secilin që synon suksesin: interesat, pastaj parimet. Parimet e të fortit! Nëse je i pafuqishëm, interesi yt i vetëm është që pa komplekse të rreshtohesh në vagonin e fundit të kompozicionit. Atë kompozicion që e udhëheqë një lokomotivë e fuqishme. E në lagjen tënde mund të bësh çfarë të duash! Mund të thyesh të gjitha ligjet që i ke nxjerrë vet dhe të rrahësh opozitën për të njëjtat shkelje! Të rrahësh “armikun e brendshëm”.

Por, ta lëmë pak diskutimin në nivel parimorë e të kthehemi te Ivica.

E Ivica paska hjekë keq në Bruksel. Si deklaroi edhe ai vetë, paska pi veç ujë mineral! Verën, betohet ai përpara mediave të vendit të tij, nuk e paska vënë fare në gojë. Ai nuk pi kur ka takime të rëndësishme. Madje as ëmbëlsirat nuk i ka kërkuar fare. Se mos ka shkuar për qejf dhe ëmbëlsira atje! E ka kusht për BE! Ai është çelësi i suksesit!

Përndryshe, si mësojmë nga YouTube , një version i paautorizuar i historisë më të re, ai e paska si shprehi të japë deklarata të tilla! Përmes deklarimeve rreth ushqimit dhe pijeve ai shpreh esencën e takimeve! Kështu, pas një takimi “krejt të parëndësishëm” në Sarajevë, derisa po luhatej për shtat palë qejfe nën logon e ministrisë së tij të Brendshme, Ivica po jepte deklarata për arsyet e vizitës së tij në Bosnje. “Unë erdha në Sarajevë të pi kafenë e tradicionale boshnjake”, tha ai, “e ndërkaq ju më ofruat espreso”!

Dukej fort i zhgënjyer Ivica dhe si duket nga dëshpërimi kishte pirë shumë! Vijat e fytyrës i ishin zbutur krejtësisht, e gjuha i ishte rënduar aq shumë, sa opinioni në Serbi e kishte kuptuar! Pija po ndikonte keq te ai. Rakia e zbutë shumë, e bënë madje simpatik! Kështu harron mësimet e mësuesit të vet shpirtëror. Kjo, sipas tyre i dëmton seriozisht interesat nacionale serbe. Imazhi i tillë nuk është kompatibil as me seriozitetin dhe reputacionin e presidentit aktual të tij. Presidenti i tij perceptohet si njeri serioz dhe nga simpatizantët e vet ende quhet me përkëdhelje “Varrmihësi”!

Prandaj, Ivica ka me kujdes pijen. Si të gjithë ata që pinë me qejf, deklarohet se nuk ka pi! Ndoshta vetëm një gotë! Se opinioni e përcjellë me vëmendje çdo hap të (krye)ministrit të tyre! Çdo dridhje gjuri hapë spekulimet për rikthimin te gota dhe rrezikim të interesave nacionale. E ai nuk bënë të tradhtojë sikur bënë “Gratë në të Zeza” në protestat e tyre. Ato e pranuan pavarësinë e Kosovës, si i pranuan publikisht edhe tabu të tjera për krimet dhe kriminelët në protestat e tyre. “Gratë në të zeza” janë vejushat, nënat apo motrat e të vrarëve serbë në luftërat e fundshekullit të kaluar!

Por, pavarësisht të gjithave, kryeministri ynë u ndje i prekur nga deklaratat e (krye)ministrit serb. Madje, i quajti jo etike! Me të drejtë! Ata bashkërisht po e “bëjnë” historinë. Janë përzgjedhur, pa votat e publikut, të jenë pjesë e këtij reality show që moderohet nga baronesha. Ec e mos u prek pastaj me Ivicën që po jepte deklarata të pamatura të tipit “unë s’kam pirë, ai ka pirë “!

Këtij tonit, të prirë si është për mistifikime, sikur asnjëherë tjetër i kanë rrjedhë në opinion detajet nga “dreka e fshehtë”. E, ky u kushton aq shumë kujdes detajeve. Jeta e tij politike përbëhet nga detajet. Me detaje merret! Se strategjia i vjen e gatshme!

Disa nga opozita, pa të drejtë e akuzojnë qeverinë se nuk ka strategji! Derisa opozita po merret me strategjinë, dialogu po ecë pa strategji! Është caktuar edhe takimi i tretë!

E ku i dihet?! Ndoshta nuk është krejt pa strategji?! Ndoshta krejt strategjia e ka vetëm një synim: me e “pi” Ivicën! Por, tani për tani… Ivica nuk po pi!