LAJMI I FUNDIT:

As mos e mendo, kauboj!

Në Ballkan përsëritet një fjalë e urtë popullore e cila ka kuptim të thellë sa filozofik aq edhe strategjik. ”Uji ecë, gurët mbesin”! Kush po shkon e kush po mbetet?

Pasi mori dekorata dhe mirënjohje nga të gjithë ata që i kishte pru në pushtet ose i kishte fuqizuar direkt apo indirekt, shkëlqesia e tij, ish-ambasadori i SHBA në Kosovë, Christopher William Dell, po shkon. Për dikë vetëm Kris, për dikë “Dell”, sidoqoftë me paraqitjet dhe veprimet e veta pakkënd e la indiferent, sidomos shoqërinë civile dhe publicistët.

Kishte kaluar mjaftë kohë prej se një diplomat të krijonte aq shumë turbulenca në një vend aq të vogël, si Kosova, ku avionët e NATO-s asnjëherë nuk arrijnë të zhvillojnë shpejtësinë dhe mezi arrijnë të marrin kthesën për mos e kaluar kufirin. Kufirin problematik!


Ai nuk u mjaftua të ishte vetëm kryediplomat në këtë vend, por ai u fut thellë edhe në politikë. Gati drejtpërdrejtë! Anoi haptazi, negocioi koalicione, emëroi e shkarkoi… bëri çka deshi vet!

Por, po duket se po shkon çartaqejfas, i kontestuar, sepse mekanizmat dhe metodat e veprimit të tij për pjesën kritike të shoqërisë ishin krejtësisht të dyshimta, si korruptive, antidemokratike dhe në fund të fundit joefektive, sepse në vend se të zgjidhnin problemet, ato u bënë vetë problemi.

Por, për dallim prej të gjithë të tjerëve, ai u lëshua edhe në polemika të drejtpërdrejta duke faktorizuar pjesën kritike të shoqërisë. Ndërkohë që duke i përdoruar metodat pak a shumë komuniste të diskreditimit dhe ekskomunikimit, ai u përpoq të defaktorizojë të gjithë ata që nuk dëgjonin, hirësinë e tij. Publikisht, denjoi të futej në luftë vetëm me një “antiamerikan” me përkrahje tashmë të dëshmuar amerikane, qoftë përmes donacioneve, qoftë përmes kontakteve të niveleve serioze të cilat i mban ai. Provoi edhe me Fisin, por… vetëm bëri reklamë për “The Pimpsons”.

Të kthehemi, te i pari! Para se të shkojë, shkëlqesia e tij, Christopher William Dell, bëri hakmarrje të pazakonshme publike ndaj tij. Përmes një sulmi “ad hominem”, që do të përdoret si rast shkollorë në kurset tona të gazetarisë, ku do të mësohet se si mundesh me e devalvua një personalitet dhe ambiciet e tij krejtësisht legjitime duke përdorur retorikën spekulative.

Pra, z. Dell po shkon! A ishte ai magjistari prapa perdes, I cili në ekstazë harrohej fare dhe dilte në skenë bashkë me mikrofonin? E kumbonte, kumbonte. Na bëri magji?! Apo, ishte vetëm një rrotëz e vogël në mekanizmin global diplomatik të SHBA. Krejtësisht e vogël për ambiciet e tij.

Mijëra diplomatë, të cilët Sekretarja e Shtetit gjithsesi as nuk arrin t’i mbajë mend me emër, e sjellin mekanizmin e fuqishëm global të superfuqisë së vetme e cila ishte dhe mbetet mburoja jonë kryesore. Duket stresuese të jesh me ambicie të mëdha, e të mbetesh vetëm një rrotëz e vogël.

Por, kjo “rrotëz e vogël”, e quajtur Christopher William Dell, te ne mori përmasa gjigante. Nëpër ekranet e dirigjuara, shkopi magjik i i tij merrte mendtë dhe thyente kokat publike. Ai e heshtte opozitën me një të tundur shkopi, me një të sharë me “antiamerikan”!

Ka që mendojnë se “Ai” nuk mundi të përballonte emocionet e fuqishme popullore ndaj SHBA, por vendosi t’i (keq)përdorë ato për promovim personal dhe grupor. Kjo e bënte atë të mos dukej ai që ishte, një rrotëz e vogël e një aparati gjigant diplomatik, por të merrte edhe përmasa të cilat, për shumëkënd, ai nuk arriti t’i përballonte me dinjitet.

Por, z. Dell po shkon! Amerika mbetet ndër ne! Vetëm kështu, pa pasur nevojë për ndonjë fakt shtesë po e kuptojmë, të gjithë ne, edhe ata që pohonin ndryshe andej dhe këndej vijës së kuqe qeveritare, se Dell-I dhe SHBA nuk qenkan një. Ai ishte vetëm një “rrotëz e vogël”, e cila në vendin “kërkund” e përfaqësonte një fuqi të madhe. Rrotëza e vogël e cila nga ambicia dhe kushedi çka tjetër filloi të sillej krye më vete !

