Reflektime mbi jetën, frikën dhe mëshirën, përmes analizës së filmit “Musíme si pomáhat”
Vendlindja është vendi i kujtimeve dhe i ngushëllimeve shpirtërore ku kthehet njeriu edhe në ëndrra. Atje janë miqtë, identiteti, streha dhe shpëtimi. Vendlindja është si një mit i mirësisë, i afërsisë ndër-njerëzore dhe i humanizmit, që të ofron siguri në momentet më të rënda të jetës. Sepse, vendlindja është vendi i vatrës e magjive që lindin dhe mbajnë gjallë ëndrrat.
Rrënimi i këtij miti është plagë që të bënë ta humbasësh besimin në njerëz dhe në njerëzi. E, gjasat për këtë zhgënjim nuk janë të vogla, sepse nën maskën e puritanizmit e të moralit, të një jete të dirigjuar nga frika dhe bindja, njerëzit shpesh fshehin fytyra tjera. Ata mund të jenë si personazhet e filmit “American Beauty” (Bukuria amerikane, 1999), të cilët në fund – për të keq apo për të mirë – ndryshojnë nga perceptimi fillestar.
Me njerëz dhe fat të tillë u ballafaqua hebreu David – një nga personazhet kryesore të filmit çek “Musíme si pomáhat” (“Të ndarë ne dështojmë”, sipas përkthimit amerikan), me regji të Jan Hrebejk.
Vdekja si shpëtim
Pas invadimit gjerman në Çekosllovaki, Davidi dhe familja e tij detyrohen të largohen nga qyteti në të cilin kishin investuar kapital material dhe njerëzor. Miqtë e dikurshëm i përcjellin hebrenjtë duke e lëshuar aty-këtu ndonjë fjalë, si: “e tmerrshme”, “duhet të jemi optimist”…
Në fytyrat e çekëve vërehet një huti, ndërsa në fytyrat e hebrenjve dhembja dhe zhgënjimi: punëdhënësit e dikurshëm – shpresa dhe shpëtimi ekonomik i një vendi në kohë krize – po largohen e askush nuk e merrte guximin që t’u dal zot.
Në ato çaste kurrkush nuk e dinte se cila do të jetë rrjedha e një pushtimi që tërë botën më vonë do ta fuste në luftë. Frika për ekzistencë i bënte çekët të veprojnë sipas ligjeve dhe urdhrave të pushtuesit!? Kjo frikë dhe kjo bindje e abstrahon moralin e dashurinë, duke e reduktuar interesin shoqëror në interes familjar apo individual.
Davidi me familje deportohet në kampin e Terezinit (Theresienstadt), që ishte vetëm një pikëkalim drejtë kampeve të mëvonshme të përqendrimit në Poloni, nga ku askush nuk do të duhej të dilte i gjallë. Davidi bëhet dëshmitar i vrasjeve masive (asaj që më vonë do të njihet si gjenocid), torturave, denigrimit dhe çasteve kur edhe vdekja shihej si shpëtim.
Aty ai e mësoi edhe fatkeqësinë me të cilën ballafaqohet individi që nuk i bindet regjimit: gjermanët i ofrojnë motrës së tij Kaje “postin” e kapos së kampit, por më parë ajo do të duhej të rrihte deri në vdekje prindërit e saj!
Për prindërit e tij kjo mbase do të ishte vdekje me rend, edhe pse besimi i tyre dhe çdo besim tjetër monoteist pajtohet me vdekjen që vjen nga Zoti e jo nga robi!
“Mund ta shoh nënën time dhe babën tim… tek gjunjëzohen, duke u lutur që ajo ta bënte këtë”, kujtonte Davidi.
Mosbindja në regjimet kriminale do të thotë vdekje, ndërsa bindja shpëtim – së paku për një kohë. E koha – në të tilla raste – është pasuri, sepse e ushqen shpresën për ditë të mbara.
“Motra ime ka mundur të shpëtojë, së paku për një kohë…”, thoshte Davidi.
Koha si shpëtim e si helm
Në rastin tillë, kur mbijetesa perceptohet sipas bindjes ndaj urdhrave të xhelatit, koha ishte aleati i cili më së miri definohet duke cituar proverbin spanjoll: “Koha dhe unë kundër cilitdo dy tjerëve”. Por, në fakt, realiteti ishte ndryshe, i ngjashëm me definicionin e eseistit amerikan Ralph Waldo Emerson, se “koha është helmi më i sigurt”.
