LAJMI I FUNDIT:

“Tre gjermanët e trashë”

Nuk e di a janë të trashë apo të hollë, kjo mbeti e paqartë, por kur mbeti në të “thatë”, pa ndonjë argument serioz se përse duhet me çdo kusht të refuzohen saktësimet që po i kërkonte opozita për ligjin “anti-mafi”, ministri i Drejtësisë nxori nga xhepi, si “joker”, tre gjermanët e tij.

Me argumentet që po i nxirrte opozita kishte rrezik që pjesa jokorruptive dhe idealiste e shumicës parlamentare të rebelohej dhe të mos e votonte ligjin me emër të ngatërruar ( qëllimisht). Nëse u besohet fjalëve të opozitës , qeveria synon të legjitimojë paranë e vjedhur publike pikërisht përmes këtij ligji me emër të ngatërruar. Pra, po e lënë me qëllim një vrimë në “gardh” për me kalue…!

Fillimisht,ministri e akuzoi opozitën se nuk e ka lexuar draft-ligjin deri në fund! Pastaj se nuk e ka kuptuar atë. Kështu prej terrenit të argumentimit profesional e barti diskutimin në terren spekulativ. Në terren të grindjes ordinere! Është e qartë se ai nuk po fliste me opozitën. Ai po u drejtohej simpatizantëve të vet para kamerave dhe mediave të cilat qoftë direkt apo të nesërmen do të emetonin apo përfolnin fjalët e tij. Gjestet e tij do të përfoleshin nëpër oda dhe kafene. I ka shkelur, kanë me thënë!


Tanë kohën kujtuam se po e mbronte një ligj të cilin e ka shkruar vetë, apo së paku ka qenë bashkautor, apo do të ketë kontribuar në çfarëdo mënyre, çka do t’i jepte njëfarë legjitimiteti për të sfiduar opozitën. Por jo! Edhe ministri e paska lexuar vetëm formën përfundimtare të ligjit. Nuk paska shtuar asgjë! Pastaj i ka paguar përkthyesit që e kanë përkthyer atë. Simpatizantët e partisë, të cilët ligjin e kuptojnë edhe më pak se opozita, me të cilët grindej ministri, supozoj se do të jenë marrë vetëm me retorikën “rrënuese”. Po bre,“ i ka shkel”!

Por , ministri duket se ishte shumë i shqetësuar për fatin e ligjit që po sponsoronte, dhe i cili sipas opozitës, paraqet ligjin themelor për me e mbrojtë këtë klasë të pasuruar kryesisht duke shfrytëzuar monopolin e pushtetit.Gojkëqijtë përmendin tenderët, privatizimet, patundshmëritë,ndërtimet etj!

E të shkelurit e vërtetë, publiku, paratë e të cilëve kanë përfunduar në kontot apo thasët e kush e di se kujt, vetëkënaqen duke e parë opozitën të shkilet përmes një votimi arbitrar, përmes numrave të blerë apo të shantazhuar, ku votojnë edhe politikanë që drejtëpërdrejt janë të interesuar për privatizimet, e të mos flasim për ata që synojnë të fshihen pas ligjit për pasurinë e fituar paligjshëm. Për ta, këtu e tutje mund të flitet vetëm pas dënimit të plotfuqishëm.

Pra,kur mbeti pa argumente valide, ministri i Drejtësisë e nxori Jokerin. Nxori nga xhepi i këmishës “ tre gjermanët e trashë”. Tash, të trashë a të hollë mua më mbetet vetëm të supozoj dhe spekuloj, pasi autorët nuk u përmendën ose unë e kisha lëshuar atë pjesë. Autorët nuk ishin aty për të mbrojtur draft-ligjin. Sidoqoftë “Tre gjermanët e trashë” nga seria e famshme, ende nuk u mësuan me politikën dhe strategjinë gjeniale të pronarit të hotelit të famshëm “Te Ganiu”, pra vetë “Ganiut” dhe logjikën e kulturën e tij të biznesit. Por, së paku ata po na bëjnë me qeshë. Gjermanët edhe Ganiu!