Edhe pas shkuarjes së tij teatrale, flamuri I SHBA-ve valon, dhe do të valojë po aq krenarë në Ambasadën Amerikane dhe në të gjitha organizatat amerikane në këtë vend. Madje, si askund tjetër në botë flamuri amerikan shihet edhe në tavolinat e në zyrat e të gjithë zyrtarëve kryesorë në këtë vend. Edhe në festat tona popullore. Zoti edhe Amerika, thonë njerëzit tonë!

Por, para se të shkojë, ”Ai” i la edhe një letër përshëndetëse personit I cili guxoi të pretendojë postin e presidentit , kur atë e qitën në pazar. Kur këta e zhvilluan lojën e famshme: “Ky bënë, ky nuk bënë”! Me sms-a, apo me zarfe!

Në këtë letër, z. Dell, pasi e përmend grantin njëmilionësh prej SHBA-ve, e akuzoi pretenduesin, krejtësisht të ligjshëm për president, se kishte bërë sulm “ad hominem” ndaj tij. Delli i mirë! Më në fund shfletoi edhe literaturën elementare të retorikës, por prapë me mendjemadhësinë e diplomatit që identifikohet me vendin e fuqishëm që përfaqëson, harroi se pikërisht ai që nga fillimi kishte përdorur një sulm “ad homminem” të pastër me atë “zvarritjen e pretenduar” në rezidencën e tij, apo me etiketat për antiamerikanizëm.

Ai dhe figurinat e tij të dyllta politike, kishin përdorur kryesisht “ ad homminem” të pastër ndaj opozitës duke i eliminuar të gjitha kritikat e tyre me akuzat për antiamerikanizëm apo për antikombëtarizëm. Kush përmendte vjedhjet rreth autostradës, ai ishte kundër autostradës! Kuptohet, edhe antikombëtarë. Kush nuk pajtohej me Dellin , ishte antiamerikan. Sipas kësaj, më së shumti antiamerikanë paska në vet SHBA, sepse gati gjysma e popullatës, nëpër anketat e ndryshme nuk pajtohet me presidentin Obama. Por, ku Obama, e ku z. Dell. Me Obaman mund edhe të mos pajtohesh, pa ndonjë rrezik me të shpallë antiamerikan. Por, jo edhe me shkëlqesinë e tij, ish-ambasadorin e SHBA në Kosovë, z. Christopher William Dell!

Kushdo që nuk pajtohej me të, ose me kryeministrin, gjithsesi fitonte një etiketë, diçka me “anti”.
“Ai”, në letër lamtumirëse, harroi të përmendte se, në fakt, argumentimet e formës ”ad hominem” e “ad popullum” ishin kulmi i “mjeshtërisë” retorike të tij dhe të qeverisë të cilën ai e “paketonte si një hamburger”!

E kur jemi te “zvarritja”, a nuk qenkan zvarritur të tjerët? Sepse, duhej dikush tjetër… sepse “Hashimi paska reputacion të keq te ndërkombëtarët” ? E përse Delli e përkrahte aq fuqishëm një personalitet i cili paska reputacion të keq te ndërkombëtarët? Kishte ndonjë interes tjetër? Pyetjet mund të marrin përgjigje me kundërpyetje !

Tash kur vërtetë po shkon , disi krejt janë relativizuar dhe e kemi të qartë se po reagon ndjenja e hakmarrjes. U bëre edhe ti “shqiptar” dhe inatçi duke “mbjellë kunguj” me ne! Eh…!

Për fund, si duket paksa i kompleksuar para intelektualit të cilin e “masakroi” publikisht me “zvarritjen “ e famshme, ”Ai” sikur deshi të dëshmohet se lexon edhe, libra. Madje se lexon literaturë të “rëndë”.

Z. Dell shprehej se ishte në mëdyshje kë të citojë, se cili autorë I shkon atij më shumë “për fytyre”. Unë gjithsesi e rekomandoj Shekspirin! Jo se z. Dell e ka gjenialitetin e autorit, nuk mendoj ashtu, por sepse ai ka shumëçka nga personazhet e tij.

Ah, z. Dell, po shkon, duke lënë dërrasat e teatrit politik të quajtur Kosovë, pa një regjisorë të talentuar, gati magjistarë! Apo, ndoshta dikush do të thotë se ishte vetëm një sufler (pëshpëritës) të cilin politika lokale e rriti përtej përmasave reale, për me u fshehë pas tij? Nuk do të jetë e lehtë të përballohet mungesa e tij në skenën politike!

Por, z. Dell u përpoq të na ngushëllojë! Tha se do të vijë, qoftë edhe privatisht!

Gjithsesi se mund të vijë, se Kosova pretendohet të jetë një vend i hapur dhe demokratik. Por, mos të përpiqet të na ngushëllojë që po shkon!

“As mos e mendo, kauboj"! Është e pamundur! Mbetemi të pangushëlluar, përjetë! Të lutemi, na lerë të e shijojmë këtë ndjenjë!