Dallimet mes dy koncepteve të tilla, të nënshtrimit dhe kundërshtimit – pra të iluzionit dhe realitetit për kohën – hasen më së miri në filmin “Defiance” (Mosbindja, 2008), me regji të Edward Zwick. Kur partizanët Bielski vendosin t’i shpëtojnë nga likuidimi hebrenjtë nga kampi i Baranoviqit (ish territor i Polonisë, tashmë i Bjellorusisë), ata hasin në rezistencë.
“Koha është arma jonë e vetme. Nëse mund të blejmë më shumë (kohë), ne mund të fitojmë”, ishte arsyetimi i rabinit të kampit.
Në tërë këtë tmerr të sundimit nazist, “fati” i Davidit ishte angazhimi në sektorin e klasifikimit të mallrave të vlefshme të konfiskuara nga robërit hebrenj, gjë që i mundësoi të “blinte” pak kohë, sa për ta prolonguar vdekjen. Pas tetë muajve në “shërbim”, ai arrin t’i korruptojë dy oficerë gjermanë të shërbimit SS e të ikë nga Polonia.
Davidi kthehet në vendlindje për të marrë stolitë e fshehura në shtëpinë e familjes, e për ta takuar pastaj një mik me ndihmën e të cilit shpresonte të ikte nga Evropa e pushtuar nga nazistët. Por, gjërat nuk rrjedhin siç kishte menduar: fqinjët e dikurshëm kishin ndryshuar edhe më shumë!
A ishin të tillë, apo lufta i bëri të duken ndryshe?
Franta – njëri nga fqinjët – e lut që të largohet, me arsyetimin se në atë lagje njerëzit jetojnë me familje e me fëmijë. Për të hebrenjtë tashti paraqisnin kërcënim për ekzistencë dhe lufta për ekzistencë e bënte atë ta shmangë maksimën e artë të krishterë me të cilën ishin edukuar çekët dikur: mos ua bëj të tjerëve atë që nuk ke dëshirë të ta bëjnë ty. Ndaj, kur në fund të rrugës kalon një motoçikletë me dy ushtarë gjermanë, Franta bërtet: “çifut… një çifut është këtu”!
Ajo që (nuk) duhet bërë!
Edhe këtë herë fati është në anën e Davidit, meqë gjermanët nuk dëgjojnë! Ai shikon si i shtangur. Në kokën e tij mbase silleshin pyetjet dhe dilemat për njerëzit: ç’e shtyri fqinjin ta denoncojë mikun e dikurshëm te xhelatët? Frika, apo urrejtja e fshehur ndaj hebrenjve? A ishte ai gjithmonë njeri me moral labil, apo lufta e bëri të tillë? Apo, në luftën për mbijetesë fqinji thjesht duhej të ishte bindës ndaj asaj që regjimi gjerman kërkonte?
Shembull tipik i ilustrimit të pasojave të bindjes ndaj një regjimit kriminal, është nazisti Adolf Eichmann. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ka qenë përgjegjës për vrasjen dhe persekutimin e miliona hebrenjve në kampet e përqendrimit. Gjykimi i tij në Izrael tregoi se ai ishte konformist në një shtet diktatorial, e kjo më së shumti bazohet në një deklaratë që ai (Eichmann) e kishte dhënë në hetuesi: “Po të më thoshin se babai im është tradhtar dhe se unë duhet ta vrisja – do ta bëja këtë. Në atë kohë jam bindur ndaj urdhrave pa u menduar. Kam bërë atë që më është thënë (ta bëj)”!
Kjo deklaratë e ka shtyrë më vonë psikologun amerikan Stanley Milgram të hulumtojë dëmet që shkakton bindja ndaj autoritetit. Rezultatet e eksperimentet të tij me elektroshok ishin aq tronditëse, sa që një koleg i tij (psikologu Hans Askenasy) pyet: a jemi të gjithë nazistë?
Në eksperimentin e Milgramit del se 65 për qind e njerëzve që binden verbërisht ndaj urdhrave – në këtë rast jonjerëzore – u shkaktojnë dhimbje viktimave të pafajshme, madje deri në vdekje.