E, edhe ministri veç sa nuk i tha opozitës, “nashtë, për veti e keni”, në një séancë parlamentare ku edhe shefi ishte prezent, “vetvetiu”!

Por , nuk është krejt zi! Ishte një rrethanë lehtësuese dhe kjo do të duhej të ishte argument i mjaftueshëm që opozita, përkatësisht pjesa më e madhe e saj, të mos diskutonte fare. Pra ligji ishte falë. E kalit të falur, nuk i shikohen dhëmbët. Kështu ka thënë i “moçmi”.

Nejse,u përmend se për këtë ligj qeveria e ka paguar vetëm përkthimin. E kur është falë, edhe “ufull” bën me pi, kanë thënë!

Ndërkohë që ligji është në harmoni të plotë me të drejtën evropiane, betohet ministri. Natyrisht, kjo as që vihet në dyshim, sepse tre gjermanët, të trashë apo të hollë, nuk mund ta kenë gabim. Flitet se, megjithatë, ekspertët vendorë, gjatë përkthimit mund të kenë përshtatur ndonjë nen apo aline. Por opozita nuk e ka origjinalin, apo nuk dinë gjermanisht, e autorët gjermanë nuk dinë shqip…!

Nejse, cilët do qofshin autorët, të hollë apo të trashë, diskutimet u mbyllën me kaq. Së paku në parlament. Vetëvendosja nuk guxoi si duket të rrezikojë më tepër, dhe pas anatemimit si antiamerikanë të përballet edhe me akuzën si antigjermanë.

Ky ishte argument përmbyllës. Ministri s’ka kurrfarë interesi prej këtij ligj, as kryeministri. Gjermanët e kanë shkruar. Qeveria vetëm e ka përkthyer. Të gjithë të kënaqur: edhe krimi edhe antikrimi. Përveç opozitës. Por, opozita po ia fut kot, në tym, se … nuk i ka numrat.

E ministrit,disa nga opozita i janë bërë edhe opsesion,si e pranon edhe vetë në foltore, prandaj edhe i përmend vend e pavend.

Si përfundim: ligji kaloi! Numri i votave, falë një pjese të drejtpërdrejtë të interesuar të opozitës, doli të jetë i mjaftueshëm. Falënderimi u shkon edhe një pjese që abstenuan. Qoftë nga pozita apo opozita. Në fakt, duhet pranuar se janë ngatërruar konceptet pozitë e opozitë. Sidomos kur janë në pyetje ligjet që kanë të bëjnë me privatizimin dhe korrupsionin.

Për aq sap po shoh unë, ministri i ka mshelë të gjitha shtigjet. Veç një shteg ka mbetur çelur. Propozoj që opozita të gjejë përkthyes të mirë dhe versionin shqip të ligjit ta përkthejë sërish në gjermanisht dhe t’ua dërgojë tre autorëve gjermanë për lexim, dhe njëkohësisht të luten të dërgojnë vërejtjet e tyre.

Pasi që ka shumë gjasa që autorët të mos njohin draftligjin e tyre, dhe të dërgojnë shumë vërejtje, është e ndershme t’iu thuhet: “Zotërinj, ligji është aprovuar në Kuvend me shumicë votash! Zoti ju faltë “.

Në fund duke lavdëruar bashkëpunimin vendor dhe ndërkombëtar, qoftë pro apo kundër krimit, po e sjellim edhe një deklaratë shpresëdhënëse nga niveli më i lartë. Ministri gjerman i Mbrojtjes nuk ishte mirëkuptues me EULEX-in. Ishte kritik! Veç se nuk u tha se i kanë qitur në një vend me qeverinë. Rreth krimit dhe korrupsionit.

E këta, sikur përbetohen se po e ndjekin bashkë krimin!