LAJMI I FUNDIT:

Një ditë do të bëjë diçka të madhe për vendin tim…

“Një ditë do të bëj diçka të madhe për vendin tim, por nuk dua të ngutem!Dua t’u tregoj të gjithëve se ky vend është i mrekullueshëm“!

Këto fjalë nuk dolën nga goja e ndonjë politikani, apo biznesmeni që i ka borxh këtij vendi për pushtetin apo pasurinë që e krijoi këtu. Këto fjalë i shqiptoi në Prishtinë një 21 vjeçare për të cilën nuk kemi ditur asgjë deri para pak kohe. Ajo ishte vetëm një nga qindra e mijëra fëmijët tanë të diasporës.

Pastaj shpërtheu në përmasa globale talenti i saj dhe shpërtheu edhe mallëngjimi i saj prekës sa herë përmendet vendi i origjinës. Në fakt,ajo e përmend këtë gati vend e pa vend! Ajo është krenare me këtë, në kohën kur shumë nga ne që jetojmë në Kosovë sot kemi shumë dilema njerëzore, morale e identitare si pasojë e jetës së vazhdueshme nën stres dhe modelit qeverisës të spektaklit permanent.


Nuk jemi krejt të sigurt se sa është i mrekullueshëm ky vend ku nuk jetohet aq mirë, ku qeveria është qendra e botës tonë të vogël, ndërsa qeveritarët njerëzit më të pasur të vendit më të varfër në kontinent.

Kështu, këto ditë, në kohën e skandaleve me njohjet dhe rrënimin serioz të imazhit të shtetit të ri si pasojë e korrupsionit galopant dhe krimit të organizuar që bashkëjeton me qeverisjen, “Newborn”-i përsëri doli në mediat globale. Atëherë kur mendohej se politika e odave e kishte komprometuar definitivisht frymën urbane të këtij vendi, erdhi Rita në Prishtinë dhe performoi mbi këtë simbol të Kosovës ndryshe, nën përkrahjen e dhjetëra mijëra fansave të saj të mbledhur spontanisht! Kështu simboli për të cilin diskutohej se çfarë të bëhej me të, përsëri u bë pjesë e krenarisë tonë, dhe po merr kuptim të ri!

Falë zotit, ajo nuk erdhi në funksion të njohjeve, sepse do të dështonte. Kështu nuk i frikësoi as zv. kryeministrin e as ministrin e Jashtëm me ndonjë konkurrencë të re, por ka ardhur vetëm për të bërë klipin e saj të ri. Edhe nëse nuk përmbush kurrë premtimin me të cilin e filluam këtë tekst, ajo me suksesin e sajë planetar, me deklaratat e saj “mburravece” për origjinën kosovare, ka bërë për imazhin e mirë të Kosovës po aq sa kanë bërë skandalet e qeveritarëve për imazhin e keq të vendit. Me vetëm një vizitë pune, ajo bëri më shumë se kompanitë e shtrenjta të cilat qeveria dikur i kishte angazhuar për të “bërë” imazhin global të e kosovarëve të rinj. Këto kompani kishin marrë dikur miliona euro për efekte minore.

E kosovarët e rinj, të shkapërderdhur globit po shpalosen me sukseset e tyre për të cilat Kosova nuk mundi të bëjë diçka që ia vlen të përmendet,sepse ata i tejkaluan përmasat e Kosovës.

Krejt këtë ajo e bëri me dëshirën dhe iniciativën e saj, sepse ajo nuk është përgjegjëse për të ndërtuar imazhin e vendit, por duket se ajo e ndien se mund të bëjë diçka për vendin e saj dhe po merr përgjegjësi! Apo, ndoshta është thjesht vetëm thirrje e gjakut.

Ndërkohë që edhe ministri i Drejtësisë është i përgjegjshëm. E pranon ekzistencën e krimit të organizuar dhe korrupsionit në gjyqësi! Por, për dallim ai nuk ndihet përgjegjës me ndërmarrë diçka! Në një intervistë të këtyre ditëve ai po thotë,pak a shumë, se nuk është përgjegjësi e tij për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në gjyqësi. Pushtetet janë të ndara- na mëson ai në një leksion akademik për demokracinë.

Edhe “pushtetarët” në gjyqësi nuk janë deklaruar ende se a është përgjegjësi e tyre për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në politikë dhe qeverisje.

Apo nuk duan të përzihen sepse respektojnë parimin e pushteteve të ndara?!