“Musíme si pomáhat” në mënyrë të tërthortë të bënë të mendosh për këtë bindje, e sidomos për dilemat rreth moralit. Por, ky film të bënë ta çmosh edhe guximin për të trajtuar problemet historike të cilat janë heshtur dhe vazhdojnë të heshtin në ndërgjegjen e popullit çek e të shumë popujve të tjerë të pushtuar në mënyrë klasike apo ideologjike.
Shkaku dhe pasoja
Pra, historia e Sudetenlandit tregon se çdo pasojë e ka një shkak, e meqë njerëzit nuk janë të pagabueshëm, atëherë nga e kaluara do të duhej të nxirreshin mësimet, që gabimet mos të përsëriten më. Regjisori Hrebejk e bënë një hap të tillë, duke e ofruar një rrëfim ndryshe për Luftën e Dytë Botërore, që bie ndesh me klishetë e dikurshme kinematografike, e edhe me perceptimet politike e historike të popujve të Evropës Lindore.
Ngjarja te “Musíme si pomáhat” shtjellohet në trekëndëshin Josef-David-Horst. Josefi është çek, Davidi është hebre, ndërsa Horsti është gjerman. Dikur familja e Davidit ishte ajo që Josefin e kishte shndërruar në menaxher të suksesshëm, ndërsa familjen e Horstit e kishte mbajtur gjallë në kohën e krizës së madhe ekonomike të viteve ’20-’30 të shekullit XX.
Tashti gjërat kishin ndryshuar. Për Horstin familja hebreje Wiener (familja e Davidit) ishte thjeshtë një familja “eprore”, sikur që për të tashti është nazisti Kepke. Josefi dëshiron që përmes neutralitetit ta bëjë një jetë të qetë e ta mbijetojë përfundimin e luftës. Ndërsa, Davidi është i paaftë ta marrë jetën në dorë, meqë varet nga mëshira apo sakrifica e të tjerëve.
Në Bibël, në Ungjillin e Llukës, flitet për Samaritanin e Mirë. Samaritanët kanë origjinën nga fiset izraelite, por pushtimi asirian i bënë të veçohen nga njerëzit e gjakut. Gjatë tërë historisë samaritanët përçmohen nga hebrenjtë, e edhe hebrenjtë nga ta.
Në situatë të ngjashme ndodhet trekëndëshi David-Josef-Horst. Ata u takojnë tre popujve që i lidhte një qytet, një e kaluar dhe një miqësi, ndërsa sot këta popuj i bashkonte vetëm urrejtja. Mirëpo, në këtë raport të çuditshëm lindin edhe shumë gjëra të mira. Secili nga ta shndërrohet në një çast në një Samaritan të Mirë – në konceptin tek i cili studiuesit e sotshëm të krishterimit e shohin edhe dhembshurinë për të tjerët, pra edhe një alegori për mosdiskriminim dhe për harmoni ndëretnike.
Triada (trekëndëshi që formohet brenda bashkimit të dy rrathëve identik), sipas koncepteve të pitagorianëve të antikitetit – të mbështetësve të koncepteve filozofike dhe matematikore të Pitagorës – kishte të bënte me urtësinë, besimin, maturinë, miqësinë, paqen dhe harmoninë. Me këtë numër ata identifikonin edhe unitetin, balancën dhe vetë Krijuesin, gjë që më vonë do të shndërrohet edhe në simbolin e hyjnores së besimin të krishterë (triniteti nga tre-uniteti).
21 gramë…
Trekëndëshi David-Horst-Josef u shndërrua në një raport të shenjtë, sepse shpëtoi jetë! E, a ka gjë më të çmuar se jeta, dhe a ia vlen jeta të jetohet?
“Kjo është një pyetje për embrionin, e jo për njeriun”, do të përgjigjej më së miri novelisti anglez, Samuel Butler.
Jeta nuk diskutohet, nuk matet dhe nuk ka pasuri që e blen. Jeta nuk është masa 21 grame e legjendës urbane që e nisi psikiatri Duncan MacDougall në fillim të shekullit XX, e sipas së cilës në momentet kur njeriu jep shpirt, pesha e trupit bie për një 21 gramë. Ky pretendim (që nuk mbështetet në aplikimin e metodave shkencore, ndaj nuk pranohet nga komuniteti shkencor) zë vend të rëndësishëm vetëm në vitin 2003, me filmin “21 grams” (21 gramë) të regjisorit Alejandro González Inárritu, dhe me dilemat që në fund e ndërlidhin këtë hipotezë me jetën: “Thonë se të gjithë ne i humbim 21 gramë, në çastin e vdekjes sonë… Cila është humbja?… Sa fitojmë?… 21 gramë. Pesha e një grumbulli të pesë pesëcentëshve. Pesha e një kolibri. Cila është pesha e 21 gramëve”?
Kur është fjala te jeta, libri i shenjtë të Talmudit – i ligjeve, zakoneve dhe moralit hebre – thotë se “kushdo që shkatërron një shpirt, përfillet sikur ta kishte shkatërruar tërë botën; kushdo që kursen një jetë, përfillet sikur ta kishte shpëtuar një botë të tërë”. Në një version të shkurtuar, kjo proverb përmendet në filmin e vitit 1993, të regjisorit Steven Spielberg, “Schindler’s List” (Lista e Schindlerit), për të portretizuar veprën e humanistit Oscar Schindler.
Lufta e Dytë Botërore dhe raportet gjermano-hebreje ngjajnë në diadën, dyshen që – prapë sipas pitagorianëve – paraqet iluzionin dhe polaritetin; ndarjen që na shmangë nga uniteti. Në këtë dyshe futet industrialisti gjerman Oscar Schindler, për të formuar trekëndëshin e veçantë. Ai e mashtron sistemin gjerman duke e rrezikuar edhe jetën e tij; shteron tërë pasurinë duke shpenzuar miliona e miliona marka për të shpëtuar jetët e hebrenjve. Në fund, ia doli të shpëtonte njëmijedyqind nga ta, nga të cilët sot janë mbi shtatëmijë trashëgimtarë.
Oscar Schindler është një Samaritan i Mirë, një njeri i shenjt për popullin hebre, por edhe një paradoks të cilin asnjë teori psikologjike nuk do të mund ta zbërthente saktë: ishte profiter që gjatë luftës fiton milionat, bartte simbolet naziste me të cilat identifikohej ligësia, ishte qejfli, pinte alkool, korruptonte, nuk ishte fare besnik ndaj gruas së tij, ndërsa në një çast vendosë t’i shpenzoj të gjitha paratë për kauzën që ia kishte caktuar vetes: shpëtimin e jetës së punëtorëve hebrenj, të cilët ai i quante “fëmijët e mi”.
I miri – i keqi!
Besimi, sikurse edhe historia, mëton t’i shoh gjërat bardhezi. Studimet psikologjike të realizuara në shumë pjesë të botës, nuk kanë arritur të japin definicione të sakta të moralit. Ajo që për një popull mund të jetë e moralshme, për tjetrin mund të mos jetë (dhe anasjelltas). I tillë ishte edhe Oscar Schindler: tradhtar i ideologjisë naziste gjermane – i shenjti i popullit hebre. Në ferrin që kishte krijuar populli i tij gjerman nën Hitlerin, Schindler doli si engjëll shpëtimtar.
Pse paraja më nuk kishte vlerë për të, dhe ç’e shtyri Schindlerin të shndërrohet në engjëllin mbrojtës të 1300 hebrenjve?
Schindler u ka dhënë miqve të tij shumë shpjegime në lidhje me humanizmin e tij. Por, biografi i tij Thomas Keneally – ndonëse nuk ia del ta shpjegoj sakrificën e tij – përmend edukimin katolik dhe prindërit e tij shumë fetar.
Pra, humanizmin i tij mund të shpjegohet në karakterin dhe moralin e tij të fortë, që ndërlidhet edhe me të drejtën dhe dashurinë hyjnore, sepse Zoti është vetë dashuria. E, frika e humbjes së kësaj dashurie, në momente të pashpresës, mund të jetë më e madhe se frika ndaj të drejtës juridike, kanunore, diktatoriale, e linçeve apo çfarëdo sistemi tjetër. Kjo bindje fetare – qoftë e bazuar në frikë apo në vullnetin e lirë – është si një qiri i ndezur. Dhe, siç thotë muzikanti anglez Roger Waters, “po të ndizen miliarda qirinj, do të ndriçohet çdo mendja e errët e njeriut”.