Duke u nisur nga këto (mos)deklarime, po supozoj që ekziston një marrëveshje gjentelmene që të mos “ngucen” mes veti. Mos më nguc, nuk po të nguci! Po pra, nuk duhet të ndërhyjë politika në gjyqësi! Pushtetet janë të ndara. Pra, as gjyqësia të mos ndërhyjë në politikë! Kështu po i bie, apo e kam gabim?

Dorën në zemër më duhet të pranoj se jam pakëz konfuz me këto pushtetet tona të ndara. Edhe kryeministri përkundër deklaratave të forta, e ka dëshmuar se e respekton parimin e pushteteve të ndara. Pret që gjyqësia të bëjë autokritikë. Që gjyqtarët të vetëshkarkohen e të shkojnë vetë në Dubravë! Edhe presidentja e vendit e do kryesimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit!

Për të marrë udhëheqjen në këtë drejtim, ata lobuan deri në Departament të Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Në fund, ata mbajtën shumë mbledhje dhe arritën rezultate. Arritën një konsensus të llojit: “Ujku i ngirë e delet në numër”!

Tash, mos më kapni për fjale! Nuk jam duke thënë se politika janë ujqërit,e krimi delet! As të kundërtën. Qysh po duket slogani më i përshtatshëm do të ishte: |”Ujqit e ngirë, e ujqit në numër! E delet? Qy delet!Ti që pyet,qenke dele fare!

Tash gjërat janë kompletuar. Tash i kemi të gjitha çfarë i duhet një shteti për të qenë shtet (ballkanik): Presidenca ka këshill antikorrupsion, Kryeministria e ka po ashtu të vetin, pastaj kemi Agjencinë Kosovare për Antikorrupsion, shoqërinë civile e cila po ashtu po e lufton korrupsionin në bashkëpunim me qeverinë dhe ndërkombëtarët! Krejt i kemi!

Edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin i kemi! Madje,sipas raporteve dhe deklarimeve të përgjithshme ndodhet në kulmin e fuqisë së vet. Si kuçedra. Sa më shumë e godasim i dalin koka të reja! Madje, ka zëra që thonë se ata qeverisin me vendin. Bashkë me komisionet dhe agjencionet! Shpesh në asistim edhe të shoqërisë civile! Por këto janë veç zëra opozitarë… apo të disa mediave joqeveritare.

A mendoni ju se anëtarët e komisioneve antikrim dhe antikorrupsion, të jenë dele? A mendoni se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dele? Jo,pra! S’ka dele! Të gjithë jemi Mic Sokola!

Të gjithë, pra janë aktivë në mënyrën e vet. Të gjithë janë në lulëzim të plotë. Krimi dhe antikrimi! Disa flasin e disa veprojnë. Politika, gjyqësia dhe shoqëria civile kryesisht flasin, diskutojnë. Diskutojnë me zjarr!Të tjerët bëjnë llogaritë dhe veprojnë pa zhurmë. Të gjithë marrin nga buxheti i lodhtë i shtetit për të luftuar korrupsionin dhe krimin në shtet. Antikorrupsioni dhe korrupsioni. Kufiri mes tyre është bërë krejt imagjinar. Ka shumë që mendojnë se shumë njerëz të krimit të organizuar dhe korrupsionit, punojnë edhe për shtet. Edhe anasjelltas. Në fakt tashmë pakkush e di kush për kë punon. Me rëndësi është se në vendin tonë të vogël e të bukur ka vend për të gjithë! Peace brother!

Të parafrazoj sërish fjalët me të cilat startuam këtë kolumne! Kjo vajzë gjithsesi do të bëjë diçka të madhe për këtë vend! Ajo e do këtë vend me dashurinë e paprishur të fëmijës!

Ndoshta jo krejt pa arsye, ministrit të Kulturës të këtij vendi po i dridheshin duart derisa po i dorëzonte “Okarinën” Rita Orës! Përmasat e saj globale e emocionuan çunin e dikurshëm i cili u përpoq të kombinonte repin dhe folklorin lokal dhe humbi origjinalitetin i kapur në rrjetin e ngatërruar të klaneve.

Ndoshta e kuptoi tashmë se mund të jesh patriot edhe pa ditur mirë shqip, edhe pa kënduar për mite dhe legjenda, qoftë të vjetra apo të reja, për të cilat nuk dihet ku e kanë fillin e ku fundin!