Humanizmi në filmin “Musíme si pomáhat” bazohet në dhembshuri dhe në kode morale e fetare, por forcohet nga frika. Josefi e strehon Davidin sepse ka një empati për të kaluarën e tij, mirëpo pendohet. Humanizmi fillestar shndërrohet në barrën të cilën Josefi detyrohet ta bartë nga frika se Davidi i lirë mund të bie në duart e nazistëve tek të cilët ky do të denonconte strehuesit – atë dhe gruan e tij të bukur Marie. Kjo frikë dhe pazotësia për të dal nga situata në të cilën e fut veten, e detyron Josefin ta përforcojë edhe shoqërinë e tij me Horstin, e madje edhe të punoi për “zotin” e ri të qytetit (nazistin Kepke) duke e shndërruar veten në një nga njerëzit më të urryer në fqinjësinë çeke.
Momentet dhe transformimet…
Regjisori Hřebejk nuk e portretizon Josefin si heronjtë e dikurshëm të kinematografisë së Evropës Lindore që me një mitraloz të vetëm e likuidojnë një batalion të tërë gjerman. Madje, pushtimin gjerman të Çekosllovakisë – përderisa luftimet e mëdha bëheshin në fronte tjera shumë larg këtij shteti – e paraqet në një si paqe të brishtë të mbushur me shumë situata komike, ku heroizmi klasik është thjesht një ëndërr utopike.
Për regjisorin e këtij filmi nuk ka popuj të mirë e të këqij, nuk ka definicione të sakta për patriotët dhe tradhtarët, e as modele strikte të përshkrimit dhe të karakterizimit të njerëzve. Kështu, Josefi neutral merr anë posa e strehon Davidin; Horsti thotë se po e ndihmon Josefin në shenjë mirënjohjeje ndaj ndihmës që ai i kishte dhënë dikur (duke e punësuar tek familja Wiener), por në fakt ka afeksion ndaj gruas së tij; Kepke është babai i heroit që kishte rënë në betejën e Kharkovit të Ukrainës, por papritmas – kur djali i mitur dezerton dhe ekzekutohet nga vetë gjermanët – shndërrohet në tradhtar; Davidi i shkretë e ndjen veten mirë kur është pranë gruas së Josefit; Maria e butë dhe e brishtë di t’i dal zot vetes; ndërsa Franta i ligë që e denoncon Davidin te gjermanët, na del në fund si hero i rezistencës çeke!
Transformimet e tilla bëhen të dukshme në çastin kur Marie e refuzon Horstin me gënjeshtrën se është shtatzënë. Por, kjo gënjeshtër lind në çastin e gabuar, atëherë kur mjeku gjerman Fischer (i cili e kishte “dëshmuar” veten me sterilizimin e qindra romëve) ia bënë me dije Josefit se ai është shkaktari se pse Marie nuk mund të kenë fëmijë. Për të shmangur hakmarrjen e Horstit që donte ta strehonte Kepken në shtëpinë e tyre, Josefi i kërkon Davidit dhe gruas së tij të kenë raporte seksuale.
Marie ngelet shtatzënë.
Përfundimi i luftës pasohet me hakmarrje, transformime, larje të mëkateve e pendime, por edhe me humanizëm që bazohet në kode të mirëfillta morale e fetare. Horsti e shpëton Josefin dhe gruan e tij shtatzënë nga hakmarrja e ushtrisë humbëse gjermane; Josefi e shpëton Horstin nga hakmarrja partizanëve çekë e sovjetikë; ndërsa Franta – i cili kur ballafaqohet me Davidin detyrohet të ballafaqohet edhe me të kaluarën e tij të dyshimtë – e shpëton veten dhe trekëndëshin Josef-David-Horst nga rendi i ri politik i Evropës Lindore.
Në fund të filmit, Josefi endet me foshnjën e vogël në rrugët e rrënuara nga lufta. Para tij shfaqen imazhet e fqinjëve të vrarë hebrenj. Ai e ngre lart vogëlushin, si për të thënë se gjaku nuk shuhet. Kjo skenë përcillet me arien “Zot ke mëshirë ndaj mëkateve tona”, të J. S. Bachut.
Mrekullia ndodhi: me ndihmën e një gjermani (Horstit), Marie e lindi fëmijën e një hebreu (Davidit), të cilin një çek (Josefi) e rrit dhe e pranon si të tijin.
Haleluja.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Sara Kolami: Nuk më pengon mosha e Drilonit
Mbahet seanca gjyqësore për rastin "Kobra", ai thotë se nuk ndihet fajtor
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje